Cikël me poezi

Kultura

Cikël me poezi

Emine S. Hoti Nga Emine S. Hoti Më 21 dhjetor 2018 Në ora: 12:25
Ushtria e Kosovës

LIKOVC 1)

O gjyshi im emër ndritur Selman,

Për Likovcin malli më ka marrë,

Aty linde ti, lindi baba e stërgjyshi,

Aty lindi sakrifica dhe heroizmi.

Likovc dhe ju o fshatra rreth e qark,

Që lindët e rritët  të shtrenjtët tanë,

Hasan Prishtinën e Shaban Polluzhen,

 E shumë trima që jetën për ju dhanë.

Për stërgjyshin  SHEQ  LIKOVCIN,

Gjyshja ime  Ajmanja më tregonte.

Ka vuajtur shumë nga regjimi serb,

Se, atdheun, si zjarri vatrën e donte.

E kishin lidhur këmbë e duar me zinxhirë,

E kishin torturuar rëndë trupin e tij,

Donin të dinin ku kishte shkuar i biri, Istrefi,2)

Arratisur nga burgu serb, dhe ikur n`Shqipëri.

Me mall e dhimbje i kujtoj,

Unë që, nënë e gjyshe jam vet tani,

Kujtoj tërë ata njerëz dëshmorë,

Që u sakrifikuan për atdhe e liri.

Babai SELIM HOTI, që s`e njihte axhën Istref,

Ishte rritur me nostalgji për trimërinë e tij,

Kur s`i kishte mbushur ende 18 vjeç,

Kishte marrë rrugën ta takonte në Shqipëri.

Te nëna ime HABIBE amanet më kishte lënë,

“Unë do shkoj në Shqipëri, jetës si dihet,

Dua ta takoj axhën, t`arratisur nga burgu i Serbisë”,

Por në kufi babanë s`e lejuan (1960) e kthyen.

Kur u hap kufiri, baba shkoj axhën ta takoj

Atëherë axha në Kavajë, kishte banim,

Kishte kaluar nga Berati në vitin1993,

Ai takim ishte dita më e lumtur e babës tim Selim.

Dëshiroj ta kujtoj  babanë e nderuar,

Sesa e donte dhe  e do Shqipërinë,

E ndaluan dy regjimet e atëhershme,

E lanë si yjet, që digjen larg  e vetëtijnë.

Dëshiroj që babai ta lexoj te “BOTA SOT”

E dhimbja t`i shërohet sadopak,

Se vajza e tij e dashur kurrë se harron,

Se zemra e saj për babën e nënën digjet flak.

I mbaj në zemër prindërit e mi të moshuar,

Siç mban një guaskë margaritarët e artë,

I dua shumë jam e lidhur fort me ta,

Si një pemë e lartë që rrënjët e mbajnë.

E do baba Shqipërinë si sytë, çdo vit e viziton,

E  ka dashur që fëmijë ashtu e do edhe sot,

Deri sa te vdes e ka të shtrenjtë e të paharruar,

Për Shqipërinë e bukur çdo çast është i malluar.

Atdhe i dashur dhe i shtrenjtë, jemi të mërguar,

Ti je pjesë e trupit tonë ndaj  shumë të duam,

Ashtu si bijtë që për nënën janë të malluar,

Në mërgim marrim frymë, por jetojmë  zemër lënduar.

1).Likovc: Stërgjyshi ishte nga Likovci. Aty lindën gjyshi dhe babai im.

2).Istrefi:Ishte vëllai  Selman Hotit, gjyshit tim. Istrefi ishte dënuar nga regjimi serb 101 vjet burgim,por kishte mundur të arratisej në Shqipëri, fillimisht kishte banuar në Berat. Edhe në Shqipëri kishte kaluar peripeci nën regjimin  asaj kohe.

Për ty

Kam besim dhe shpresë,

Ndjenja të pastra kam,

Për ty shkruaj vargje,

Siç  thur xhamadanë.

Do mbroj gjininë time,

Dashurinë dhe besën,

Do ecim dorë për dore,

Si alfabetit i shqipes tërë jetën.

Do t`shkruaj dhe në atë botë,

Kur të vijë  nuse me pajton,

Do të pushtojë në kraharor,

Do t`jemi bashkë gjithmonë.

Ushtria heroike e Kosovës

Urime Kosova jonë, e gëzofsh ushtrinë,

Mbrojtëse t`fortë të pavarësisë e lirisë,

Do t`jeni ju rinia me uniformë ushtari,

Shqipja e lirisë do t`ju qëndrojë te balli.

Kem miq në botë si kurrë ndonjëherë,

Në krye Amerika e plot popuj të tjerë,

Jemi  t`vendosur t`mbrojmë këtë vend,

Çdo bij e bir Kosove,ushtar e president.

Urime 14 dhjetori i shtetit tonë sovran,

Urime ju o vasha, e ju  djema kapedanë,

Sot jemi Shota, Buletin e Adem Jasharë,

Jemi Skënderbegas dhe Ismail Qemalë.

Trojet e lashta dardane ju sot i garantoni,

Amanetin e dëshmorëve m`lart po e çoni,

Me gjithë zemër uron Eminja mërgimtare,

Rrofsh në mijëvjeçarë ti ushtri  fitimtare!

Feniks

Të liqtë menduan se na zhdukën nga faqja e dheut, 

Gëzonin që askund të mos kish gjurmë t`shqiptarisë,

Por, edhe kur menduan se na bënë zjarr e shkrumb,

Ne si Feniksi rilindëm nga zjarri i atdhedashurisë. 1)

----------------

1).Feniksi, Zog përrallor, që, sipas mitologjisë së disa popujve të vjetër, kishte vetinë të digjej dhe të ringjallej përsëri nga hiri i vet. Thuhet:”U ringjall si feniksi”. Ose cilësohet kështu një njeri me veti të jashtëzakonshme e shumë i shquar në një fushë veprimtarie. Feniks i letërsisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat