As nis përralla ku bie ylli në pyll
E as mbaron çdo gjë nga zjarri
Fyelli i ashtit zgjohet nga hiri i vet
Trëndafili i ëndrrës digjet mbi det
E gjethon mes agut dhe shiut
E përgjaket mes gjuhës e fjalës
E ik mes zemrës dhe ngjalës
Deri në fund të kohës arrin me një zjarr
Me një qerre nga qielli i fjetur në bar
E sërishmi kthehet në ëndërr e digjet
Njëqind vjet zot mes meje e teje
E prapë vetëm një lojë që rrit barin
Me fyellin e ashtit të hënës
E as fillon çdo gjë nga përralla
Loja II
A fillon me lojë ëndrra e flakës
Flutura krahët t`i djeg në qiri
Agu ndërsa hyn në palcën e ditës
E shiu bie mbi barin e gjelbër
Mbi lumin nga ik e vjen aty tek pres
Aty ku të prek dhe gjithnjë vdes
Nga mrekullia e rrjedhës së gjakut
Nga dega e shelgut e lëshuar mbi ujë
E në ujë hija jote dhe hëna
gjakshkrimi im i vjetër për ty
Ja sesi rikthehet flutura e djegur
Ta vizatojë etjen në flakën e fikur
Çdo gjë fillon sall me lojë
I yt loti
rrufetë egër mbi malin bien me inat
rrëzohen në flakë drurët qindvjeçar
e unë në sy guri ta shoh hijen e largët
mitin tim antik për rrjedhën e gjakut
gjarprin e vogël nga e pi me fund
verën e ndezur të harruar mbi tryezë
fyellin magjik, gjithësinë e këngës për ty
mbi të cilën shkruhet buzëqeshja e ujit
vegimi i yllit nga e ruan kaq vjet kroin
në zemrën ilire të shkëmbit plak me plis
nga ku ikin pishat të arrijnë te zjarri
gjuhën tek merr hiri i kallirit të fjalës
e mbi vogëlsinë e zemrës pik loti
i yti loti nga pik mbi lulen e ilirisë
e rrufetë përgjaken për brirë të dhisë
E ngjashme me lindjen
Njolla të përndezura gjaku, hi.
Vdekja trokiste shtëpi më shtëpi.
Çdo gjë digjej ende në gji.
Në ara të bukës, fshatarët e mi,
Mbillnin farën mitike të dritës për nesër.
Kallinjtë atë verë frytëzuan në erën e shiut
Dhe diellit, e hambarët u mbushën plot,
Dheut era i vinte lindje.
Hej, lindja ime e dytë.
I shikoja arat e bleruara të agut
E ndjeja ngrohtësi të lules për ty,
Oh, fluturat vërshonin ballit, në erë!
E në mua zgjonte pranverë!
Ballit tim dhe lindjes së madhe!