Tema e motive gjurmëlënëse mbi rrjedhat e realitetit jetësor e shoqëror

Kultura

Tema e motive gjurmëlënëse mbi rrjedhat e realitetit jetësor e shoqëror

Nga: Dr. sc. Faik Shkodra Më: 30 janar 2019 Në ora: 17:23
Kopertina e librit

(Në kuadër të klubit letrar “Nositi” të Dardanës, doli nga shtypi vëllimi i pestë me radhë “Për popull, për popull...” i Musa Ahmetajt me redaktor Sulejman Dërmakun dhe recensues Nexhat Rexhën)

Vëllimi poetik “Për popull, për popull...” i Musa I. Ahmetaj është një realizim i suksesshëm artistik nga disa rrafshe. Musa I. Ahmetaj, nëpërmjet syzheve të poezive, në mënyrë të natyrshme dëshmon se është njohës, bashkëpërjetues dhe kundrues i vëmendshëm i rrjedhave dhe ngjarjeve që lidhen me realitetin e sotëm, e që dukshëm shqetësojnë masën e gjerë të popullit pikërisht për faktin se pushtetarët e shtetarët e Kosovës së pasluftës, me veprimet e pamatura, me mungesën e moralit e të ndërgjegjes, si dhe me zhveshjen nga çdo normë e etikës dhe vlerave njerëzore, kanë shkaktuar kriza të shumta në të gjitha fushat e jetës të shoqërisë kosovare. Të tillët, duke e quajtur veten udhëheqës demokratë, udhëheqës modernë, udhëheqës që kanë çliruar Kosovën e udhëheqës që punojnë për popull e për shtet – për ironi të këtyre vlerësimeve bërë vetvetes e partive që u përkasin, për këta njëzet vjet e kanë goditur rëndë popullin dhe Kosovën në aspektin social, moral, psikologjik, ekonomik, shëndetësor, bujqësor, arsimor, zhvillimor e historik.

Realizime të suksesshme dhe shumëllojshmëri temash

Për dy përmbledhjet e krijimtarisë artistike të Musa Ahmetajt, “Kur sytë shohin keq” dhe “Profile me hile”, kemi shkruar më herët dhe gjatë analizave bërë poezive të vëllimeve kemi shpërfaqur mendimet dhe pikëpamjet mbi vlerat ideoartistike dhe mesazhet që bartin poezitë mbi temat, motivet, ngjarjet, idetë dhe dukuritë që autori i ka bërë objekt pasqyrimi. Në këtë kontekst, duke u mbështetur në brendinë e strukturën e poezive, kemi theksuar vlerat e përgjithshme të poezive, duke hedhur dritë më shumë në kritikën që autori u bën rrjedhave aspak të dëshirueshme të ngjarjeve që po manifestohen gjatë këtyre viteve në Kosovën e pasluftës. Autori, duke u frymëzuar nga një realitet i dhimbshëm e me udhëheqje të papërgjegjshme, duke iu përmbajtur rolit të poezisë, e cila duhet të prekë temat e dukuritë jetësore e shoqërore me të cilat ballafaqohet populli, arrin të hartojë vargje me fuqi të ndjenjës shpirtërore e ndjenjore, vargje që i shquajnë ndjenjat e përjetimet më të thella, brenda të cilave manifestohen shqetësimet dhe pakënaqësitë për shumëçka që ndodh në realitetin e sotëm jetësor, shoqëror e historik në Kosovë.

Duke i parë vlerat artistike, estetike dhe didaktike të poezive të vëllimit “Për popull, për popull...”, që janë kuptimplote për temat emotivet që i trajtojnë, me plot gojën themi se Musa Ahmetaj i mbetet besnik rolit të poezisë, e cila i shpreh idealet fisnike për përparimin e popullit. Ndërkaq, kur flasim për frymëzimin me të cilin janë shkruar poezitë, atëherë frymëzimin nuk e marrim vetëm si pikënisje në hartimin e vargjeve, por e kundrojmë sipas mendimeve të klasikëve e romantikëve të mëdhenj, të cilët frymëzimin e karakterizojnë si moment të përshtatshëm për të krijuar vargje dhe për të përsosur ngritjen e shprehjes artistike, që vargjeve u sigurojnë jetëgjatësi. Bartësit e këtyre rrjedhave të rënda autori, nëpërmjet vargjeve me frymë kritike i fshikullon dhe i satirizon, duke i vënë në spikamë pasojat që po i shkaktojnë Kosovës dhe së ardhmes së rinisë së saj.

Gjatë leximit të poezive të vëllimit “Për popull, për popull...” mund të konstatojmë se në përgjithësi poezitë, me përmbajtjen dhe formën e tyre, vijnë si realizime të suksesshme dhe shumëllojshmëria e temave dhe motiveve i bëjnë sa emocionale aq me shtresa ideore e meditative. Secili lexues i këtyre poezive do të kuptojë këndvështrimin origjinal që poeti u bën ngjarjeve më të rëndësishme të realitetit të sotëm jetësor e shoqëror dhe në trajtimin e tyre me mjeshtëri arrin t’i gërshetojë elementet satirike, të cilat, për t’i bërë më të ndjeshme, poezitë i shoqëron me ndonjë shprehje aforistike dhe pikërisht sentencioziteti, që e ndeshim në disa poezi, autorin e bën krijues me ndjesi të zhvilluar, e bën poet të sensibilitetit, që artin e fjalës nuk e shkëput as në komunikimin me ngjarjet e kohës, as me rrjedhat e historisë a mësimet e krijuesve të traditës sonë të Rilindjes. Këto pikëpamje që i përshkojnë poezitë e vëllimit të sipërthënë, na vënë në dijeni se Musa e vlerëson lart rolin e artit të fjalës, madje, duke pasur besim të thellë në të, përmes poezive arrin të paraqesë zhgënjimin, dhimbjen dhe revoltën nga thellësitë e shpirtit, për t’u “transmetuar e lënë trashëgimi përjetësisht brezave dhe për t’i shkundur nga përgjumja dhe plogështia popullin dhe intelektualët e tij”, siç do të thoshte akademik Gjovalin Shkurtaj.

Vëllimi poetik “Për popull, për popull...” i Musa Ahmetajt sajohet nga 118 poezi. Për nga tematika, poezitë rrokin në trajtim aspekte e dukuri të shumta, të cilat vibrojnë në jetën e përditshme të njerëzve, tema me karakter shoqëror e politik, duke hedhur dritë mbi realitetin e mbushur me probleme gjithfarëshe. Këto preokupime e shqetësime poeti i artikulon me gjuhë të thjeshtë dhe me një ligjërim të rrjedhshëm, të cilin e bëjnë tërheqës metaforat, simbolet, personifikimet, satirat, ironitë, përsëritjet dhe krahasimet e përdorura me mjeshtëri të rrallë. Përmes përdorimit të mjeteve shprehëse figurative të vetvetishme përbrenda vargjeve, shpreh, si të themi, një mori ankesash, vërejtjesh, pakënaqësish e revoltash me të cilat dëshmon shpirtin e trazuar – shpirtin e zemrën e dëshpëruar, me situatat paradoksale me të cilat po ballafaqohet shoqëria e sotme Kosovare e më gjerë. Këto tipare u japin poezive të vëllimit karakter refleksiv e satirik.

Realiteti absurd, i krijuar nga mentaliteti i gllabërimit

Mënyra e trajtimit të problemeve të mprehta dhe mjetet shprehëse me të cilat i shpërfaq idetë e mendimet, i bëjnë poezitë sa të rëndësishme aq të freskëta e të kapshme për secilin lexues. Gjithandej poezive e vargjeve është dhënë realiteti ekzistues, që sot mbretëron në Kosovën e pasluftës. Në këtë realitet janë shkrirë njohuritë e autorit që ka mbi rrjedhat e zhvillimin e ngjarjeve dhe kuptohet në këto rrjedha shihet mprehtësia e mendimeve, shihet optika e kapjes së aspekteve më interesante dhe shihet stili i të shkruarit të rrjedhshëm e kuptimplotë.

Poezi mbresëlënëse janë ato që flasin për deputetët e paaftë për ta kryer misionin me nder e ndërgjegje të pastër. Në vargjet e shkruara për deputetët, ministrat, udhëheqësit e institucioneve shtetërore, institucioneve arsimore e të fushave të tjera, autori ka paraqitur fodullëkun, krizën shpirtërore e morale të tyre, të cilëve, në përgjithësi, për zgjidhjen e halleve, problemeve, punësimin e njerëzve në nevojë e sa e sa probleme të tjera që çojnë në përmirësimin e jetës e zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, u mungon guximi, vendosmëria, urtia, drejtësia, maturia, pjekuria e një varg cilësish të tjera, sepse, para së gjithash, janë të padijshëm, servilë, demagogë, snobë, mediokër – janë udhëheqës e përfaqësues të popullit pa parime e ndershmëri, njerëz që kanë humbur arsyen, njerëz që kanë braktisur pavarësinë e mendimit njerëzor, të cilët po mbyten në veprime të shëmtuara, njerëz të cilësuar e të përfolur si ryshfetxhinj e marifetxhinj, njerëz që kryejnë veprime të paligjshme, që shpien në fenomene tronditëse, njerëz që nuk mund të thuhet se për këta njëzet vjet kanë kryer ndonjë punë të hairit, njerëz që me dallavere mendojnë të mbeten tërë jetën pushtetarë. Se çfarë amoraliteti tregon deputeti në bisedë telefonike me shokun, që në fushatën elektorale i ndihmoi për t’u zgjedhur deputet, këtë lexuesi do ta kuptojë nga vargjet e kësaj strofe:

E kam obligim moral
Në fushatë më ke ndihmuar
Ndër të paktët je ti
Që ende s’të kam rehatuar


            (Alo, alo, o shoku)

Se çfarë situatash teatrale, tragjikomike ndodhin në Parlamentin e Kosovës dhe me çfarë fjalori shërbehen deputetet e partive këtë alabanditizëm e fyerje monstruoze, poeti e paraqet në këto vargje:

Dy deputetë të popullit
Dolën sot në mejdan
Njëri i thoshte lopë
E tjetri këtij hajvan

            (Dueli i Drejtpërdrejtë)

Dihen ministrat dhe deputetët ndaj të cilëve rëndojnë akuza ndër më të rëndat, që lidhen me korrupsionin dhe veprat penale. Mjerisht, të tillëve qeveria e sotme u ka bërë strehë dhe nuk i shkarkon. Nuk i shkarkon, sepse as vetë nuk është e pastër. Një realitet të tillë e bën të përtashëm urtia popullore, kur thotë: “Më trego me kë rri, të të them kush je ti”!

Ministri i MASHT-it, për kohën sa ka ardhur në këtë ministri, ka bërë skandale të skajshme politike dhe skandale profesionale e njerëzore, duke shkarkuar njerëzit e bordeve arsimore vetëm e vetëm për t’i rehatuar njerëzit e familjes e anëtarët militantë të partisë që i përket.

Kur kihen parasysh të gjitha këto marifetllëqe nga qeveria, nga ministrat, deputetët dhe nga institucionet e tjera të shtetit, atëherë mund të themi se 20 vjetët e fundit lirisht mund të quhen vite të korrupsionit, të hajnisë, të krimit të organizuar, e që, mjerisht, në këto vjedhje e plaçkitje, u bënë pjesë edhe ndërkombëtarët. Për të gjitha këto sjellje e veprime amorale, autori ka hartuar vargje realiste, si:

Kryetarët me aktakuza
Duhet të propozojnë
Asociacionin e aktakuzave
Sa më shpejt ta formojnë

Ose:

Qeveritë shqiptare
Nxorën një dekret
Nuk vlen për popullin
Por për ministrat e vet

Ose:

Ndërkombëtarë e vendorë
Patën rënë në ujdi
Të bluajnë së bashku
Në të njëjtin mulli!

Musa Ahmetaj i njeh problemet me të cilat po ballafaqohet shoqëria kosovare dhe këto probleme i ka krijuar klasa politike, e cila është rrëmbyer nga lakmia e pasjes, duke lënë në harresë popullin. Mjaft poezi flasin për injorancën e udhëheqjes politike, për të cilën përflitet për çdo ditë se punësojnë njerëz pa asnjë lloj merite, përveç të qenit militant ose taraf me shefat e fuqishëm shtetërorë. Duke u munguar morali dhe ndërgjegjja për ta përparuar Kosovën, pushtetarët e këtyre 20 vjetëve të Kosovës së pasluftës vazhdojnë të bëjnë emërime partiake të njerëzve që s’kanë kurrfarë përgatitjesh profesionale. Autori nuk e poetizon shprehjen, por përdor një gjuhë të pastër në aspektin meditativ me asociacione e shprehje metaforike e herë-herë njerizuese, me të cilat arrin të japë botën ndjenjore e shpirtërore të njeriut të pakënaqur, njeriut që e shqetësojnë veprimet e këqija të udhëheqjes së viteve të fundit. Është e pakuptueshme se si këta komandantët e UÇK-së nuk i lëshojnë vendet udhëheqëse që dy dekada dhe s’ka forcë që t’i zhvendosë nga vendet udhëheqëse. Me të drejtë vlerëson Rexhep Qosja, kur thotë: “Kur politika shkëputet nga morali, atëherë çdo gjëështë e mundur”!

Natyrisht, realiteti absurd, i krijuar nga mentaliteti i gllabërimit të çdo pasurie të vendit të vet, na çon tek e vërteta se me shkuarjen në theqafje të kësaj klase politike, do të ndodhte çlirimi i vërtetë i Kosovës, kur do ta vërshonin të mirat atdheun dhe popullin. Këtë e thonë shumë poezi të Musait, e thonë ndershëm e pa ekuivokë se politikanë të zhveshur nga çdo ndjenjë atdhetarie e përulësie ndaj popullit të vet, nuk mund të jenë kurrë shpresë për të ardhmen e tij të mirë. Klasa politike e ka shkatërruar çdo gjë në këtë Kosovë: arsimin, kulturën, ekonominë, bujqësinë, tokën e bukës, ajrin, mjedisin e edhe njerëzit.

Kriza dhe degradime të rënda e të dhimbshme

Çdo gjë është degraduar skajshmërisht. Kush po mundet, po vjedh, po vjedh natën e ditën. Dita nuk po u mjafton dhe vjedhja e plaçkitja nuk kanë të ndalur, e politikanët në këtë zeje që si duket kanë specializuar, nuk po kanë turp që të ndalen. Poezitë e autorit të vëllimit “Për popull, për popull...” e thonë shkoqur e arsyeshëm, ndershëm e pa kamuflim, që Kosova pati fatin e keq, sepse pas lufte ra në duar të komandantëve të këqij, në duar të njerëzve të padijshëm e pa vlera morale e atdhetare. Kjo është e vërteta më e butë që mund të thuhet për ta. Për të mbetur në pushtet, formuan parti me emra sensacionalë e impresionues dhe s'e ndalën propagandën se gjoja partia e formuar pas ndarjes nga partia ku ishte deri dje do të jetë më e mirë. Por, në fakt, kjo logjikë e sëmurë u demantua nga realiteti që po dëshmon të vërtetën se çdo parti u tregua më e keqe se tjetra në shkatërrimin e së ardhmes së Kosovës. Këto të vërteta i thonë vargjet:

Ministrat e kësaj qeverie, babi
Aty janë, nuk dua t’i turpëroj
Më mirë do të ishte për mua
Nesër në shkollë të mos shkoj!

            (Ta bëj me dije, babi)

Ose:

Juve ministra e qeveritarë
Një fillim viti sa më të mbarë
Me dëshirën më të madhe
T’i futni edhe kuletat në garë!

Ose:

Secili prej tyre
Trim mbi trim
Nuk i lëshojnë karriget
Deri në amshim!

Ose:

Me plot të drejtë u krijua bindja
Tash për tash na ka hëngër dreqi
Kurrë në këtë vend nuk po dihet
Kush është i miri e kush është i keqi!

Vargjet e cituara, për nga tipologjia – lloji, janë të karakterit politik. Dihet se poezia politike në të kaluarën ka qenë e ndaluar nga vetë pushtetarët, ka qenë si të thuash mollë e ndaluar. Poezitë satirike “Për popull, për popull...” nuk i bëjnë nder pushtetit, por paraqesin zërat dhe dëshpërimet e masës së gjerë të të gjitha shtresave të popullit, prej pionierit, bujkut, fshatarit, minatorit, nxënësit, studentit, mësuesit, profesorit, mjekut, inxhinierit e deri tek akademiku i merituar dhe i formuar nga aspekti i profilit shkencor. Është thënë para meje se poezia politike, e gërshetuar me elemente satirike e sarkastike, sjell guxim tek njerëzit për ta kundërshtuar të keqen, të dëmshmen dhe për të mos pranuar nënshtrimin që ua bën pushteti me propagandën e mendimeve që s’përkojnë me të vërtetat. Poezitë e vëllimit i bëjnë dritë së vërtetës, flasin për vjedhjet, për krimin e organizuar, për komandantët e UÇK-së që i futën gishtat gjithkund, flasin për klasën politike që nga populli shikohet me përbuzje, me nënçmimin më të madh që Kosovën e kanë shkatërruar pamëshirshëm, janë poezi që shpalosin brengat e njerëzve. Shumica e poezive të vëllimit shprehin realitetin e shëmtuar, të shkaktuar nga udhëheqësit e institucioneve shtetërore dhe poezitë figurativisht e thonë të vërtetën se: “Në atë shoqëri ku qytetari ka frikë qeverinë, ka tirani, kur qeveria ka frikë qytetarin, aty ka liri!”

Vetë subjektet e poezive të vëllimit përkojnë me mendimet e Borgesit, poetit të madh revolucionar, kur pohonte se: “Publicistika lirike është poezi intelektuale, ku poezia fluturon nga emocioni tek intelekti, intelekti tek politika, politika tek problemi, problemi tek zgjidhja, zgjidhja tek zgjedhja dhe zgjedhja tek njeriu”

Pikëpamjet e tilla mbi poezinë politike, i bëjnë të rëndësishme poezitë e Musa Ahmetajt, vlerat e të cilave konsistojnë në mesazhin se njerëzit nuk duhet të heshtin ndaj pushtetarëve të pandërgjegjshëm, por të marrin kurajën dhe guximin për t’i thënë kësaj klase politike “Boll më! Ndaleni te keqen që po i shkaktoni Kosovës!”

Poezitë sikur e grishin masën të revoltohet kundër qeverisjeve të këqija, kur veprimet e angazhimet e pushtetarëve, qeveritarëve dhe shtetarëve nuk janë në shërbim të njerëzve dhe të vetë ndërtimit të shtetit. Asnjëherë nuk kemi pasur kriza dhe degradime të rënda e të dhimbshme, sa kemi në këta 20 vjet të pasluftës në ekonomi, shëndetësi, arsim, kulturë, shkencë e çdo fushë të jetës sonë.

Degradimet që i janë bërë çdo segmenti të jetës shoqërore, e kanë frymëzuar poetin të hartojë poezi në të cilat sikur i bën thirrje popullit dhe veçanërisht intelektualëve që të shpërgjumen dhe të zgjohen nga letargjia në të cilën kanë rënë në këta 20 vjet dhe të reagojnë ashpër kundër realitetit absurd. Absurdet dhe paradokset po ndodhin gjithandej institucioneve shtetërore. Kemi një qeveri të stërngarkuar me ministra, zëvendësministra, këshilltarë, që s’kryejnë kurrfarë pune, pos marrjes së rrogave të majme nga taksapaguesit, që skamja i ka lodhur deri në ekstrem. Kemi ministra e zëvendësministra me aktakuza, që përditë defilojnë nëpër lokalet e gjykatave dhe se proceset gjyqësore ndaj tyre s’kanë të ndalur.

Poezi më shumë se të sinqerta

Vëllimi poetik sajohet nga poezi vërtet interesante, poezi që paraqesin ngjarjet e zhvilluara brenda harkut kohor 20-vjeçar. Duke i fiksuar ngjarjet, poeti ka bërë përpjekje t’u shmanget ndjenjave patetike me qëllim që ngjarjet t’i bëjë sa më të natyrshme e të kapshme për lexuesin. Përpjekjet e tilla i kanë mundësuar autorit që materialin jetësor ta shfrytëzojë në mënyrë krijuese, duke u dhënë kështu poezive fuqi artistike dhe vlera të qarta ideoestetike.

Duke u ndalur në vijëzimin e veprimeve dhe sjelljeve të aktorëve të politikës, poeti ka arritur në shkallë të dëshirueshme të paraqesë botën e brendshme të personazheve dhe ndjesitë e tyre i vështron nga shumë aspekte. Poetët e mëdhenj e të veçantë, siç ishte Lasgushi: “Kanë vlerësuar se një poezi, që të jetë e mirë, duhet të jetë e sinqertë. Po që të jetë poezia e sinqertë, duhet të jesh më parë ti i sinqertë, gjer në fund të shpirtit tënd, ti që shkruan. Në poezi s’gënjen dot.”

Poezitë e vëllimit janë më shumë se të sinqerta. Janë të sinqerta për faktin se dukuritë, ngjarjet dhe personat për të cilët shkruan, para së gjithash, lidhen me të vërtetat e kohës dhe të realiteti që manifestohet në kohë dhe hapësirë. Tiparet e vlerësimit që autori u bën deputetëve, ministrave, kryeministrave dhe figurave të tjera të institucioneve shtetërore përkojnë me nivelin edukativ të mjerueshëm, me varfërinë mendore e shpirtërore të tyre, sepse janë njerëz që u përkasin klaneve burokratike dhe dëshira për të mbetur gjithsesi në pushtet ka bërë që të humbin çdo vlerë morale e njerëzore – ngjashëm me mjerimin që tregoi Fahredin Gunga për të cilin Rexhep Hoxha shprehet: “Gunga i shkretë! Nga frika se do ta humbë karrigen, ose nga lakmia se do ta arrijë njëfarë kolltuku më të lartë, qiti hapa për ta vrarë ndërgjegjen, humbi fuqinë të gjykojë se fitorja më e madhe qëndron në sundimin mbi vetveten, të dijë se ka fitore të turpshme për të cilat duhet dhënë llogari një ditë!”

Vallë, si mund të shpjegohet karakteri dhe ndërgjegjja e disa deputetëve, të cilët në mungesë të formimit shpirtëror e moral, për të mbetur në pushtet i ndërrojnë partitë për çdo ditë.

Disa prej këtyre deputetëve njihen me emër e mbiemër, por të vjen të vjellësh po t’ua zësh ngoje emrat, sepse aq paturpësisht kanë varrosur vetveten për së gjalli! Por disa nga deputetët janë pajtuar me marren dhe nuk mërziten kur nga zgjedhësit që i kanë mashtruar me premtime se do të jenë zëri i problemeve dhe halleve të tyre, edhe u shahet nëna, ata heshtin, duke mos vlerësuar rëndësinë e vetë nënës së tyre.

Duket se të tillë deputetë, ministra, kryetarë e udhëheqës të institucioneve, nuk i njohin vlerat e veprën e shenjtë të nënës të cilën poetët e krahasojnë me diellin, hënën, lulen, dritën e zemrën. Zëri i nënës, shkruajnë poetët, është i amshuar dhe atë zë me shpirt e gëzim e dëgjojnë fëmijët, sepse ajo është shpresa e fuqia e së ardhmes së një mileti, siç do të shprehej Noli.

Por, disa deputetë të ditëve tona i kanë bjerrë virtytet njerëzore dhe për interesa personale në poezitë e Musait cilësohen si njerëz të dobët nga karakteri e vlerat morale. Gjatë fushatës së tillë, deputetët vetëm kanë gënjyer dhe, duke qenë të pandërgjegjshëm, s’kalon shumë kohë dhe fillojnë ta lëpijnë atë që kanë pështyrë.

Poeti, duke parë degjenerimin e tyre shpirtëror e moral, krijon vargje me lutjen: “Zoti na ruajt prej deputetëve të tillë!” Se në çfarë shkalle të mjerimit e ka sjellë veten deputeti i padinjitetshëm, këtë poeti e thotë në vargjet e mëposhtme, që t’i kujtojnë ironitë e anekdotave.

Të gjitha të mirat që vijnë
Përherë në mes vete i ndajmë
Ti e ke vetëm një përparësi
se nënën patjetër ta shajnë!

Në të vërtetë paradokset dhe skandalet që po ndodhin në skenën politike jo vetëm se janë tragjikomike, por, siç ka vlerësuar intelektuali dhe analisti i shquar, tani i ndjerë, Qani Mehmedi: “Për ta zhdavaritur imoralitetin që ka zaptuar të gjitha institucionet tona, partitë politike etj., ai reagonte i pari e furishëm dhe në fund reagimin e tij e shoqëronte me një klithmë: E po ku jemi, e po ç’bëjmë, e po a është arritur skaji i fundit i fëlliqësive!”

Ndërkaq, sipas brendisë së poezive të vëllimit “Për popull, për popull...” Kosovën e pasluftës po e mbysin lajkatarët, kameleonët, servilët, snobët, mediokrët, sharlatanët, rexhimlinjtë, honxhobonxhot.

Nga poezitë e vëllimit lexuesi kupton se njerëzit që kanë kapur shtetin nuk turpërohen kur të keqen e cilësojnë si të mirë, gënjeshtrën si të vërtetë, të padijshmin si të dijshëm, tradhtarin si patriot, hajnin si të ndershëm etj.

Kur vlerëson vargjet satirike të Musa Ahmetajt, kupton se me sa të vërteta shërbehet ai për veprimet aq të dëmshme të prijësve politikë, sa të bën t’i përmendësh shqetësimet e brengat e Rexhep Hoxhës, kur thotë: “O Perëndi, më jep edhe një jetë vetëm për një qëllim: Të çoj në vend urdhrin tënd për të mos ulur kurrë grushtin e drejtuar kundër tyre! Qetësia do të më ishte e nevojshme vetëm pas vdekjes”!

Shkaktarë të realitetit të dhimbshëm, që ka pllakosur shoqërinë kosovare, janë kryeministrat, kryeparlamentarët, ministrat e deputetët e të gjithë ata që janë vënë në vallen e veprimeve të pandërgjegjshme të këtyre udhëheqëseve, që mund të cilësohen si njerëz lajkatarë, të cilët Musa Ahmetaj i demaskon duke i fshikulluar me fuqinë e vargut satirik, kur shkruan:

Vite e vite me radhë
Rrenën kurrë nuk e huqën
Për çudi të këtij populli
Kurrë as nuk u skuqën!

Ose:

Gjithnjë i mallkoj bindjet e mia
Që dallojnë të mirin prej të keqit
Ky nuk është parlament i popullit
Por i fëmijëve, i turpit dhe i dreqit!

Ose:

Vërtet këta qeveritarë
Kaherë u bënë horë
Fjalët e tyre madje kurrë
Nuk gjinden as në fjalor

Kjo fare nuk ka kuptim
Loja që moti po luhet
Në parlament madje thuhet
Më rrokni aty ku nuk duhet!

Ose:

Nga njëra parti në tjetrën
Nuk të zuri bytha vend
Të shkoi kungulli mbi ujë
Sot deputet në kuvend.

Në poezitë e vëllimit të sipërthënë autori ka përdorur numër të mirë frazeologjish, fjalë të urta, fjalë të rralla nga leksiku popullor, fjalë të pasivizuara, edhe pse, si fjalë plaka, që i shquan bukuria nga shumë aspekte, kanë rëndësinë e tyre të veçantë. Për ta përligjur këtë që e pohuam, po sjellim disa nga këto frazeologji, fjalë të urta e fjalë të rralla të përdorura në poezitë e vëllimit: Fusha ka sy, mali ka veshë; çdo marrëveshje është me bisht; të shkoi kungulli mbi ujë; dihet shuli kur duhet vënë derës; nuk i përtypën mirë fjalë me dhëmbë; sa herë që u teket, popullin e mjelin; marifeteve të tilla kaherë u ka dalë boja; kopili i mbetet aty te dera; kush shan, shan për vete. Fjalë të moçme: Palla, shkërdhata, havaja, alamet burri, tpini, shuli, sagllamë, anxhik, nalet etj.

Mesazhe që kanë vlerë dhe rëndësi universale

Nga këto që thamë mbi poezitë e vëllimit të Musa Ahmetajt, del se ato përshkohen me porosi të rëndësishme, porosi të qarta drejtuar klasës politike dhe gjithë njerëzve të komprometuar që të kthjellohen dhe të punojnë ndershëm duke i vënë të gjitha aftësitë në shërbim të zhvillimit të Kosovës. Mënyra e artikulimit të mësimeve ua bën të qartë të gjithë partive politike, të gjejnë shtigje, metoda, mënyra e rrugë të përshtatshme që çojnë në gjetjen e shtigjeve të ndritura për jetë më të mirë e për zhvillim të gjithëmbarshëm të popullit në të gjitha fushat e jetës e të shoqërisë. Për poetët nocioni poezi shpreh botën e brendshme dhe si krijim shpirtëror e mendor, poezia me përbërësit e saj shpreh një akt besimi e mirëbesimi për ndryshim të rrjedhave jetësore, shoqërore në të cilat njeriu do të dalë triumfues. Këto aspekte studiuesi i përgatitur me dije e kulturë të fushave shkencore duhet t’i hetojë brenda kompozicionit të poezive. Është thënë se poeti shpreh vetveten dhe fatin e njeriut. Duke pasqyruar njeriun, poeti njëkohësisht flet për shoqërinë në të cilën jeton dhe përmes vargjeve klith dhe bërtet nëse këtë ia kërkon çasti i frymëzimit. Nëse poeti ka në qendër të krijimit poetik njeriun në kohë dhe hapësirë, ai duhet të japë mësime dhe mesazhe që kanë vlerë dhe rëndësi universale për njerëzimin, poezia e shkruar me frymëzim gjithmonë ka për qëllim rikrijimin e njeriut jo vetëm në planin moral, por edhe në atë estetik, përmes të fshehtave të veta poeti u bashkohet të fshehtave të njerëzve të tjerë. Pozicioni i poetit në shoqëri nuk bën të jetë pasiv. Është e qëndrueshme thënia se poeti përmes figurave të forta që krijon me vargjet e tij, godet në zemrat e njeriut më tepër se filozofia e historia.”

Të gjitha qeverive në Kosovën e pasluftës u ka munguar gatishmëria, përgatitja dhe interesimi institucional për ta zhvilluar atë. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së përgjegjësisë e vizionit për ta përparuar në rend të parë ekonominë, një vend, një shtet, një shoqëri që shpenzon më shumë në mbajtjen e qeverisë dhe njerëzve brenda kabinetit të saj për t’u dhënë rroga të majme, ai shtet, ajo shoqëri, nuk mund të thuhet se është e lirë. Qeveritë e tashme, me përjashtime të vogla, asnjëra nuk ka punuar për popullin, apo për të ardhmen e rinisë, që është shpresa e vlera më e madhe e popullit. Si mund të arsyetohen disa deputetë të Parlamentit të Kosovës që të jenë për 20 vjet deputetë, thua se janë tëpazëvendësueshëm. Për të tillë deputetë, që s’dinë kur është boll dhe kur u bëhen të neveritshëm edhe familjes e anëtarëve të familjes së vet, vlen t’ua kujtojmë rrëfimin e Nolit, kur shkruan: “Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s'e lëshonte gjersa ia prenë, atëherë e kapi me dorën e majtë, ia prenë edhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë dhe s'e lëshoi gjersa ia prenë kokën. Sikur të ringjallej Herodoti, përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë (pardon ministrat e deputetet tanë - F.SH.) janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t'i shqitesh këta tanët nga kolltuku, duhet t’u presh jo vetëm duart dhe kokën, por edhe këmbët e trupin!”

Rrallëherë shprehet në poezi aq qartë realiteti i shëmtuar që ka mbërthyer shoqërinë dhe historinë e Kosovës së pasluftës, sa është shprehur dhe është trajtuar në vargjet “Për popull, për popull...” të Musa Ahmetajt. Konfliktet dhe përplasjet politike mes partive vetëm sa prodhojnë kriza në dëm të çështjes kombëtare. Sipas mesazheve që i shpërfaqin poezitë, kuptojmë se secili prej nesh, e sidomos udhëheqja politike dhe liderët e partive politike, do të duhej me çdo kusht ta rrisin përgjegjësinë dhe të investojnë në ndërgjegjen e pastër dhe të dëshmohen me zotimin maksimal e të pandalshëm shpirtëror e fizik se janë në shërbim të atdheut e të popullit. Brendinë e poezive të vëllimit e përshkojnë, ku më shumë e ku më pak, vlerat ideore, emocionale, temperamenti i gjallë i poetit dhe fizionomia individuale e tij, i cili brenda vargjeve ka pleksur impulset e njeriut të ditëve tona. Kur kihen parasysh këto aspekte që ngërthejnë poezitë e vëllimit, atëherë duhet të merret konstatimi i thënë nga studiuesit e artit poetik se në rastet e tilla: “Poeti shndërrohet në demiurg, njeriu që jo vetëm e përshkruan realitetin e caktuar, por përpiqet ta transformojë atë”!

Përjetimet e poetit të derdhura në poezitë e vëllimit vijnë të freskëta, të drejtpërdrejta dhe si të tilla tingëllojnë si të vërteta, sepse janë realizuar me fjalë të zgjedhura dhe imagjinatë krijuese. Në përgjithësi, poezitë janë realizime të suksesshme dhe me vlerat ideoartistike dhe ideoestetike hyjnë thellë në shpirtin e në botën mendore të lexuesit. Paria e Kosovës së pasluftës, që është vënë në krye të institucioneve shtetërore, duke filluar prej komunës, qeverisë, parlamentit, ministrisë, bordeve, rektorëve e universiteteve, kryetarëve e gjykatave themelore, prokurorëve specialë, ambasadorëve, shumica e tyre janë dëshmuar të paaftë, sepse u mungon profesionalizmi i arritur me merita e punë të ndershme, janë dëshmuar njerëz që kanë dëmtuar shumë çështjen e përparimit të Kosovës, sepse mbi të gjitha janë njerëz të padinjitetshëm, pa karakter dhe të panjerëzishëm, njerëz të zgjedhur me lidhje familjare, partiake e në stilin unë për ty ti për mua. Kuadrot e tilla vjen dita kur historia ka për t’i gjykuar si qyqarë e të rrezikshëm për ndërtimin e një shteti. Këto gjykime e cilësime ia kanë siguruar vetes me veprime të çoroditura, me pasione të ulëta, sepse çdo gjë për këta 20 vjet e kanë kthyer në plaçkitje e korrupsion, në krim të organizuar. Këta shtetarë e këta pushtetarë në mendjen e masës së gjerë popullore s’janë tjetër veçse kodoshë, bërryloshë dhe sekserë të pangishëm nga plaçkitja e pasurisë shoqërore e kombëtare. Ideal i vetëm i tyre mbetet si të ngjiten lart e më lart institucioneve të pushtetit, duke u bërë servilë, poltronë dhe të gatshëm të bëjnë atentat mbi çdo gjë që lidhet me të vërtetën, me parimoren, njerëzoren dhe etikën, duke u marrë vetëm me gënjeshtra, shpifje e intriga. Këto janë të vërteta të qëndrueshme dhe për të tillë tipa vlen thënia e urtë se me gënjeshtra lehtë mund të jetohet, por shumë vështirë vdiset – thotë Rexhep Hoxha.

Nuk është vështirë të hetohet nëpër faqet e vëllimit ndonjë varg a ndonjë poezi që nuk arrin nivelin e duhur poetik e stilistik. Kjo na bën me dije se tek asnjë krijues i cilitdo lloj të poezisë që shkruan, nuk duhet kërkuar madje as menduar që të gjitha vjershat të kenë një nivel të njëjtë nga aspekti ideoemocional, ideoartistik dhe të vargut të punuar me durim, varg që përshkohet me gjuhë të saktë, me imagjinatë të pastër dhe me përjetim të dukurive jetësore që i bën objekt këndimi përmes temave e motiveve.

Vëllimi poetik “Për popull, për popull...” shquhet për vlerat artistike dhe estetike, sepse me poezitë e llojit satirik-poetik, poeti ka dëshmuar se e përjeton prekshëm realitetin e kohës, duke e bërë të përgjegjshme klasën politike ndaj zhvillimeve të ngjarjeve aspak të favorshme për historinë e popullin që dhimbshëm e dëshpërueshëm po e përjeton. Duke i satirizuar veprimet e klasës politike, në mënyrën metaforike e vë në dijeni lexuesin dhe vëllimit do të mund ti vihej si moto vargu i Ali Asllanit: “Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve!”

Në fund, duke marrë parasysh temat, motivet, stilin e gjuhën e rrjedhshme e të qartë të poezive, të cilat shoqërohen me fakte, ngjarje e detaje të bollshme, urojmë dhe përgëzojmë autorin për këtë vëllim të suksesshëm, duke i dëshiruar suksese në botimin e përmbledhjeve të reja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat