Estetika dhe estetika e letërsisë

Kultura

Estetika dhe estetika e letërsisë

Nga: Isak Ahmeti Më: 17 janar 2019 Në ora: 21:19
Kopertina e librit

Kohë më parë Anton Nikë Berisha & Labinot Berisha kanë nxjerrë në dritë librin më të ri:

ESTETIKA DHE ESTETIKA E LETËRSISË, tekst për studentë, SHB"FAIK KONICA" , Prishtinë 2018 (fq.460).Këtij libri , mjaft interesant dhe me vlera shumështresore (me 925 referenca ), i paraprin fjala paraprake:

RËNDËSIA E ESTETIKËS DHE E ESTETIKËS SË LETËRSISË PËR STUDIMIN E VEPRAVE LETRARE.

Përmes këtij libri , të strukturuar në tri pjesë , e ku si moto janë dhënë dy tekste,  njëri i Hegelit  dhe tjetri i Cvetan Todorovit , është ndriçuar , në mënyrë të thelluar e me argumente , qenësia e estetikës si disiplinë filozofike  dhe e estetikës së letërsisë si degë e saj në studimin e veprave të artit  , sidomos të veprave letrare poetike.Në të dyja rastet , sipas dy autorëve në fjalë , edhe estetika si disiplinë filozofike edhe estetika e letërsisë , si degë e saj , mundësojnë përcaktimin dhe ndriçimin e së vërtetës artistike , format  e përftimit të shfaqjes dhe të funksionimit të saj , gjë që nënkupton , para së gjithash , studimin e së bukurës dhe të madhërishmes(pa mohuar edhe të shëmtuaren), në veprat e artit dhe mundësitë e ndikimit të tyre estetik në marrësin , dëgjuesin ose lexuesin (fq.7).

Estetika ,përkatësisht medimi estetik ka qenë pjesë e gjallimit të njeriut  qysh në lashtësi edhe pse ajo fillimisht nuk u quajt si e tillë.Çështja e emërtimit të disiplinave të ndryshme , pra edhe të filizofisë dhe të estetikës, lindi shumë më më vonë , mirëpo kjo , sipas vlerësimi të autorëve në fjalë, nuk e zvogëlon rëndësinë e gjakimit dhe përpjekjen e njeriut që , nga një anë, të krijojë vepra artistike , dhe nga ana tjetër, t'i përdorë ato si"shprehje e ngushëllim shpirtëror" , si katarsis , po edhe si nxitje për të vazhduar edhe më tej përftimin e veprave të tjera të artit dhe të pasurimit të ekzistencës së vet jetësore dhe shpirtërore.Për më tepër, estetika që doli nga filozofia  , po që në rrjedhën e zhvillimit dhe të pasurimit të saj gjakoi të pavarësohet dhe të përcaktojë sa më shumë objektin e studimit të saj , të kërkojë dhe të zbulojë të bukurën  në veprat e artit , mënyrat e funksionimit dhe ndikimit në marrësin dhe pasurimin shpirtëror të tij , e ngushëlloi dhe e nxitë për krijimin e mëtejshëm të veprave të artit , për arsye se e bukura dhe e madhërishmja asnjëherë nuk i kanë mjaftuar njeriut , pra përherë ai ka pasur nevojë për to(fq.8-9)

Duke iu referuar Fishtës , De Radës dhe shumë autorëve dhe studiuesve të tjerë të estetikës , autorët e librit në fjalë , kanë arritur të bëjnë një libër të estetikës dhe të estetikës së letërsisë  , me vlera shumështresore , që do t'u shërbejnë jo vetëm profesorëve që ligjërojnë estetikën dhe estetikën e letërsisë por edhe studentëve që e kanë lëndë mësimi  sikundër edhe gjithë atyre që , në mënyrë ose në një tjetër , u intereson estetika dhe zbatimi i saj në studimin dhe interpretimin e veprave letrare poetike(fq.18).

Lubrin në fjalë autorët e kanë strukturuar në tri pjesë:

I.ESTETIKA SI DISIPLINË FILOZOFIKE(fq.21-142),ku janë trajtuar:

-Estetika si disiplinë filozofike.Çështje të përgjithshme

-Rrjedha e zhvillimit historik të estetikës

-Mendime të disa autorëve  rreth estetikës dhe rëndësisë së saj

-Estetika dhe disa nga rrymat -shkollat letrare

-E bukura dhe e madhërishmja si qenësi të estetikës

II.ESTETIKA E LETËRSISË (fq.145-234), 

ku janë trajtuar :

-Arsyet e lindjes së estetikës  së letërsisë

-Estetika si mundësi  studimi  dhe njohje e artit të fjalës , letërsisë

-Qenësia e marrëdhënies estetike: autori, vepra, marrësi

-Esteika e tekstit poetik  dhe rëndësia  e komunikimit  dhe e ndikimit

III. MENDIMI ESTETIK NË LETËRSINË SHQIPE (fq.237-422) , ku janë trajtuar:

- Fillet e estetikës shqiptare

-Jeronim De Rada  mbi letërsinë  dhe estetikën e saj

-Anton M.Xanoni për estetikën e letërsisë

-Mbi" Shinime estetike .Mbi natyrë t 'Artit" dhe mbi mendime të tjera të Fishtës

-Vëzhgime estetike-poetike të Lasgush Piradecit

-Pikëpamjet estetike  të Ndre Mjedës dhe Faik Konicës

-Mendime të Mensur Raifit, Anton Pashkut, Ibrahim Rugovës  rreth estetikës së letërsisë 

Siç shihet nga titujt dhe nëntitujt e kësaj vepre si dhe nga përmbajtja e saj e përgjithshme, autorët në fjalë, me shumë përkushtim dhe kompetencë shkencore  kanë  trajtuar një gamë të gjërë çështjesh që kanë të bëjnë me estetikën dhe estetikën e letërsisë , përkatësisht me estetikën si disiplinë filozofike, rëndësinë dhe rrjedhën e zhvillimit dhe pasurimit  të saj , me estetikën e letërsisë dhe mundësinë e zbatimit të saj në vënien e komunikimit sa më të mirë me veprën letrare poetike  dhe ndikimin estetik në marrësin ( pjesa e dytë), ndërsa në pjesën e tretë  kanë trajtuar çështje estetike duke e konkretizuar në letërsinë shqipe përmes autorëve dhe disa  veprave të tyre duke filluar me mendimet e Buzukut për katër psalmet dhe veprën "Meshari" (1555) .

Siç shihet edhe nga vetë përmbajtja e librit të autorëve në fjalë ,dy pjesët e para sjellin dijen dhe përvojat e studimit të estetikës dhe të estetikës së letërsisë në vijën horizonrale duke hedhur dritë në dukuritë , në rrymat dhe në periudhat më kryesore të zhvillimit të saj dhe të mendimit të autorëve  kryesorë, ndërsa në pjesën e tretë mendimin estetik  në letërsinë shqipe.

Krejt në fund le të theksojmë se libri në fjalë, si i tillë që është, është i rrallë në mjedisin tonë kulturor-letrar dhe shkencor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat