Shpërdorim detyre dhe kultivim narkotikësh, 13 kryepleq po hetohen në gjendje të lirë, 5 në pranga

Kronikë e zezë

Shpërdorim detyre dhe kultivim narkotikësh, 13 kryepleq po hetohen në gjendje të lirë, 5 në pranga

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 18:13
Ilustrim

Në 5 muaj, në të gjithë vendin policia ka proceduar 18 kryepleq fshatrash të akuzuar për shpërdorim detyre dhe persona që mund të kenë ndihmuar trafikantët për kultivimin e drogës. Referuar të dhënave të policisë, mësohet se nga këta, 13 po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar.

Numrin më të lartë të kryepleqve të akuzuar e mban qarku i Kukësit, me 6 të proceduar. Pasohet nga Tirana, ku po hetohen 5 kryepleq fshatrash, e më pak në qarqet e tjera.

Rasti i fundit që policia arrestoi kryeplak fshati ishte një javë më parë.

Efektivë të komisariatit numër 4 vunë në pranga Abaz Gjedikun, kryeplak i fshatit Shëngjin i Vogël të njësisë Administrative Zallbastar, pasi u gjetën bimë kanabisi me lartësi deri në 1.5 metër.

Gjatë aksioneve të ndërmarra që prej muajit Maj e deri më tani, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 6 inspektorë pyjesh të dyshuar për shpërdorim detyre. Ata akuzohen se nuk kanë përmbushur detyrat funksionale për të parandaluar këtë fenomen.

Po me të njëjtën akuzë janë arrestuar edhe 3 punonjës të OSHEE-së, pasi kanë favorizuar kultivuesit duke lidhur energjinë elektrike, apo nuk kanë kryer kontrolle për të konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë.

Gjatë aksioneve për asgjësimin e parcelave me kanabis, gjithsej janë arrestuar 46 kultivues droge, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat