“Rikthimi i Mary Poppins” mbërrin në kinematë evropiane

Kultura

“Rikthimi i Mary Poppins” mbërrin në kinematë evropiane

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 06:12
Mary Poppin

Mbërrin në kinematë evropiane “Rikthimi i Mary Poppins”, një ndër filmat më të famshëm të prodhuar nga Disney. Mary Poppins kthehet për të ndihmuar brezin e ri të familjes Banks, që të gjejë gëzimin e të jetuarit dhe kuptimin e mrekullisë, të cilët mungojnë në jetën e tyre si rrjedhojë e një humbjeje familjare.

Karakterin e dados me fuqi magjike e luan Emily Blunt. Dadoja “praktikisht e përsosur”, që me fuqitë e saj të jashtëzakonshme është e aftë të transformojë çdo punë dite në një aventurë fantastike dhe të paharrueshme, kthehet në ekranin e madh të kinemasë.

Mary Poppins është e shoqëruar nga miku i saj Jack, rol i interpretuar nga Lin-Manuel Miranda, si punonjës i bashkisë, i cili merret me ndezjen e dritave nëpër rrugët e Londrës. Regjisori i këtij filmi është Rob Marshall.

“Jam me të vërtetë i nderuar që Disney më ka kërkuar që ta drejtoj unë këtë film. Bëhet fjalë për një muzikal krejtësisht të ri, një trajtim shumë i rrallë në ditët e sotme, dhe një mundësi e mrekullueshme për të realizuar një vepër të ideuar posaçërisht për ekranin e kinemasë”, tha regjisori Rob Marshall.

Shkrimtarja Pamela Lindon Travers i prezantoi botës për herë të parë në vitin 1934 dadon më të vendosur të të gjitha kohërave, me librin “Mary Poppins”. Por, që nga ajo kohë, aventurat e Mary Poppins vazhduan me shtatë libra të tjerë vetëm mbi letrën e shtypur, por me të njëjtin mision; ngritjen e humorit te fëmijët anembanë botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat