Arrest shtëpiak për 12 personat që bënë dallavere me armë

Kronikë e zezë

Arrest shtëpiak për 12 personat që bënë dallavere me armë

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 17:33
Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka vendosur masën e arrestit shtëpiak ndaj 12 të pandehurve, B.M., S.R., I.R., B.U., S.K., F.P., P.M., A.C., A.F., K.S., A.S., dhe B.H..

Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” lidhur me veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” .

Kjo masë u vendos pasi që Gjykata e Shkallës së Parë vlerësoi se kërkesa për caktimin e paraburgimit nuk është e bazuar.

Ky aktvendim erdhi pasi gjyqtarja e procedurës paraprake konstatoi se 12 të pandehurit mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në bashkëpjesëmarrës tjerë.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit nuk është e bazuar, andaj dymbëdhjetë të pandehurve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, pasi që të pandehurit mund të fshehin, apo të ndryshojnë provat e veprës penale, mund të pengojnë rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të pandehurit, është masë e mjaftueshme për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë penale”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat