11 afganë hynë ilegalisht në Kosovë me kamionin që po barte veshmbathje

Kronikë e zezë

11 afganë hynë ilegalisht në Kosovë me kamionin që po barte veshmbathje

Më: 23 janar 2021 Në ora: 20:44
Foto ilustrim

11 shtetas të Afganistanit u zunë, këtë të shtunë, në pikën doganore në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë, pasi janë futur në Kosovë ilegalisht.

Dy burra, dy gra dhe shtatë fëmijë u panë nga vozitësi dhe punëtorët e Terminalit Doganor vetëm pasi hapën dyert e maunës për të nxjerrë jashtë veshmbathjet që ishin bartur nga Afganistani.

Menjëherë janë njoftuar edhe organet e sigurisë dhe policia ka intervistuar të huajt dhe shoferin e kamionit, edhe ky shtetas turk.

“Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor ‘Jugu’ Prishtinë e kanë trajtuar rastin ku 11 shtetas nga Afganistani, me një kamion, dyshohet se në mënyrë klandestine kanë hyrë në territorin e RKS-së. Në rast më pas janë përfshirë edhe zyrtarë policorë nga Drejtoria për Emigrim dhe të Huaj. Pas trajtimit të rastit, emigrantët janë dërguar në Kampin për Azil në Magure”, thonë nga Zyra për Media e Policisë.

Ky rast po hetohet ende, ndonëse sipas burimeve të televizionit shoferi i kamionit është lëshuar me urdhër të prokurorit pasi nuk kishte qenë në dijeni se po transportonte edhe njerëz.

Siç i treguan televizionit dëshmitarë të rastit, kamioni kishte përshkuar rrugët e Turqisë, Greqisë dhe në Kosovë kishte hyrë nga kufiri i Maqedonisë së Veriut.

Në kufi nuk ishte hapur fare për kontroll, pasi në Turqi i ishte vënë një dry në dyert e pasme që siguronte se brenda nuk kishte elemente të jashtëligjshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat