Shkodra shtron sofren e madhe

Kultura

Shkodra shtron sofren e madhe

Nga: Ramazan Çeka Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 23:17
Pamje nga eventi

Ditët dhe netët kalojnë një nga një, muajt dhe stinët pasojnë njëri-tjetrin dhe dalë nga dalë kalendari plotëson vitin që po lëmë pas, një vit që gjithmonë; ditë për ditë, muaj për muaj dhe stinë për stinë lë pas ngjarje të bukura, por dhe të hidhura në jetën e përditshme të një populli.

   Fundi i këtij viti, apo mbyllja e një kalendari vjetor sfumon ngjarjet e trishtueshme dhe frymëzon njerëzit që kapërcimin nga një vit në tjetrin ta bëjnë sa më të gëzueshëm.

Këto festa të fundvitit i mbledhin njerëzit në sofra familjare, por dhe në sofra më të gjëra, që mund t'i quajmë sofra popullore. Qytete dhe krahina të mbarë Shqipërisë, Kosovës dhe të të gjithë trevave ku jetojnë shqiptarë, deri në vendet ku kanë emigruar mblidhen thjesht për të gëzuar, duke shpalosur në këto sofra bujarinë e mikpritjen, mirëkuptimin e dashurinë, e mbi të gjitha trashëgiminë e saj nga brezi në brez.

   Gjithmonë më ka frymëzuar edhe një sofër e thjesht, që është shtruar në shtëpitë tona, por sofra popullore që shtrohet në këto raste më ka bërë gjithmonë krenar, aq më shumë "Sofra Shkodrane", sofra e qytetit tim, sofra e një qyteti kaq të lashtë.

   Unë kam përjetuar dhe e kam ndjerë veten shumë të nderuar dhe në sofra të tjera shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Amerikë, por natyrisht më mirë e kam ndjerë veten në "Sofrën Shkodrane", ku mikpritës kam qenë edhe unë.

   Më takon që të shkruaj me kaq pasion për "Sofrën Shkodrane" si shkodran që jam, por edhe ta përshkruaj atë, në këtë natë të magjishme, në këtë fundviti.

   "Sofra e mirë nxen burra boll" thotë një shprehje e vjetër popullore, por "Sofra Shkodrane" është kaq e mirë sa zë përveç burrave edhe djem e vajza të reja, deri tek fëmijët, të cilët ia plotësojnë kësaj sofre trashëgiminë dhe vazhdimësinë.

   Nga larg kishin udhëtuar për t'u mbledhur në këtë sofër edhe shumë bijë e bija që prej vitesh jetojnë e punojnë në emigracion, sepse askund tjetër nuk festohet e gëzohet më bukur se sa në shtëpinë tënde. Ato vijnë çdo vit me mall dhe ikin përsëri, por të lumtur dhe të çmallur me qytetin e tyre.

   Ka dhe prej tyre që nuk vijnë thjesht për të qenë pjesëmarrës në këtë sofër, por që japin edhe kontribut, si këngëtarja shkodrane me banim në Zvicër, simpatikja Gentjana Tafili, e cila me zërin e saj të mrekullueshëm u bë pjesë e këtij aktiviteti.

   Dhjetori është një muaj i ftohtë, por shtrimin e "Sofrës Shkodrane" në traditën prej 18 vitesh të Agjensisë së Spektakleve "Jehona e Shkodrës" me president z. Xhelal Halili dhe nën kujdesin e "Unionit Artistik të Kombit Shqiptar" e ngroh gjallëria e mrekullueshme e pjesëmarrësve në këtë sofër.

Edhe në shtëpitë tona, kur shtrohet një tryezë në raste festash, ajo bëhet më e bukur kur ke të pranishëm miq dhe të ftuar.E tillë ishte këtë vit edhe "Sofra Shkodrane".

Me kënaqësinë e tyre të madhe kishin ardhur ta nderojnë Shkodrën tonë këngëtarë e artistë të mrekullueshëm, nga Tirana, Prishtina, Shkupi, nga të gjitha trevat, si dhe nga Diaspora.

   Kjo sofër tradicionale u shtrua në sallën madhështore të "Art Center Blue Sky" me president z. Gëzim Brahusha, i cili ishte kujdesur për të gjitha, ashtu si vetë ky institucion kulture e ka traditë.

   Pas urimeve të mirëseardhjes, moderatorja aq e mirënjohur dhe e dashur, aktorja e Teatrit "Migjeni" Rajmonda Marku, ftoi të gjithë të pranishmit të ngrejnë një dolli për festat e fundvitit, duke i uruar atyre, në emër të organizatorëve, jetë të lumtur në familjet e tyre dhe një vit të ri të mbarë e me suksese.

Në këtë atmosferë të mrekullueshme, nën tingujt e muzikës popullore, salla ushtoi nga zëri i mrekullueshëm i këngëtarit shkodran Adnan Bala dhe kështu të pranishmit në sofrën e shtruar bashkuan urimet, bashkuan zërin me këngët e bukura shqiptare, ngritën dollitë, duke sjellur emocione që vetëm në "Sofrën Shkodrane" mund të provohen.

Programi i përgatitur sipas libretit të aktorit të humorit Gëzim Kruja "Mjeshtër i Madh", i cili ishte edhe regjisor i këtij spektakli të mrekullueshëm, hyri në rrjedhën e tij edhe pse herë pas here devijohej nga improvizimet e të ftuarëve.Pavarësisht këtij programi, kornizat devijoheshin, sepse diku në një tavolinë dikush merrte mikrofonin dhe këndonte me pasion pjesën e një kënge, diku tjetër dikush thurte një bejtë e dikush tjetër tregonte një barcoletë.

   Këngëtarët e mrekullueshëm të ftuar nga qytete dhe krahina të tjera, e ndjenë veten këtë natë shkodranë të vërtetë, por kjo nuk ishte një risi, pasi edhe në sofrat e shtruara këtu e 18 vjet më parë, për miq të tillë është kujdesur Agjensia e Spektakleve "Jehona e Shkodrës".

"Qejfi bahet me shkodranë" dhe as mund të imagjinohet një sofër në Shkodër, atje ku pijet dhe mezet më të mira janë kënga e humori.

Kështu me këngë e humor kjo sofër filloi dhe mbaroi gjer në orët e para të mëngjesit.

Po kthehem edhe një herë tek një nga elementët kryesore.Sofra ishte shtruar në një sallë që kishte humbur nocionin e saj si e tillë, sepse këtë natë ajo ishte një shtëpi e madhe mikpritëse, e ngrohtë dhe bujare, "Art Center Blue Sky", shtëpia e madhe e artistëve.

   Programi në vazhdim kishte rezervuar për të pranishmit zërin e mrekullueshëm të mjeshtrave të mëdhenj të këngës Bujar Qamili dhe Mukades Çanga, si dhe këngëtarëve Adnan Bala, Orjeta Kelaj, Ben Goxhaj, Lirim Gjonbibaj, Xhina Zefi etj., këngët e të cilëve u gërshetuan me humorin e mrekullueshëm që sollën këtë natë mjeshtrat e mëdhenj të humorit Gëzim Kruja dhe Zef Deda së bashku me grupin "Gaz e maraz", me humoristët Gac Kodrina dhe Qazim Çela.

   Miqt e ftuar, ashtu si gjithë Shqipëria, Shkodra i vë në "krye të vendit", e në këtë vend të nderuar "Sofra Shkodrane" kishte vënë këngëtaren brilante të këngës shqiptare, miken e preferuar Eranda Libohova, por edhe këngëtarin simpatik Korab Shaqiri, djalin e këngëtarit të madh Ilir Shaqiri.

   Në sofrën shqiptare shpalosen vlera tradicionale, historike dhe artistike të kombit tonë, duke manifestuar kështu pasuritë materiale dhe shpirtërore, prandaj edhe në "Sofrën Shkodrane", si pjesë e kësaj pasurie, nuk kishte si të mungonte prania e "Unionit Artistik të Kombit Shqiptar", "Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut" me president Azgan Haklaj "Mjeshtër i Madh", i cili i pranishëm në këtë sofër, vlerësoi punën e madhe që Agjensia e Spektakleve "Jehona e Shkodrës", por edhe të gjithë institucioneve shtetërore-lokale dhe kulturore-artistike të Shkodrës, bëjnë jo vetëm për mbajtjen gjallë të traditës, por edhe trashëgiminë e saj nga brezi në brez.

Këto vlerësime të këtij personaliteti të palodhur të kulturës shqiptare i ilustroi më së miri në këtë natë shkodrane pjesëmarrja e artistëve të rinj e të vjetër, por edhe e të ftuarëve nga të gjitha trevat.

   Një moment që tërhoqi vemendjen e të pranishmëve ishte "Mirënjohja" që drejtoresha e Qendrës "Ndihmë dhe kujdesi për fëmijët jetim të ushtarakëve" brenda dhe jashtë vendit, z. Marjeta Karaj i dhuroi producentit të "Sofrës Shkodrane z. Zhelal Halili, me motivacion: Për kontributin e dhënë për fëmijët jetim të ushtarakëve.

   Këtë shkrim u përpoqa ta shkruaj jo thjeshtë si një artikull gazete, jo thjeshtë si një informacion, por si një përjetim, i cili edhe mua më solli shumë emocione dhe i mbushur me këto emocione edhe unë uroj artistët pjesëmarrës, uroj shkodranët dhe gjithë shqiptarët kudo që janë: "Gëzuar dhe për shumë vjet këtë festë dhe të gjitha festat që na bashkojnë!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat