Katër raste të dhunës në familje u raportuan në polici brenda 8 orësh

Kronikë e zezë

Katër raste të dhunës në familje u raportuan në polici brenda 8 orësh

Më: 18 prill 2021 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme në polici janë raportuar katër raste të dhunës, të cilat kanë ndodhur brenda tetë orësh.

Rasti i parë u raportua nga një grua në Obiliq, e cila në orën 08:45 u paraqit në stacion policor për të denoncuar bashkëshortin e saj. Ajo u ka thënë hetuesve policorë se ai i ka shkaktuar lëndime trupore.

Në raportin 24-orësh, policia njofton se një patrullë policore ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk e ka gjetur atë aty. Rasti, sipas policisë, është duke u hetuar.

Më pak se dy orë më vonë, në stacionin e policisë në Ferizaj është denoncuar sërish një burrë, i cili ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, të cilën ka dashur ta largoj nga shtëpia.

Këtë veprim, sipas policisë, i dyshuari ka tentuar ta kryejë, për shkak të një mosmarrëveshjeje që kishte pasur me vëllezërit e saj.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në orën 14:45, është raportuar rasti i tretë i dhunë në familje. Kësaj radhe në Podujevë është raportuar se një mashkull ka ushtruar dhunë fizike ndaj një femre.

Si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga goditjet, ajo ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërkaq, i dyshuari për dhunë fizike ndaj saj, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i fundit që u raportuar në polici brenda 8 orëve të ditës së djeshme ka ndodhur në Prishtinë, rreth orës 16:37.

Edhe në këtë rast, viktimë e dhunës në familje ka qenë një grua e cila është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i cili i ka shkaktuar asaj lëndime trupore.

Për shkak të këtyre lëndimeve ajo është dërguar për tretman mjekësor.

Kurse, i dyshuari për këtë vepër (bashkëshorti i saj) është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat