Aksidenti tragjik dje në Kamzë ku humbi jetën një 15 vjeçar, mësohet se ka nisur si një aventurë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, pasi një djalë 15- vjeçar arriti t’i merrte babait fshehurazi çelësat e makinës. Ai më pas ka dalë nga banesa dhe ka hipur në automjet, duke marrë si pasagjerë edhe tre shokë të tij.
Shëtitja e tyre nëpër rrugët dytësore të Kamzës nuk ka zgjatur shumë, pasi 15-vjeçari pa patentë, duke ecur shpejt me makinë, ka humbur kontrollin e mjetit.
Për pasojë, makina tip “Benz” është përplasur në një shtyllë, duke lënë të plagosur tre pasagjerët dhe 15-vjeçarin që ndodhej në timon shkruan Panorama.
Njëri prej të rinjve humbi jetën rrugës për në spital. Drejtoria e Policisë së Tiranës informoi dje zyrtarisht se më 17.09.2017, rreth orës 15:25, në numrin e Emergjencave 112 është bërë një telefonatë për një mjet të përplasur me një shtyllë në Kamzë.