Nga lirika e idealeve te lirika e ideve

Kultura

Nga lirika e idealeve te lirika e ideve

Nga: Prend Buzhala Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 08:54
Kopertina e librit

Nuk është e vështirë për ta gjetur një emërues të përbashkët të poezive në vëllimin “Ata që për liri u flijuan" të Milazim Kadriut. Zaten, në këtë drejtim na ndihmon vetë autori: duke e ndarë vëllimin e tij poetik në dy cikle: "Ata që për liri u flijuan" dhe "Me rrezet e diellit në përqafim". Milazim Kadriu, kësisoj, na i shpalos edhe dy makrotema lirike: atdhesinë, luftën për liri (i pari) dhe botën refleksive intime e atë të realitetit të përditshëm dhe atij historik (i dyti). Vijnë ritme të përgjakshme e sakrifice te cikli i parë, por vijnë edhe ritme të mprehta e të hapura të dendësisë së thënies lirike, herë-herë edhe të ndërliqshme, që provokojnë sfidat e përditshme të jetës e të etikës njerëzore, te i dyti. Vetë titujt e cikleve, si dhe qartësia e tillë e thënies lirike, sugjerojnë një botë ndryshe, të ndritshme, të trashëgimisë sonë shpirtërore, historike e nacionale, përgjithësisht vlerash humaniste universale; autori shkruan dhe krijon në atë që beson, ndryshe nga poetët tjerë refleksivë që këndojnë ankthin ekzistencial.

1. Kuintesenca lirike

e kuptimit të vetëflijimit për ideale njerëzore

Si do të këndosh për luftën në kohë paqeje?

Asgjë më shumë se sa të shprehësh ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut dhe kombit tënd. Kësaj kërkese të kryehershme të lirikës së tillë, autori Milazim Kadriu përpiqet që t’i përgjigjet me shprehjen moderne, të dendur, të kontrolluar, për të mos e tepruar me hiperbolizimet, me tejlavdërimet apo me sforcimin e ndjenjës së tillë. Dhe, të këndosh për luftën nga perspektiva kohore e vendit të çliruar, do të thotë të këndosh për nderimin dhe kujtesën e përjetësisë së të rënëve, dhe ta kujtosh vitin më të vështirë e më sublimin në historinë moderne të Kosovës:

Luftë, furtunë, tmerr e gjak…

Acar e stuhi

Qëndresë e krenari.

Ngadhënjimi mbi armikun shekullor

Dëshmorët tanë lisa të pa rrëzuar

gjerdan në kohë e të paharruar.

(poezia “Njëmijë e nëndë qind e nëntëdhjetë e nëntë”)

Nëse nën kushtet e rënda të pushtimit ndjehej nevoja e forcimit të vetëdijes kombëtare; a thua, tani a ndjehet kjo nevojë?

Duke u përqendruar te termat e tilla të përkushtimeve lirike për të rënët, betejat dhe kujtesën e luftës çlirimtare, poeti dëshiron të na thotë se kjo vetëdije na nevojitet edhe sot për ta forcuar qenien tonë, për ta çmuar lirinë dhe sakrificën e djeshme, në mënyrë që e sotmja të jetë edhe më e ndritshme, mu ashtu si sugjeron cikli i dytë i këtij vëllimi.

Sakrifica për idealeve liridashëse, ka qenë kuintesencë e hershme e qenies njerëzore: dikur, në lashtësi, ajo nënkuptonte rivënien e marrëdhënieve mes njerëzve dhe hyjnive; më vonë kjo sakrificë mori përmasat e kuptimit të vetëflijimit për ideale njerëzore, shoqërore e nacionale, kuptimin e formës më të lartë të shërbimit ndaj kombit a bashkësisë përkatëse, si parimin më të lartë etik të mbrojtjes së njerëzve me liri të cenuar. Idealet janë ato që i kanë mbajtur njerëzit të bashkuar rreth një qëllimi, kurse plagët janë shenjë zgjimi:

Por një ditë mblodhe plagët

Dhe rrufeshëm je zgjuar

Ato ideale, prandaj, nuk shuhen as në kohë paqeje. Solidarësia, humanizmi, mbrojtja e shërbimi ndaj njerëzve, janë vlera njerëzore që jetojnë në secilën kohë. Secila kohë, prandaj, i ka edhe protagonistët e tillë. Franc Kafka do të thoshte: “Çdo ideal gjeneron sa më shumë shenjtorë si martirë.”

“Kush jeton për ideale të larta, ai duhet të harrojë të mendojë për veten”, thotë Anselm Feuerbach, piktor gjerman. Pikërisht ky postulat jetësor e artistik, merr përmasat e saj të së madhërishmes, si kategori estetike, edhe te kjo poezi.

2. Zona ligjërimore poetike e ideve

Nëse cikli i parë është lirikë e idealeve, cikli i dytë shfaqet si lirikë e ideve. Te cikli i dytë poeti krijon zonën e tij ligjërimore, krijon dhe peizazhin e tij të ideve, sipas referencave të tij tematike motivore apo sipas të tjerave që sillen rreth egos së njeriut. Shqetësimet e poetit janë dhe shqetësime të kohës.

Folësi i tij lirik nuk vuan nga paqartësitë e brendshme, ai dhuron monologun e tij të shkurtër lirik duke dhënë kënaqësinë e një pritjeje, një përqafimi rrezesh, një takimi me vetveten; dhe aty gjendemi te një stacion i fundit apo te një ecje në jetë. Dhe, në këso rastesh, poeti këndon humbjet në jetë, baladat a braktisjet me tone prekëse:

Ëndrrën e bukur të natës

ma dogji rrezja e diellit.

Këngën e kënduar në fushë

ma fshiu era.

Fjalën e shkruar në letër

ma lagu shiu.

Hapin e hedhur në tokë

ma ndali balta.

E çka më mbeti,

ku është jeta!

Në është ajo dashuria apo qëllimet drejt një caku tjetër, nuk ka rëdnsësi. E rëndësishme është që folësi lirik gjakon më sublimen e kësaj ekzistence.

Porse ky folës lirik përcillet nga fantazmat, nga hijet e zeza; ai ka caqet e veta, kujtimet dhe udhëkryqet. Shqetësimet e brendshme ai i ka qetësuar me pjekurinë e gjakftohtësisë së viteve, kurse trishtimet e sulmet e tronditjeve të djeshme, ai i ka pikëzuar me aktin e qëndresës së dëshmorëve, luftëtarëve dhe popullit qëndrestar. Porse poeti i ka edhe matësit e tij të kohës, artikuluesit e synimeve të këtyre kohëve: aty spikaten ideale, qëndresë, realizim i qenies së lirisë, atdheut.

Poeti e ka bindjen se nëpërmes mediumit poetik mund të luftohet për një çështje madhore, universale apo thelbësore të jetës. Në vargjet e tilla, të stisura nga tensioni i brendshëm dhe nga angazhimi emocional, hasim dhe alternimin e meditimit dhe reflektimit, imazhit dhe pamjeve të brendshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat