Xhafer Shkodra do të dalë para Gjykatës në Gjakovë për t’u përgjigjur rreth aktakuzës, e cila e ngarkon për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Për nesër është paraparë seanca fillestare e gjykimit.
Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Nikollë Komani.
Kallxo mëson se aktakuza e Prokurorisë e rëndon Xhafer Shkodrën për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, me 19 gusht të këtij viti, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer dhe ish-bashkëshortja e tij Rabe ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejt e privon nga jeta tani të ndjerën.
Aktakuza thotë se i pandehuri Xhafer pas këtij momenti menjëherë është larguar ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.
Për këtë rast në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit është thënë se i pandehuri dyshohet se kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij Rabe Shkodra e moshës 61 vjeçare, si pasojë e një fjalosjeje të çastit mes tyre.
Xhafer Shkodra gjendet në paraburgim që nga data 20 gusht.
Ndërkaq komandanti i Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj kishte thënë se dyshimet e para janë se incidenti është shkaktuar nga burri i të ndjerës dhe se janë vetëm dyshime për vrasje aksidentale.
Ndërsa dy ditë pas vrasjes së 61 vjeçares në Gjakovë, Prokuroria kishte ndërruar qasje sa i përket kualifikimit të ngjarjes, duke e rikualifikuar si “vrasje e rëndë”.
Si rrjedhojë, pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Xhafer Shkodra, gjyqtari i procedurës paraprake Shaqir Zika, kishte caktuar masën e sigurisë prej një muaji.
Sipas deklaratave të familjarëve, respektivisht fëmijëve të tyre, bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
Bashkëshorti i viktimës ishte larguar nga shtëpia dhe më vonë është arrestuar nga Policia në lagjen e tij dhe bazuar në deklaratën e tij viktima kishte pasur armën në dorë të cilën ishte duke e pastruar dhe aksidentalisht i ka shkrepur.