Vidhen lokalet e RIA-s në Gjilan, hajnat marrin para e mbushje si dhe thyejnë pajisje të shumta

Kronikë e zezë

Vidhen lokalet e RIA-s në Gjilan, hajnat marrin para e mbushje si dhe thyejnë pajisje të shumta

Më: 30 mars 2021 Në ora: 19:43
RIA

Disa vjedhje të njëpasnjëshme kanë ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme në qytetin e Gjilanit, më saktësisht në lokalet e këmbimores “RIA”.

Siç mëson media, rreth 1 mijë e 300 euro janë vjedhur në lokalin Ipko “RIA” në Lagjen “Iliria” në këtë qytet. Përveç tyre, mësohet që janë vjedhur edhe pako të cigareve, disa adaptera të telefonave dhe një paketim të parfumeve.

Ndërsa, një vjedhje siç mëson Gazeta ka ndodhur edhe në lokalin ,,G.Agency SH.P.K”, agjent i autorizuar nga Capital RIA në rrugën “Esat Berisha”. Aty mësohet se hajnat kanë depërtuar dhe vjedhur 800 euro dhe 100 kartela mbushëse.

Një rast i vjedhjes ka ndodhur edhe në lokalin “Kapital RIA” në rrugën “Avdulla Presheva” në këtë qytet, punëtorja ka raportuar se është vjedhur arka me 180 euro në të.

Ndërsa në lokalin e “Kapital RIA” në rrugën “Lufta e Gjilanit”, media ka mësuar se persona të panjohur kanë vjedhur rreth 100 euro para të metalta si dhe kanë demoluar kompjuterët e dy fotokopje.

Një tentim vjedhje mësohet të ketë ndodhur në një lokal të Ria-s edhe në rrugën “Esat Berisha”, por që përveç demolimit të gjësendeve nuk është vjedhur asgjë.

Të gjitha këto vjedhje mësohet se kanë ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme.

Media ka tentuar të flasë edhe me policinë për këto ngjarje, por të njëtit nuk kanë dhënë informacione të detajuara.

“Janë thyer disa dyer dhe kasaforta. Është vjedhur vetëm një shumë e vogël e parave. Rastet po hetohen”, ka thënë nënkolonel Shaban Azizi nga policia rajonale e Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat