Nga loti i gjakut deri te pranvera e zgjimit

Kultura

Nga loti i gjakut deri te pranvera e zgjimit

Nga: Milazim Kadriu Më: 13 janar 2019 Në ora: 22:48
Kopertina e librit

Juve që me gjak e ujitët tokën

Lirinë gjakim e kishit

Populli në gjakun e Juaj do të betohet

Autori

Me këtë përkushtim autori Qazim Berisha e hap librin e tij me vargje kushtuar dëshmorëve  të rënë në periudhën 1981-1991. Autori librin e botoi në një kohë të vështirë kur Kosova ishte në një okupim klasik dhe kur serbosllavët donin që çdo gjë  që frymonte shqip ta ngufatnin. Kështu ky libër doli në dritë katërmbëdhjetë vjet pas demonstrative të Tetëdhjetenjëshit që ia lëkundën themelet e ish Jugosllavisë së atëhershme që ishte një krijesë artificiale.

Autori në vargjet e tij ju këndon dëshmorëve duke filluar nga dëshmorët e rënë në Demonstratat e vitit 1981e deri në vitin 1991, ngjarje këto që ishin një vazhdimësi e përpjekjeve gjithë shqiptare  për liri e demokraci, për mëvetësi dhe identitet kombëtar e që kjo u realizua disa vite më vonë me luftën e lavdishme të UÇK-së që e solli lirinë  e shumëpritur të vendit tonë.

Libri “ Lot Gjaku ” është një monografi në vargje për të gjithë dëshmorët e rënë  prej vitit 1981 deri në vitin 1991. Që në fillim në libër prezantohet lista e 105 dëshmorëve.

Kjo përmbledhje poetike – monografi hapet me poezinë prolog “ Ne jemi këtu ” :

Në agim,në mbrëmje e në orët e vona

Në ditët me shi në ditët me shtrëngatë

Në çdo kohë – NE JEMI KËTU!

Ne jemi të betuar në gjakun e dëshmorëve

Për ta mbrojtur këtë tokë e këtë qiell

ujq të stepave  kurdo që vini – NE JEMI KËTU!

Autori librin e ka konceptuar në pesë pjesë : Zgjimi, Qëndresë shkëmbi, Qielli i mugët, Nënat që lindin dhe Kujtesa.

Më  11 Mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat e studentëve  shqiptarë të Universitetit të Kosovës. Ato ia lëkundën themelet një shteti artificial që quhej Jugosllavi e sëmurë, njëkohësisht iu prishë rehatia  edhe një pjese të burokracisë  shqiptare që  karrierën e tyre e arritën duke shkelur mbi interesat e popullit. Ja si u këndon autori demonstrative të  vitit 1981:

Pranverë e zgjimit Tetëdhjetë e Një

Gurgullimë gjaku prej koke e në gishtërinj

U hoq lëbyra e syve të ballit

Zëri i ARSYES shpoi kupën e qiellit

Më pas autori në të gjitha pjesët e librit na sjell vargje për dëshmorët si dhe fotot e tyre. Autori thotë se në këtë vepër letrare - monografike janë renditur emrat e dëshmorëve që janë vrarë  nga dora kriminale e ushtarakëve –policëve serbosllavë që nga viti 1981  e deri në fund të vitit 1991, brenda një dekade. Radhitja e dëshmorëve  është bërë sipas  “ Ekspozitës së Tmerrit ” që është botuar në “ Zëri ” më 20 prill1991 dhe sipas Listës së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Autori ashtu si janë renditur dëshmorët sipas kohës dhe vendit të rënies u thur edhe vargjet si dhe bënë përpjekje që asnjërin nga ta të mos e harroj pa e përmendur me emër e që kjo është një përkushtim i madh i autorit për dëshmorët.

Andaj kur lexohen këto poezi autorin Berisha e hasim anekënd Kosovës nëpër fusha e male, fshatra e qytete në të gjitha vendet ku ranë dëshmorët duke kërkuar të drejtat dhe liri për vendin e tyre.

Edhe pas gjithë këtij gjaku të njomë të derdhur anembanë Kosovës, autori është optimist se ky gjak do të jetë gurë themel i lirisë së Kosovës. Ky gjak i derdhur u bashkua edhe me gjakun e dëshmorëve tjerë të derdhur në kohë të ndryshme, dhe me gjakun e dëshmorëve të luftës së lavdishme të UÇK-së që u kurorëzua lirinë e shumëpritur dhe me pavarësinë e Kosovës e në rrugëtim drejtë Bashkimit Kombëtar.

Libri përmbyllet me poezinë “ Gjaku i bijve t’u bëftë dritë Kosovë ” :

Kosova e përgjakur u falet martirëve

I përqafon Nënat që Martirë Lindën e Rritën

I përshëndet Nuset që Rrisin fëmijë dëshmorësh

Kosova u falet Motrave që Flamur Qëndisën

Kosova në ballë i puth Dëshmorët

Betohet para Gjakut të njomë të tyre

Amanetin e tyre në vend për ta çuar

Se gjaku që ujiti tokën

Një ditë Pranvere do t’na e sjellë FITOREN

Redaktori i librit Mehmet Kajtazi ndër tjera shkruan “ … Ai nuk e shikon jetën plotë vrragë nga majet e shkallëve, por e përjeton. E përcjell dramën tonë edhe kur ajo në “Kodër të Diellit” për t’iu shuar dielli dy të rinjve tanë, e përjeton edhe atëherë kur një bankë mbetet pa nxënësin e vet, e në atë bankë “mbillet” një trëndafil.”

Recensenti i librit Zejnullah Halili ndër tjera thotë : ” Poezia e kësaj përmbledhje të bën në çast për vete, të merr me frymën e saj e të qon nëpër bardhësitë e Kosovës, nëpër udhët, brigjet, kthesat e luginat, të hip nëpër majat, të shëtit nëpër arat dhe të kthen serishmi nëpër ato bardhësi për të cilat u flijuan djemtë e vashat më të reja, yjet e Kosovës. Poeti Qazim Berisha është kudo : në cep të lotit, në bulzën që sjell Pranvera, në këngën e Zogut, në Dhembjen që s’ka të sosur, në dënosjen, në betimin, në lindjen e në perëndimin e jetës ….”

Libri “ Lot Gjaku ” ka vlera të pamohueshme, dokumentare, historike, e mbi të gjitha është libër që dëshmon historinë e popullit tonë në një periudhë të caktuar, dhe mbetet dëshmi e kohës, mbi të gjitha dëshmi e përpjekjeve të pareshtura për ekzistencë e çlirim kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat