Dijetari shqiptar i shekullit

Kultura

Dijetari shqiptar i shekullit

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 13:37
Rexhep Ismajli

Nga Rexhep Ismajli

Akademik Idriz Ajeti është një nga albanologët më të shquar të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI. Veprimtaria e tij intelektuale dhe studimore, arsimore dhe organizuese në fushën e shkencës dhe të dijeve, studimet e tij frymëgjata për gjuhën dhe veprimtaria e tij në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të politikës rezistuese në Kosovë e bëjnë atë një nga personalitetet me rëndësi të jetës shkencore, intelektuale e publike ndër shqiptarët e Kosovës, të ish-Jugosllavisë dhe të tërë botës shqiptare. Idriz Ajeti është shquar po ashtu në studimet e raporteve të shqipes me gjuhët fqinje dhe me këtë edhe në studimet ballkanistike, duke e afirmuar veten dhe dijen tonë prtej suazave kombëtare. E gjithë veprimtaria e tij publike-shkencore e prej dijetari bie në një fazë dinamike të zhvillimeve kulturore e kombëtare të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ndërsa ndihmesa e tij në këto zhvillime ka qenë gjithnjë e rëndësishme.

Prania e Idriz Ajetit në të gjitha zhvillimet shkencore-kulturore në këto shtatë dekada ka qenë e dukshme dhe thelbësore. Puna e tij është shtrirë dhe në fushën e të drejtave të njeriut e në veprimtarinë shoqërore si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në periudha të vështira në fund të viteve ’90, në Delegacionin e Rambujesë, etj.

Duke e vlerësuar lart veprën dhe veprimtarinë e tij shkencore, kulturore e qytetare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) në vitin 2017, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, botoi një vëllim jubilar me vepra të zgjedhura të Idriz Ajetit.

Idriz Ajeti i takon brezit të intelektualëve të Kosovës që me tërë veprën albanistike e tjetër, me tërë punën e tyre prej pedagogu, me gjithë veprimtarinë në udhëheqje të institucioneve të larta arsimore e shkencore, me tërë prezantimin e tij të autoritetshëm në kongrese e simpoziume ndërkombëtare, të gjitha i ka mbështjellë me një ndjenjë të ngrohtë, njerëzisht të ndritshme për prosperitetin e popullit të vet.

Krijimtaria e tërësishme shkencore e Idriz Ajetit tregon se ai iu qas studimit të shqipes duke e kuptuar gjuhën në frymë të teorisë së dijetarit gjerman Alexander von Humboldt, që ajo «është emanacion specifik i shpirtit të popullit». Iu qas, pra, me një dashuri e respekt të tillë, me kujdesin e veçantë që të mos lëndohej e që të mos e lëndonin as si të folme të një krahine, as si gjuhë kombëtare e letrare, as si kontinuitet që nga lashtësitë e saj të thella.

E mund të thuhet se gjuha shqipe e pati Idriz Ajetin një ndër kujdestarët e dalluar të pastërtisë së saj, një ndër spikatësit e begatisë së saj. E do të jetë ky respekt që do t’i impononte të përdorte jo një metagjuhë shkencore të thatë e krejtësisht të ftohtë akademike, por një metagjuhë me frymëmarrje të lirë të gjuhës amnore, që u mor si model nga mjaft gjuhëtarë ndër ne. Me këtë ndjenjë janë të lidhura edhe shkrimet e tij për ndikimet e shqipes në fjalorin e gjuhëve sllave në kontakt, kontributi i tij në krijimin e gjuhës standarde gjithëkombëtare e për përsosjen së saj, si dhe me shkrimet udhëzuese për kulturën e gjuhës etj.

Në tezën e doktoratës «Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë», Idriz Ajeti trajtoi me kompetencë të lartë një temë që e kishin shtruar para tij gjuhëtarët famëmëdhenj Gustav Weigand-i e Carlo Tagliavini dhe, jo vetëm që nxori në shesh pasaktësistë dhe mangësitë e prezantimit të kësaj të folmeje dhe të mjaft përfundimeve e sqarimeve të tyre, por, duke i dhënë punimit të tij një strukturim dialektologjik historik krahasues, ai arriti të përcaktonte masën e evoluimit e të ndryshimit të kësaj të folmeje nga të folmet e Briskut e të Shestanit të Krajës. Punimi është vlerësuar nga W. Cimochowski më të drejtë si «monografi tepër interesant e me vlerë në dialektologjinë historike, një fushë që zakonisht është paraqitur tepër pak edhe në shumë gjuhë të tjera të hulumtuara më rrënjësisht…». Ai ka thënë gjithashtu se «gjuhësia dhe dialektologjia i detyrojnë Ajetit mirënjohje të veçantë për të dhënat mbi të folmen e Krajës dhe vendosjen e pozitës së saj në kuadër të të folmeve fqinje të shqipes veriore». Kjo mënyrë e trajtimit të materies dialektologjike i cakton një vend të veçantë Idriz Ajetit në dialektologjinë shqiptare të deritashme.

Në punimet e tij për shkrimet shqipe me alfabet arab, siç janë «Vehbija» e Tahir Efendi Boshnjakut dhe «Divani» i Sheh Hilmi Maliqit, profesor Ajeti u mor me gjuhën e autorëve të tyre, duke përcaktuar ndryshimet që kishin pësuar të folmet përkatëse, e Gjakovës nga viti 1835 dhe e Rahovecit nga fillimi i shek. XX. Në këto studime bie në sy edhe puna filologjike me tekstet me alfabet arab. Ndërkaq ai do të realizonte dhe studime të tjera me interes për dialektologjinë aktuale, si për të folmet e Kosovës, për të folmen e Preshevës dhe Bujanovcit, etj.

Studimet e mëvona të Idriz Ajetit, si në fushën e dialektologjisë historike dhe moderne, ashtu dhe në fushën e historisë së gjuhës kanë ardhur duke u përdegëzuar dhe thelluar njëherësh në aspektet e studimit të krahasuar të shqipes, sidomos me gjuhët fqinje dhe me gjuhët sllave, për çka ai na ka lënë një ndihmësë me vlerë. Posaçërisht me rëndësi janë studimet e tij për gjurmët gjuhësore e onomastike shqipe në hapësirat e Malit të Zi e të Hercegovinës, ashtu si ndikimet e ndërsjella të shqipes me gjuhët e dialektet sllave jugore. Në këtë gamë të gjerë interesimesh bien në sy vështrimet e tij etimologjike. Në fushën e brendshme të historisë së shqipes Idriz Ajeti ka lënë dhe gjurmë të tjera: ka hartuar një nga gramatikat e para historike të shqipes, ka shqyrtuar dhe studiuar çështje të ndryshme nga zhvillimet fonetike të gjuhës dhe është marrë me paraqitjen e rëndësishme dhe sistematike të albanologjisë shqiptare dhe të huaj para opinionit tonë.

Idriz Ajeti është albanologu që ka marrë pjesë si personalitet qendror në të gjitha veprimtaritë studimore dhe planifikuese për shqipen letrare/standarde që nga viti 1952 në Prishtinë, për të vazhduar me ndihmesat e tij po në Prishtrinë më 1957, më 1964 dhe sidomos më 1968 në Konsultën Gjuhësore dhe më 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë dhe në të gjitha rastet e ka dhënë ndihmësën e tij thelbësore. Ai njihet si një nga kampionët e shqipes së përbashkët letrare/standarde në sh. XX dhe në fillim të sh. XXI.

Në fushëveprimtarinë e Idriz Ajetit shquan aktiviteti i tij arsimor dhe arsimues (profesor gjimnazi në Prishtinë, lektor dhe arsimtar i gjuhës shqipe në Katedrën e Albanologjisë në Beograd, themelues, profesor dhe shef i Degës së Gjuhës Shqipe në Prishtinë [1960], drejtues institucionesh (Dekan i Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë, Rektor i Universitetit të Prishtinës, anëtar i Akademisë që nga themelimi dhe Kryetar i saj në dy mandate). Një ndihmësë të veçantë ai e ka dhënë me themelimin dhe drejtimin shumëvjeçar të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, qe u bë vatër e kontakteve midis albanologëve nga gjithë bota përtej ndarjeve ideologjike e politike, të kohës së Luftës së Ftohtë e më vonë. Atij i bien merita të mëdha edhe për themelimin e revistave shkencore si Gjurmime albanologjike më 1962, e të tjera më vonë derin te Studime 1994.

Veprimtaria shkencore-hulumtuese e Idriz Ajetit është e gjerë dhe e larmishme, përfshin aspektet më të ndryshme të studimeve gjuhësore, për shqipen dhe për gjuhët e Ballkanit, gjithnjë të para nga pikëvështrimi i albanologut. Dialektologjia historike në të gjen njërin nga autoritetet e mëdha, ashtu si studimet për historinë e gjuhës, për prejardhjen e gjuhës dhe të popullit shqiptar dhe sidomos ato për shqipen letrare. Filologjia e teskteve shqipe me alfabet arab gjente tek Ajeti njohësin e thelluar, ashtu si në tërësi filologjia shqiptare.

Niveli i studimeve gjuhësore të Idriz Ajetit që nga fillimi u bë pikësynim i dëshirueshëm i gjuhëtarëve kosovarë që po formoheshin. Ky nivel ndikoi në mënyrë efektive që edhe ndër ne të bëheshin shpejt të papranueshme si shkencë improvizimet, nxitimet e dija e pamjaftueshme në trajtimin e temave gjuhësore, ndikoi të kuptohej ajo që ka shënuar Emil Benveniste-i se «të folurit është vërtet lëndë e vështirë» e se «analiza në studimin gjuhësor bëhet përmes rrugësh të vështira».

Akademik Idriz Ajeti për gjuhëtarin e ri të Kosovës ishte ai kritiku i nevojshëm me të cilin komunikohet në mungesë gjatë procesit të krijimit, ai mentori i ashpër prej të cilit duhej marrë pëlqimi i heshtur se trajtimi i temës së zgjedhur është solid. Dhe akademik Idriz Ajeti u zgjodh me të drejtë si i tillë edhe për shkak se nuk u kursye të drejtonte, të udhëzonte e të ndihmonte ata që premtonin dhe për arsye se personalitetin e tij e ka hijeshuar gjithmonë gëzimi i sinqertë për veprën e sukseshme shkencore të tjetrit.

Studimet e Idriz Ajetit përmbajnë studime për dialektologjinë historike, studime filologjike-historike, studime të veçanta për aspekte të ndryshme të histoprisë së gjuhës, përfshirë morfologjinë historike, studime për prejardhjen e gjuhës dhe për fazat e hershme të saj, studime për etimologjitë, studime për gjuhën letrare, ashtu si dhe një numër diskutimesh dhe reagimesh publike në instanca të ndryshme në ish-Jugosllavi gjithnjë në mbrojtje të gjuhës shqipe, të historisë së saj dhe të të drejtave të shqiptarëve, për çka mori dhe kërcënimin me jetë. Në kohën e problematizimit shkencor e politik të çështjes së prejardhjes ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar dhe përgjithësisht të prejardhjes së gjuhës shqipe, të lashtësisë së saj në Jugosllavinë e pas vitit 1981, Idriz Ajeti kishte marrë guximin të reagonte dhe në Kongresin e nëntë të Lidhjes Komuniste të Serbisë, të mbajtur në Beograd në vitin 1982, në të cilin merrte pjesë. Kishte bërë, siç thoshte vetë, «një paraqitje në lidhje me disa probleme të gjuhës letrare shqipe, me historinë e kësaj kombësie, mbi tekstet e botuara në Enciklopedinë Jugosllave, që bënin fjalë mbi tekstet e letërsisë dhe kulturën e shqiptarëve në Jugosllavi». Pas disa ditësh ai kishte marrë letrën kërcënuese anonime të postuar nga Zagrebi me këtë përmbajtje: «Sada imate posla sa nama. \\ Vi ćete biti srećan čovek jedino u Albaniji \\ U zemlji odakle ste i došli! \\ Sutra je u pitanju \\ A noć je duga i \\ Za Vas i za Vaše najdraže!» (Tash keni punë me ne.\\ Ju do të jeni njeri i lumtur vetëm në Shqipëri \\ Vendi prej nga keni ardhur! \\ Çështja është për nesër \\ Ndërsa nata është e gjatë edhe \\ për Ju edhe për më të dashurit Tuaj!)

Vepra shkencore përmban mundin e mundur të hulumtimeve dhe të kërkimeve, këmbënguljen shteruese të energjisë fizike e krijuese në një jetë të tërë. Për të gjitha këto akademik Idriz Ajeti pati shpërblimin më të madh e më të këndshëm që mund të pritet: në letrat e shqipes hyri në radhën e bijve të paharrueshëm të popullit të tij.

Idriz Ajeti lindi në Tupallë të Medvegjes më 27 janar 1917, mësoi në shkolla të ndryshme të kohës, ndër të cilat shquhet Medreseja e Mbretit në Shkup (1938). Studioi në Zagreb e në Itali, u diplomua në Beograd në Degën e gjuhëve romane më 1949. Në Beograd i vijoi studimet nën drejtimin e albanologut Henrik Barić. Idriz Ajeti u thellua në studimet e gjuhësisë krahasimtare, në romanistikë e sllavistikë, studioi me themel trashëgiminë albanistike ndërkombëtare, veprat klasike të G. Meyer-it, të H. Pedersen-it, të N. Jokl-it, të H. Barić-it, etj; me zotërimin e gjuhëve sllave, romane e të gjermanishtes, me dije të sllavistikës, të romanistikës e të gjermanistikës, i hapi vetes fushë veprimi të gjerë hulumtuese brenda shqipes në historinë e saj, në degëzimet dialektore, dhe, në një kontekst më të gjerë ballkanistik e indoeuropian, në krahasimet dhe vështrimet etimologjike. Në mësimet në Shkup Idriz Ajeti kishte zotëruar fillimet e dijes e të filologjisë orientale.

Profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Gjimnazin e Prishtinës, mësimdhënës në Seminarin e Albanologjisë në Beograd, doktor i shkencave filologjike më 1958 në Beograd, më 1960 Idriz Ajeti nisi karrierën e gjatë të veprimit universitar dhe shkencor në Kosovë, së pari si profesor i Historisë së gjuhës shqipe dhe i dialektologjisë në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës më 1960, për të vazhduar me botimin e revistës Gjurmime albanologjike më 1962. Pas vitit 1966 Idriz Ajeti dhe një grup arsimtarësh përbënin bërthamën e ekipit që hapësirën e mësimdhënies në gjuhën shqipe në universitet duhej ta pushtonte me shpejtësi, jo rrallë me gjoks e flijime. Më 1967 në Prishtinë u themelua Instituti Albanologjik me 5 punonjës me në krye Fehmi Aganin. Idriz Ajeti ishte një nga shtyllat kryesore të hulumtimit dhe të organizimit të punës. Aty u kalua revista Gjurmime albanologjike, u nis Recherches albanologique më 1984 me Idriz Ajetin kryeredaktor. Në fushën e botimeve Idriz Ajeti shquhet me punën në revistat e Buletin i Punimeve të FF, Studia humanistica dhe Seminari. Më 1994 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës vendosi të botonte një revistë shkencore me profil të gjerë të shkencave shoqërore Studime; Idriz Ajeti dhe Gazmend Zajmi ishin ata që më kërkuan t’i hynim kësaj pune dhe ja që edhe në ato kushte, në bashkëpunim me Kryeredaktorin Ajeti, revista u bë.

Idriz Ajeti ishte në krye të shumë projekteve hulumtuese e shkencore me afat më të gjatë në kuadër të veprimtarisë shkencore të Institutit Albanologjik, të ASHAK më vonë, të Universitetit të Prishtinës dhe të institucioneve të tjera. Më 1972 në Fakultetin e Filozofisë Idriz Ajeti doli në krye të projektit të studimeve të shkallës së tretë në fushat e gjuhësisë dhe të letërsisë. Më 1974 ai ishte në krye të nismëtarëve për themelimin e Qendrës/ Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare, ku mblidheshin studiues të njohur e të rinj nga mbarë bota. Seminari u bë qendër me rëndësi për daljen e rezultateve të albanologjisë dhe të kulturës shqiptare jashtë, për afirmim të mëtejmë të Kosovës e të botës shqiptare, dhe njëherësh rrugë për të sjellë përvoja, dije, informime e vlera nga bota në mesin tonë. Prishtina ishte bërë një nga qendrat e mëdha albanologjike. Idriz Ajetin e kishim në krye të këtij institucioni gati dy dekada.

Rreth dy dekada Idriz Ajeti qe Shef i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë. Në vitet 1971-1973 Idriz Ajeti ishte Dekan i Fakultetit të Filozofisë, ndërsa në vitet 1973-1975 Rektor i Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1980-1982 qe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më 1975 u themelua Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, që më vonë do të shndërrohet në ASHAK. Idriz Ajeti u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj. Ai shquhet në kuadër të veprimtarisë së Akademisë, në të krye të së cilës ishte në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999. Në vitet ’90 Idriz Ajetin e gjejmë të angazhuar në Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Prishtinë. Ndërsa në vitin 1998 Idriz Ajeti u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një meritë me peshë e veprës së Idriz Ajetit, qëndron në shqipen e tij veçanërisht të bukur, të mbështetur në shprehjen autentike popullore, por të selitur dhe të zgjedhur.

Ne, studentët e Idriz Ajetit, mburremi që patëm fatin të mësonim nga një studiues kështu i rëndësishëm i disiplinave albanologjike, po dhe nga njeriu Idriz Ajeti, të cilin e shquajnë virtytet si maturia, vendosmëria, afërsia, dashamirësia, solidariteti dhe atdhedashuria.

Në rastin e akademik Idriz Ajetit, siç ndodh me krijues veçanërisht të dalluar, mendimi i të tjerëve për vlerën e veprës së tij është krejt i afërt a identik me idenë që ka ai për veprën e vet. Kualitetet e trajtesave të tij shkencore kanë bërë që vepra e tij të radhitet ndër veprat e qëndrueshme të gjuhësisë shqiptare, të radhitet krahas veprave të pak gjuhëtarëve shqiptarë, krahas veprës së Aleksandër Xhuvanit, Mark La Pianës, Selman Rizës, Shaban Demirajt, Mahir Domit – të prira nga vepra e Eqrem Çabejt.

(Ky tekst fillimisht u botua në vëllimin jubilar me vepra të zgjedhura të Idriz Ajetit, të cilin e publikoi Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 2017, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Ajetit).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat