​Paraburgim ndaj P.S. për vrasje në tentativë

Kronikë e zezë

​Paraburgim ndaj P.S. për vrasje në tentativë

Më: 20 prill 2021 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit P.S, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë.

Gjykata pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka vërtetuar faktin se i pandehuri më 18 prill, në një fshat në Komunën Shtërpcë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin M.T.

“Pas një fjalosje, e cila kishte ndodhur derisa të njëjtit gjendeshin në shitoren e fshatit, i pandehuri paraprakisht del nga lokali, merr një shkop druri (bisht sëpate) dhe pret në anën e kundër të rrugës, derisa i dëmtuari del nga lokali dhe niset në drejtim të fshatit, i njëjti e godet dy herë me shkop druri në pjesën e kokës, me ç ‘rast si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari rrëzohet në tokë dhe pëson lëndime trupore, për çka më pas dërgohet për ndihmë mjekësore fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas edhe në Spitalin e Graqanicës. Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të pandehurit që të caktohet masa e arrestit shtëpiak apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme, për sigurimin e prezencës se të pandehurit në procedurë dhe zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat