Kjo poete mërgimtare nga Shkodra, vjen në letërsinë tonë, me mëtimin për të lënë gjurmë, me librin me poezi me titullin :"Dallgëve të jetës". Ajo, deri më tani, nuk ishte krejt e panjohur për lexuesin dhe opinionin e gjer, sepse vazhdimisht kishte botuar në shtypin letrar në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe ishte prezantuar në disa antologji poetike. Kjo poete në krijimtarinë e saj poetike, ka stilin e vet poetik, mënyrën e të shkruarit meditativ dhe filozofik, me gjetje artistike të ndërtuara me përkushtim dhe talent krijues dhe të shkruara bukur, duke përdorë me ngulm gjuhën poetike. Ndonëse edhe më herët e kemi lexuar poezinë e saj në shtypin e kohës, gjithandej trojeve shqiptare dhe në diasporë, kjo poete e vyeshme, vjen të lexuesit dhe në fushën e letërsisë, si poete më e formuar, më e unifikuar. Ndërkaq, duke lexuar me qetësi gjitha poezitë e saja poetik lexuesi bindet që Mimoze nuk i duhet të ngrejë zërin për t'i futur në kokë mësime të tjerëve. Asaj i mjafton një buzëqeshje që shpërthen nga e gjithë qenia e saj, që ta kuptojnë gjithë ritmin e flatrave të shpirtit të saj poetik. Me poshtë po prezantojmë për lexuesit e “Botes sot” vjershën njërën poezive të shumta me titullin “ “Ndoshta” dhe të “Kërkova sonte...”
Mimoza Gjetaj
Ndoshta ...
Ç’do të thotë
Vetëm një fjalë
Asgjë!
Ndoshta shumë
Ndoshta gjithçka…
Varet kujt ia thua
Dhe pse e thua…
Sonte dua të flas i dashur
Kam guximin të them
Ndoshta isha mallkim për ty
Ndoshta edhe ti për mua…
Por, e ndjej fuqishëm
Se kam nevojë për ty
Për një përqafim
Për një përkëdhelje
Prej dorës tënde…
Kam nevojë të ngrohem
Në përqafimet tona
Ta mundi acarin e stinës së largët
Kam nevojë për shiun e shikimeve
Për ëmbëlsinë e buzëqeshjeve
Për prekjet me duart e shpirtit…
Por ç’e do…
Ti mund të jesh tjetërsuar
Mund të kesh fshirë të shkuarën
Edhe emrin tim shkruar në rërë zemre
Edhe puthjet tona hedhur në suvala deti
Ndoshta…
Isha thjeshtë një qetësuese çasti
Diçka krejt e përkohshme
Që nuk na duhej asnjërit…
Por, sonte e ndjej fuqishëm
Se si era drithëruese shkund gjethet
E pemës që nuk e ruajtëm dot
Dhe mbulon trupat tanë me blerim…
Eja sonte Se nuk e mundi dot vetminë
E mungesës së njërit prej nesh..
Të kërkova sonte ...
U humba në ëndrra ne kohën e vjetër
Të kërkova të vije
I mbylla sytë, dhe dorën tënde ndjeva
Nuk e di u përmbyta në stuhi, ne ndjesi të fshehur
Puthjet më shtrydhin erë jasemini
Buzët e etura kundërmonin prush
Të një vatre të zhveshur...
Në ëndërr në krahë më bëhesh ....
Etshëm simfonia e kësaj nate
Tejmbushje kapilarët e shpirtit
Vërshuar nga fontin ndjenjash të harruara...
Të kërkova sonte...
Zemra sa s'shkulej në ketë gjysmë natë..
Përqafomë, lërma buzën tënde të më djeg prush
Në përshpirtjet e kësaj nate të gjatë.
Të kërkova sonte ...
Ëndrrën humba midis kullës së fildishtë
Të shpirtrave tanë të heshtur....
Vetminë s’e munda dot ...
Venezia..