Tragjike në Lezhë, shkëmbi zë poshtë makinën, i merr jetën 3 personave

Kronikë e zezë

Tragjike në Lezhë, shkëmbi zë poshtë makinën, i merr jetën 3 personave

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 17:27
Pamje nga ngjarja

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në Torovicë të Lezhës.

Një masiv shkëmbi është shkëputur nga mali dhe ka zënë poshtë një makinë që po kalonte aty, dhe deri tani janë konfirmuar tre viktima.

Siç bëhet e ditur, personat që udhëtonin me makinë tip fuoristradë, i përkasin të njëjtës familje, dhe ata nuk kanë mundur të dalin nga mjeti në momentin që ka rënë shkëmbi mbi makinë.

Policia dhe forcat zjarrfikëse ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për të nxjerrë personat nga makina.

Ndërsa, policia përmes një njoftim ka konfirmuar se deri tani janë tre persona që kanë humbur jetën, por numri i viktimave mund të jetë më i madh pasi pjesa e pasme e makinës është  e shtypur.

Viktimat dyshohet se janë dy meshkuj vëllezër me njëri-tjetrin dhe një femër, bashkëshortja e njërit prej tyre.

Shkak i rënies së masivit shkëmbor, duket se janë bërë reshjet e shumta të shiut që kanë rënë mbrëmjen e djeshme.

Njoftimi i policisë:

Me datë 07.10.2017, në rrugën Torovicë – Malecaj në Lezhë , një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali duke rënë mbi një mjet tip fuoristradë Land Rover me targë AA 322 CV.

Deri në këto momente , janë identifikuar 3 viktima të cilët ndodheshin brenda në mjet pasi gjysma e mjetit është e shtypur dhe mbuluar nga masivi shkëmbor.

Shërbimet policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë , zjarrfikëset dhe ambulancën ndodhen në vendngjarje për veprime të mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat