Pse shqiptarët krijuan Specialen – krimet e serbëve askush nuk i dënoi

Kultura

Pse shqiptarët krijuan Specialen – krimet e serbëve askush nuk i dënoi

Më: 16 janar 2019 Në ora: 15:24
Pamje nga promovimi i librit

“Vrasje në kornizë” është libri më i ri i autorit Florin Kelmendi, që sot bashkoi lexues, studiues, artistë e figura politike në sallën e Sheshit 21.

Ky libër, që në vete përçon thirrjen për të  kërkuar të pagjeturit nga lufta në Kosovë, u vlerësua si roman shumështresor në të cilin bashkëjetojnë arti, dashuria, e tashmja e individi.

Autori Florin Kelmendi tha se përmes këtij libri mëton të përçojë thirrjen për kërkimin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Ai tha se përmes veprimeve të personazhit kryesor të librit, ka përçuar idenë e thyerjes së asaj kornize që ia kufizon njerëzve lirinë e mendimit.

Kelmendi: Libri është ftesë për t’i gjetur të zhdukurit e luftës

“Fundja u bënë shumë vite pa u gjetur, megjithëse shpirtrat e tyre janë këtu dhe vazhdimisht na thërrasin për t’i gjetur. Edhe ky libër dhe shpirti i protagonistit që përpëlitet midis faqeve të këtij romani janë ftesë për t’i gjetur. Edhe kjo ftesë dhe të gjitha përsiatjet e mia, të cilat mund të tingëllojnë edhe hermetike, në librin tim janë shtjelluar përmes veprimit të thjeshtë njerëzor dhe mbase të kapshëm për të gjithë”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa, Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, tha se ky libër e ktheu prapa në kohë, e lidhur me çështjen e të pagjeturve, tha se po vazhdojnë të punojnë për zbardhjen e këtyre rasteve.

Lluka: Beogradi fle mbi mbetjet mortore të shqiptarëve

“Për shqiptarët e Kosovës është krijuar një Gjykatë Speciale, ndërsa për krimet që janë bërë në Kosovë, askush deri më sot nuk ka dhënë përgjegjësi për 6000 e sa njerëz. Beogradi edhe sot fle mbi mbetjet mortore të shqiptarëve”, ka thënë Lluka.

Analizat e vlerësimet mbi librin nuk munguan as nga studiuesit e shkrimtarët e tjerë. Studiuesi nga Shqipëria, Behar Gjoka, tha se shqiptarët ndër vite pothuajse kanë dështuar në betejën me lirinë individuale, dukuri të cilën e trajton edhe romani në fjalë.

Gjoka: “Vrasje në kornizë” trajton lirinë individuale

“Janë dy kohë të përplasura njëra me tjetrën, është koha e sundimit dhe pushtimit serb e cila ishte ashtu siç ishte dhe në këtë libër vjen e gjallë, vjen e plotë vjen me përmasat e ndëshkimit, e dhunimit e asgjësimit të lirisë kombëtare dhe individuale, dhe koha e dytë, pas 99-tës, kur ka ardhur liria, mirëpo, çuditërisht çfarë ndodhë, dy kohët ngjajnë me një pikë; fituam lirinë kombëtare po liria individuale? Dhe unë gjykoj me modesti dhe them që ky libër trajton pikërisht këtë moment të lirisë individuale”, ka thënë Gjoka.

Shkrimtari Shaip Grabovci romanin “Vrasje në kornizë”, e cilësoi si ata libra që lënë vragë të pashlyeshme në kujtesën e lexuesit, ndërsa botuesi Abdullah Zeneli tha se ky libër meriton të vlerësohet me çmime nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndryshe, ky është libri i dytë që autori Kelmendi sjell për lexuesit. Para 13 vjetësh, Kelmendi kishte botuar përmbledhjen me tregime të titulluar “Ndalni trenat”.

Florin Kelmendi është një ndër themeluesit e Radiotelevizionit 21 në Kosovë dhe Maqedoni, ndërsa gjatë viteve 1979-1990 kishte punuar si gazetar, redaktor e drejtues programesh në Radiotelevizionin e Prishtinës. /D. Morina/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat