Makina përplas 4 persona, humb jetën e mitura dhe 29-vjeçari

Kronikë e zezë

Makina përplas 4 persona, humb jetën e mitura dhe 29-vjeçari

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 10:13
Rozina Koleci

Dy të vdekur dhe dy të plagosur rëndë, ky është bilanci i një aksidenti të tragjik që ndodhi mëngjesin e ditës së djeshme në Kodër Kamzë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Tiranës, Rozina Koleci, nën drejtimin e makinës së saj ka përplasur fillimisht një 29-vjeçar me  biçikletë, i identifikuar si Ramazan Isha dhe më pas ka marrë para edhe një nënë, së bashku me dy vajzat e saj të mitura. Menjëherë pas aksidentit, ka ndërruar jetë vajza e mitur dhe pasi janë transportuar për në spital, ka ndërruar jetë edhe i riu i cili ishte duke udhëtuar me biçikletë. “Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë vajza E.N., 7 vjeçe dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore Valbona Ndreu, 29 vjeçe dhe E.N., 6 vjeçe, ku kjo e fundit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

U identifikua dhe biçiklisti, me inicialet R. I., 29 vjeç, i cili sapo ndërroi jetë”, njoftoi policia pas ngjarjes. Sipas mjekëve e Spitalit të Traumës, nëna ka dalë nga gjendja kritike dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vajza tjetër e saj, me inicialet E.N., iu nënshtrua dje një operacioni, ndërsa pritet të kalojë orët e kritike, për të dhënë një përgjigje të saktë, sa i përket gjendjes së saj. “Nëna është jashtë rrezikut për jetën. Vajza e mitur do ti nënshtrohet një ndërhyrjeje neurokirurgjikale, presim të kalojnë edhe orët kritike. Edhe gjendja shëndetësore e nënës së vajzës, Valbona Ndreu nuk paraqet rrezikshmëri”, tha mjeku. Ndërkohë, Policia Rrugore arrestoi dje shoferen Rozina Koleci, e cila drejtonte mjet tip “Mercedes Benz”. Ajo akuzohet për veprën penale të “Aksidentit me pasojë vdekjen”.

Ngjarja

Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:40, në zonën e njohur si shinat e trenit. Referuar burimeve të uniformave blu, Rozina Koleci, fillimisht ka përplasur të riun me biçikletë, më pas, ka përplasur edhe nënën me dy vajzat të cilat ishin duke kaluar nga një anë e rrugës, në tjetrën. “Më datë 8 gusht 2018, rreth orës 08:40, në rrugën e Kamzës, tek shinat e trenit, shtetasja R.K., ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit me targë AA071UA, duke u përplasur me një biçiklist dhe më pas me këmbësorë”, shkruhej në njoftimin e forcave blu. Mësohet se, më pas Rozina Koleci është përplasur edhe me një furgon, por nuk janë shënuar dëme materiale, apo në njerëz nga kjo përplasje.

Ndërsa, sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, makina nuk ishte me shpejtësi shumë të madhe dhe është e çuditshme se si nuk u kontrollua dot makina. Më tej, dëshmitarët kanë treguar se si ndërroi jetë vajza e mitur, ende pa shkuar në spital. “Me aq sa pashë, nuk mendoj se makina ishte me shpejtësi, ishte e kontrollueshme, se si ka ndodhur nuk e di”, mësohet se ka thënë një prej dëshmitarëve, i cili nuk e ka shmangur tronditjen nga pamja e frikshme e përplasjes së vajzës së vogël. “Trupi saj erdhi, mu para makinës time, ndërroi jetë që aty”, ka thënë ai, shkruan shekulli. Më tej një tjetër dëshmitar tregoi: “Po vija nga ura. Fëmijët ishin në bordurë. Pashë vetëm momentin kur makina i ra gruas me dy fëmijët, nuk e pashë biçikletën. Në fakt makina nuk ishte me shpejtësi, ishte normal. U tmerruam me thënë të drejtën, të shohësh viktima. Ishin pamje të tmerrshme!”, tha ai.

Hetimet

Pas aksidentit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur forcat e policisë dhe hetuesit, të cilët, pasi kanë marrë dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe shpjegimet paraprake të vetë autores së aksidentit, kanë bërë arrestimin në flagrancë të Rozina Kolecit. Ndërsa përpos dëshmive, hetuesit kanë sekuestruar kamerat e ndodhura në bizneset pranë vendngjarjes për të hedhur më shumë dritë sa i përket skemës së si ndodhi aksidenti dhe për të zbardhur shkaqet. Gjithashtu, Kolecit i është bërë edhe testi i alkoolit, ndërsa janë mbledhur të gjitha materialet e mundshme në vendin e ngjarjes, që mund të përdoren si prova.

Një problem tjetër që konstatohet në këtë aks rrugor nga ana e policisë, është fakti se nuk ka sinjalistikë rrugore, ku përfshihen edhe vizat e bardha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat