Një gjerdan me shkronja

Kultura

Një gjerdan me shkronja

Nga: Namik Selmani Më: 13 janar 2019 Në ora: 21:01
Foto ilustrim

Merr ca shkronja bëj gjerdan
Bëj një himn për shqiptarinë!
O poet, zëshatërvan
Ti ke gjithë mirësinë.

Ke damarë nga Tokë e Shqipes
Thellë gjoksit fle blerimi.
Në Bërliqin dritëmagjie
Hodhe hapin që të rriti.

Vit më vit prek mbrothësinë
Që e mbjell në nipër mbesa.
Je vëllam me lumturinë. 
Je si guri ndë bedena.

Ke një varg si shkumë ujëvare
Që na deh e na krenon.
Nënë gjunjë ulet parajsa
Për atë zmër që kuqon.

Në mërgim vjen mall i ndezur
Për oxhakun e çdo kulle.
Për lirinë je buzëetur
Dhe pse bora të zbardh supe.

Je qerpiku i çdo pishe
Lavërtari që zgjon kohëra
Ke një fjalë trëndafilishte
Me aromë nga Rugova.

Ke ndë zemër urim burri
Mes gëzimi i mat vitet
Me ty lule bëhet guri
Me urime shenjtërie.

Për ty dritën fik qiriri
Para zemrës gurrë drite
Nëpër zemra lind filizi
Madhështuar me kujtime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat