Profesori ndërkombëtar: Federica Mogherini i hodhi benzinë zjarrit

Politika

Profesori ndërkombëtar: Federica Mogherini i hodhi benzinë zjarrit

Nga: N.H Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 12:41
Federica Mogherini

Kosova ditë më parë ka miratuar rritjen e taksës me 100 për qind për mallrat e importuar nga Serbia dhe Bosnja. Në vend ky vendim ishte i mirëpritur nga të gjitha anët, si nga pozita ashtu edhe opozita, mirëpo lidhur me ketë ashpër reagoi përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila kërkoi që ky vendim të anulohet menjëherë.

Lidhur me ketë, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka thënë se me reagimet saja, Frederica Mogherini vetëm se i hodhi benzinë zjarrit, duke inkurajuar Beogradin që të intensifikojë dhunën politike e diplomatike kundër Kosovës.

Bytyçi në një prononcim të gjatë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk pritej që Mogherini të vepronte ndryshe, pasi, sipas tij, gjatë gjithë periudhës së dialogut Bashkimi Evropian ka qenë në krah të Serbisë e kundër Kosovës.

“Qeveria Haradinaj tashmë e ka marrë vendimin për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina në Kosovë. Frederica Mogherini reagoi menjëherë, akoma pa u përhap mirë lajmi dhe foli me më zë urdhërues, duke përdor madje fjalën "menjëherë" të hiqet kjo taksë. Ajo, në vend që të shuajë konfliktin, i hodhi benzinë zjarrit, duke inkurajuar Beogradin që të intensifikojë dhunën politike e diplomatike kundër Kosovës. Nuk pritej që Mogherini të vepronte ndryshe, pasi gjatë gjithë periudhës së dialogut ka qenë në krah të Serbisë e kundër Kosovës. Pritej që të reagonte kundër saj kryenegociatori i Prishtinës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi”.

Image
Enver Bytyçi

“Mogherini kërkoi që "menjëherë të hiqet taksa" dhe të rifillojë dialogu. Kreu i delegacionit në dialog, pra zoti Thaçi, nuk dha asnjë përgjigje. Nuk u përpoq ta mbronte pozicionin dhe vendimin e qeverisë. Me këtë la të kuptohet se i bashkohet sulmeve kundër Kosovës që po bën Beogradi dhe Mogherini. Reagoi edhe Johannes Hahn. Por ai së paku nuk dha urdhër. Tha se shpresonte se deri ai të vijë në Prishtinë për Mbledhjen e CEFT-as taksa do të hiqej. Edhe ky qëndrim shkon kundër Kosovës dhe pro Serbisë. Por ishte më i matur. Në fund të fundit asnjëri prej politikanëve të Brukselit nuk ia tërhoqën veshin Beogradit pse ai nuk i zbaton marrëveshjet me Kosovën, pse bën presion me energjinë elektrike, madje duke krijuar probleme të mëdha në furnizimin e kryeqytetit me energji. Nuk i thanë asnjëherë Serbisë se "duhej të qëndronte neutrale në integrimet ndërkombëtare të Kosovës". Ndërsa qeverisë së Prishtinës i japin ultimatume”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka shtuar se ultimatumet e Mogherinit e ndonjë tjetri në Bruksel nuk sjellin ndonjë pasojë për Kosovën. Sipas profesorit ndërkombëtar, Brukseli e ka humbur kredibilitetin në Kosovë, sepse nuk ka mbajtur asnjë premtim për integrimin e vendit në BE.

“Besoj dhe gjykoj se ultimatumet e Mogherinit e ndonjë tjetri në Bruksel nuk sjellin ndonjë pasojë për Kosovën. Me ose pa taksën e mallrave serbe vizat nuk do të liberalizohen, edhe pse Komisioni Evropian ka shënuar në raportin e tij se Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet për këtë. Edhe pse ia premtuan liberalizimin e vizave pasi të ratifikohej demarkacioni me Malin e Zi. Brukseli e ka humbur kredibilitetin në Kosovë, sepse nuk ka mbajtur asnjë premtim për integrimin e vendit në BE. E ka humbur se përfaqësohet nga persona të tillë si Mogherini, një politikane e ndikuar, e korruptuar dhe e njëanshme. Nëse Bashkimi Evropian edhe në të ardhmen do të udhëhiqet nga politikanë të formatit të Mogherinit, është e pakthyeshme rënia dhe rrënimi I Bashkimit Evropian, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Kosova duhet të bëhet një mësim i madh për vetë BE-në. Brukseli ka kërkuar që të vazhdojë dialogu. Dhe unë besoj se dialogu do të vazhdojë edhe nëse qeveria Haradinaj nuk do ta heqë taksën e mallrave serbe. Do të vazhdojë, sepse nuk është vetëm Mogherini që e dëshiron këtë proces të përshpejtohet. E dëshiron edhe Vuçiq, edhe Thaçi, edhe Edi Rama. Madje këta nuk shohin alternativë tjetër për realizimin e projektit të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Nxitimi, shfrytëzimi i kohës së mbetur deri në prill të vitit të ardhshëm është e vetmja shpresë e këtyre aktorëve pro-serbë e antishqiptarë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit”, ka shtuar ai.

Në fund, ai ka nënvizuar kjo taksë i tërheq vëmendjen aktorëve ndërkombëtarë dhe se me këtë taksë Kosova u kujton partnerëve ndërkombëtarë se Kosova është shtet, pasi disa nga këta aktorë filluan ta harrojnë faktin se Kosova është e pavarur.

“Prandaj dialogu, edhe nëse Haradinaj do t’i mbyllte kufijtë me Serbinë, do të vazhdonte. Ndërkaq taksa nuk e favorizon Serbinë as politikisht. Kjo taksë i tërheq vëmendjen aktorëve ndërkombëtarë se Kosova ka një vijë të kuqe, të cilën nuk e shkel dot. Me këtë taksë Kosova u kujton partnerëve ndërkombëtarë se Kosova është shtet, paso disa nga këta aktorë filluan ta harrojnë faktin se Kosova është e pavarur. Këtu ka ndikimin e vet ideja e presidentëve Thaçi e Vuçiq për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e vendit. Taksa është mesazh, se nuk mund të respektohet pa kufi vetëm Beogradi e të diskriminohet gjithashtu pa kufi Prishtina. Pra, është mesazh se dialogu mund e duhet zhvilluar si dialog e jo si monolog, në të cilin Serbia përcakton edhe axhendën e Kosovës. Kjo taksë vetëm se i forcon pozitat e Kosovës në dialogun me Serbinë. Por njëkohësisht duhet ta ketë efektin e heqjes përfundimtare nga agjenda të bisedimeve për ndarjen e Kosovës”, ka përfunduar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat