Rritet numri i aksidenteve në “Rrugën e Vdekjes”

Kronikë e zezë

Rritet numri i aksidenteve në “Rrugën e Vdekjes”

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 15:07
Në Magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

Në Magjistralen Prishtinë-Mitrovicë po rritet numri i aksidenteve me lëndime dhe atyre me fatalitet. Kjo po ndodhë si pasojë e shpejtësisë së veturave dhe kalimtarëve që po e kalojnë këtë rrugë duke kapërcyer pengesat fizike të vendosura aty, meqë nënkalimet që janë të vendosura nuk plotësojnë kushtet elementare për shfrytëzim.

Banorët e fshatit Stanoc po kërkojnë që të ulët shpejtësia në këtë zonë që është zonë banimi, dhe të rregullohen nënkalimet nga Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë që kjo e fundit ka premtuar se do të ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë.

Disa ditë më parë një 18 vjeçar humbi jetën në këtë magjistrale, Prishtinë-Mitrovicë, që kalon përmes fshatit Stanoc, pas goditjes që mori nga një veturë. Ai u bë viktima e pestë që vdiq në këtë rrugë si pasojë e aksidenteve, që nga vitit 2014.

Kështu për banorët e kësaj ane, kjo rrugë mban emrin “Rruga e Vdekjes”.

Në këtë rrugë që është zonë banimi, nuk ka ndriçim, shpejtësia e lejuar është 80 kilometra në orë, dhe nënkalimet e vendosura nuk kanë ndriçim, janë të papastër dhe të mbushur me ujë. Kjo bënë që ato mos të shfrytëzohen nga banorët.

Ata ecin rrugës kryesore dhe kalojnë pengesat fizike që janë të vendosura për t’i ndarë dy shiritat rrugorë, duke rrezikuar kështu jetën e tyre nga veturat që vijnë me një shpejtësi marramendëse.

Vetëm prej vitit 2014, pesë të rinj nga mosha 17 e deri 33 vjeç, kanë humbur jetën pasi u goditën nga veturat këtu.

Rrahim Ajeti, i cili vitin e kaluar humbi motrën 33 vjeçare në këtë rrugë, pasi u godit nga një veturë, thotë se që nga pas lufta këtu kanë humbur jetën 10 viktima.

Ajeti: 10 viktima që nga paslufta si pasojë e aksidenteve

“Këtu ka njerëz që kanë mbet edhe invalidë, kemi mbesa e nipa që kanë mbet invalidë nga aksidentet këtu, duke e prit autobusin ka ardh edhe e ka rrok, e sot është invalidë. Prej pasluftës e këndej janë mbi 10 viktima që e kanë humb jetën në këtë rrugë, 3 kilometër rrugë, 10 viktima, është e dhimbshme”, thotë ai.

Ajeti i cili kryeson këshillin e fshatit Stanoc i Poshtëm, konsideron se shpejtësia e lejuar për vozitje në këtë zonë, është mbi normalen dhe duhet të ulët urgjentisht, meqë kjo është zonë banimi.

Ajeti: Kemi kërkuar uljen e shpejtësisë në 60 km/h

 “Të parën punë që e kemi kërkua është ulja e shpejtësisë se është zonë banimi këtu, jo me qenë 80 kilometra në orë por 60 kilometra në orë”, tha ai.

Këtë kërkesë ai e ka shtruar në takim me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, disa ditë më parë, ku u ftuan për të diskutuar për problemin e aksidenteve në këtë zonë.

Ymer Haradinaj, kryetar i këshillit të fshatit Stanoc i Epërm, tregoi se kanë kërkuar edhe që të bëhet ndriçimi dhe të mirëmbahen nënkalimet.

Haradinaj: Të ndërmerren masat e nevojshme nga Ministria e Infrastrukturës

“Kërkesat tona janë që Ministria e Infrastrukturës të merr masa në mirëmbajtjen e nënkalimeve, ndriçimin e tyre dhe brenda mundësive të vendosen kamerat e sigurisë. Të rregullohet ndriçimi publik sikur në Milloshevë, nga fshati Gracë, duke përfshi Stanocin, deri te lagjia Cakaj. Kemi pas takimeve informuese dhe këtë kërkesë ua kemi adresu edhe Policisë së Kosovës që të mbajmë edhe më tutje takimeve informuese me qytetarë duke bashkëpunuar me këshillat e fshatrave, drejtorët e shkollave, prindërit, nxënësit, në mënyrë që të vendosen kamerat e sigurisë dhe të vetëdijesohen njerëzit e mos t’i kalojmë barrierat”, thotë ai.

Ata kanë kërkuar edhe vendosjen e tre nënkalimeve, që sipas tyre do të përmirësonin pak situatën.

E Ministria e Infrastrukturës ka premtuar që sivjet do të fillojnë me ndriçimin e rrugës, ndërkohë që do të vazhdojë të ndërmarrë masat e tjera të nevojshme për krijimin e sigurisë.

“I dëgjova të gjitha ankesat e këshillit të banorëve të fshatit Stanovc të Vushtrrisë. Banorët e këtushëm janë të shqetësuar për mungesë të sigurisë në trafikun rrugor në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë që kalon përmes fshatit të tyre. Unë ju premtova që këtë vit do të fillojmë me ndriçim të rrugës, për të vazhduar më pas edhe me të tjera masa të nevojshme për krijim të sigurisë”, ka shkruar Lekaj në llogarinë e tij facebook, pas takimit me banorët me 25 tetor.

Por sipas ekspertit për çështje të komunikacionit, nënkalimet duhet të ndërtohen të shfrytëzueshme për banorët.

Krasniqi: Nënkalimet dhe mbikalimet duhet të jenë sa më miqësore për qytetarë

“Nënkalimet dhe mbikalimet duhet të ndërtohen që të jena sa më miqësore për të gjitha ata njerëz të cilët i frekuentojnë ato, dhe jot ë ndërtohen në atë mënyrë që qytetarët të mos jenë të motivuar për ta shfrytëzuar atë nënkalim. Mua më vjen shumë keq por këtu ka të bëjë edhe me segmentin edukativ, të gjithë ata banorë duhet të edukohen qysh nga shkolla fillore dhe në vazhdimësi duhet të marrin edukatën për rrezikun që sjell një veprim i tillë, kur t’i i kërcen ato pengesat fizike që vendosen për t’i ndarë këto dy shiritë rrugor. Duhet të jenë të kujdesshëm, kjo është shumë e shprehur sidomos në orët e natës kur këta nuk vërehen nga automjetet dhe mund të rrezikojmë jetën e tyre”, thotë ai.

Kërkesë e fshatrave të Stanocit është edhe rregullimi i një rrethrrotullimi në këtë vend i cili do të lidhte fshatrat Stanoc i Epërm me fshatin Stanoc i Poshtëm, me fshatin Prelluzhë dhe diku me 10 fshatra.

Nënkalimet në këtë zonë nuk plotësojnë as kushtet elementare për shfrytëzim, kështu banorët po i kalojnë pengesat fizike në rrugën kryesore, ku edhe po përballen me dënime nga Policia e Kosovës, për shkelje të rregullave të komunikacionit.

Më 21 tetor të këtij viti, banorët e kësaj ane dhe familjarët e viktimave kanë mbajtur një marsh solidarizues, duke vendosur kurora lulesh në vendet ku viktimat kanë humbur jetën.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat