Poetesha Emine S. Hoti na dhuron një buqetë të bukur me vëllimin “Lulet e vendit tim”

Kultura

Poetesha Emine S. Hoti na dhuron një buqetë të bukur me vëllimin “Lulet e vendit tim”

Nga: Viron Kona Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 15:38
Emine S. Hoti

Gjithkush ka kujtime për fëmijërinë, edhe kur ato janë të një jete të bukur,  ku fëmijës i janë plotësuar kushtet dhe ka jetuar në një mjedis të zhvilluar, por edhe atëherë kur ka kaluar një jetë të varfër dhe plotë vështirësi. Të gjitha që kemi kaluar nëpër vite i sjellim ndërmend, të gjitha janë përthithur në atë që quhet kujtesë dhe na shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Natyrisht që kujtimet lidhen edhe me pasionin për t`i treguar apo për t`i shkruar, jo si një mburrje, por sepse ato ekzistojnë në mendje dhe shfaqen, madje, nganjëherë, mjafton një fjalë e vetme apo një episod dhe ato  vërshojnë si lumi kur fryhet dhe zbret rrëmbimthi nga mali. Ato nuk i ndal dot. Kujtimet mund të themi se ngjasojnë me çdo lule, e cila mbinë sa vjen pranvera, ajo lule mund të jetë: edhe manushaqe bukuroshe, edhe trëndafil dashurie, edhe zambakë, por mund të jenë edhe hithër, gjemb apo shkurre. Tek e fundit gjithçka që ndodh, është pjesë përbërëse e vet jetës dhe, si të tilla, kujtimet nuk mund t`i shmangësh, ato vijnë natyrshëm  dhe ti nis e i rrëfen. Kështu lind edhe dëshira për t`ua bërë të njohura kujtimet të tjerëve, ngaqë do të ndash edhe me ata gëzimet apo përjetimet, episodet dhe ngjarjet, dialogët, debatet, bisedat, gjithçka që ty të ka bërë përshtypje e  të cilën edhe të duash ta harrosh nuk e harron dot.

2. Kështu ndodh edhe me shkrimtarët dhe artistët, kështu ndodh edhe me poeten shqiptare-norvegjeze të  nderuarën Emine S. Hoti, e cila vërtetë ka një fëmijëri interesante, të bukur, madje, siç thotë ajo, në fëmijëri jetonte si princeshë, konsiderohej si Kësulëkuqja e përrallave. Por e veçanta e saj nga shumë fëmijë të tjerë, ishte se ajo donte që gjërat e mira, t`i kishin edhe të tjerët, donte  që edhe fëmijët e tjerë, shoqet  e saja të vogla të visheshin me rroba të prera dhe të qepura bukur e  ngjyra - ngjyra, ndaj,  i lutej nënës së saj që, edhe shoqeve t`u qepte dhe t`u falte nga një fustan të bukur. I thoshte gjyshit që, edhe fëmijëve të tjerë t`u çonte gjëra për të ngrënë nga prodhimi i tyre, ata të kishin edhe vezë, edhe djathë e gjalpë, edhe ëmbëlsira; donte që edhe fëmijët e tjerë të kishin dhe të hanin sa më shumë fruta nga prona e saj, ku atje ato bëheshin me bollëk. Por ajo gëzohej që gjyshi i saj i mrekullueshëm, i cili veç që ishte i pasur nga puna e vazhdueshme dhe plot përkushtim, ishte edhe i ditur, edhe zemër gjerë. Ai punësonte njerëzit në pronat e tij, i paguante mirë duke i bërë të interesuar për pronën dhe pasurinë, që edhe ata të fitonin diçka dhe të mendonin më shumë për familjet e tyre duke kuptuar se gjithçka  e mirë arrihet me punë dhe me përpjekje të mëdha.

Gjyshi ishte dhe një burrë i mençur, njëra nga dhomat e tij të mëdha quhej “Oda e gjyshit” ku mblidheshin njerëz të ditur, atdhetarë të shquar, njerëz të ndershëm dhe trima të fshatit, krahinës e atdheu; atje flitej për flamur e atdhe, flitej për trima e trimëresha, për dëshmorë, për legjenda dhe tregime të lashta të popullit shqiptar, flitej me fjalë të zgjedhura dhe të mençura të thëna nga njerëzit e vjetër e të ditur; atje thureshin vargje dhe këndoheshin këngë me lahutë e çifteli, aty ishte historia, por ishte dhe jeta reale e një populli që kërkonte të ishte i lirë, pa shtypës e pushtues, një popull që kërkonte të respektohej në atdheun  tij, ashtu si njeriu në shtëpinë e tij. Aty flitej më së shumti dhe për dëshmorët,  që kishin rënë në luftërat shekullore për liri e pavarësi të Dardanisë. Atje, qendër e bisedave ishte figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenore, atje flitej bukur dhe përmendeshin fjalët e arta: liri, trimëri, besë, çlirim e pavarësi.

Protagonistja  e këtij vëllimi donte që shoqet e saj të mos mbanin ferexhe dhe të mos mbuloheshin, donte që shoqet  e saj të shkolloheshin, të arsimoheshin përherë e më shumë, të fitonin zanate e profesione, por edhe të bëheshin mësuese, të bëheshin agronome dhe inxhiniere, të bëheshin juriste që tu jepnin drejtësi njerëzve dhe të merrnin në mbrojtje të varfrit, ata që shtypeshin dhe që u mohoheshin të drejtat për shkak të pafuqishmërisë. Të gjithë këto nuk mund të mos ndikojnë thellë dhe fort në shpirtin dhe zemrën e  një fëmije, ndaj ajo i ruan fort në një “kuti të florinjtë” dhe kur vjen koha ato shpërthejnë me bukuri dhe dashuri, ato shfaqen si rreze dielli, si përrenjtë që rrjedhin kur dielli shkrin dëborën në pranverë dhe uji zbret nga burimet dhe faqet e maleve e kodrave i pastër, i freskët dhe duke vërshuar e duke i dhënë jetë e gjallëri mjedisit.

3. Kam përpara librin “Lulet e vendit tim” të Emine S. Hotit. Është një libër i vogël, botim i shtëpisë botuese “Erik Hans” Boras, Suedi 2018. Libri ka redaktor shkrimtarin e mirënjohur shqiptar – suedez Hamit Gurguri, ka recensentë dy poet të njohur në Suedi: Sokol Demaku dhe Bahtir Latifi; ka lektor gazetaren e njohur  Ajete Zogaj, ballina është e punuar mjeshtërisht nga Demush R. Avdimetaj, kurse disenji Venera Alshiqi. Një ekip që të nderon  dhe që i shërben me dinjitet këtij libri me vjersha dedikuar për fëmijë. Kam lexuar edhe artikullin për këtë libër të z. Hysen Ibrahimi, publicist i njohur, autor i shumë librave me vlerë, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

E shfletoj vëllimin dhe nuk zhgënjehem. I vogël vërtet, i shkruar thjeshtë, por me mendim të mençur, tërheqës që të bën ta lexosh ashtu si pa kuptuar nga fillimi gjer në fund, por edhe duke medituar. Pra ato çfarë shkruhen atje, na kanë vënë në mendime, ndaj them me vete se kjo është më e rëndësishme për një libër, kur ai të vë në mendime, kur ai të bënë të ballafaqosh edhe ti jetën dhe botën tënde me bëmat e personazheve, episodeve e ngjarjeve të librit, por edhe të ballafaqosh kohët. Libri sikur të nxit që të bësh edhe krahasime, të shfaqësh dhe t`i opinionin për gjërat që sapo ke lexuar, si i mendon e i përfytyron autori personazhet e  tij dhe si i mendon e i përfytyron ti, ai të bënë të hapësh edhe ti “kutinë e florinjtë” apo të argjendtë të kujtimeve të tua, të përjetimeve të tua nga fëmijëria dhe rinia, nga jeta tënde, të sjellësh dhe ti ndërmend mjedisin ku ke lindur dhe ku je rritur, shokët dhe miqtë, familjarët, prindërit, më të dashurit e zemrës, por të sjellësh ndërmend edhe vajzën apo djalin që të ka lënë pagjumë, që ka shkaktuar tek ty rrahje të forta dhe të shpeshta zemre, që ka zgjuar brenda teje disa ndjenja që ti nuk i kishe ditur e përjetuar më parë.

Libri poetik i Emine S. Hotit hapet me poezinë  “Vendlindja ime”, që nis me vargjet: “Sa shumë të dua o vendlindja ime!”/Ti mua përherë më solle gëzime,/Në ty linda-kalova fëmijërinë,/M`i dhe të gjitha-edhe lumturinë”.

Duket qartë që poetesha në mërgim mban në mendjen e saj si shumë të shtrenjtë dhe më të afërt vendlindjen, atje ku ka kujtimet me prindërit dhe familjen, atje ku ka kujtimet e  fëmijërisë dhe të rinisë, atje ku ka nisur të thur ëndrrat më të bukura të jetës, ëndrrat e dashurisë. Poetesha jonë  e ka të qartë konceptin për vendlindjen dhe ajo nuk kërkon asgjë prej saj. Vendlindja për të është atdheu, nëna, babai, familja, gjithçka dhe, ajo, ndaj vendlindjes ndjen vetëm detyrim, i është mirënjohëse gjë që e tregon me vargje: “Edhe pse jeta më përplasi larg teje,/Nga zemra asnjëherë nuk të largova,/Ditë dhe net - përherë jam me ty,/Të desha shumë - të dua gjithnjë.”

Një poezi e bukur dhe kuptimplote kjo për hyrjen e një libri për fëmijë, si një sinjal për të dalluar më të rëndësishmet në jetë, dhe, për t`i pasur si far ndriçues dhe dritë orientuese kudo që të hedh jeta dhe fati. Si për ta përforcuar këtë ide, edhe poezia që vjen më pas, ka thuajse të njëjtën temë. Ajo titullohet “Atdheu” e, ku poetesha dëshiron t`u thotë të gjithëve se “Kosova ime e bukur,/ Në mendje për herë na rri.” Dhe mendja nuk hiqet kollaj nga Kosova. Mendja atje ri, sepse atje janë themelet e Ilirisë dhe të Dardanisë, atje janë gjurmët e stërgjyshërve, të historive të lashta, të vazhdimësisë deri në ditët e sotme. Ndonëse larg, atje në Veriun e ftohtë të Europës, poetja  Hoti e ka atdheun  të parin, atje i shkon mendja, te Kosova, te “Nëna” e bukur dhe vatra e lashtë. Është interesante sesi poetesha jonë me poezitë e saj kalon natyrshëm dhe në mënyrë harmonike nga njëra trevë në tjetrën. Ja, nga Kosova shkon te qyteti afro 2500 vjeçar i Beratit, me kalanë e tij të famshme dhe me shumë histori, por dhe me bukuri e bardhësi, siç kanë qenë dhe janë zemrat e beratasve të urtë, të mençur dhe trima në luftën për liri, ndaj dhe jo më kot ajo shprehet se “Berati,/është qyteti i një mbi një dritareve,/të Shqipërisë”. Por, poetesha vjershëron edhe për Apoloninë e lashtë, duke e identifikuar me emrin “Apolonia e Ilirisë”. E, në vazhdim, me një kalim të butë vjen poezia kushtuar Elbasanit qytetit të “babait” të gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhit, qytetit të mësuesve, të kalasë, të ullishtave, të panaireve...Ndalet në vazhdim te poezia kushtuar shqiponjës, te ky shpend i bukur dhe krenar, me të cilin krenohet çdo shqiptar; vijon me vjershën “Flamuri”, i cili është i pari që na mban të bashkuar fort ne shqiptarëve. Poetesha Hoti di edhe se ku janë rrënjët, që e bëjnë aq të fortë këtë vend, që e mbajnë si një lis, që nuk rrëzohet kurrë. Ndaj ajo vjershëron për dëshmorët, që kanë dhënë jetën për ta vaditur këtë tokë me gjakun  tyre, që ajo të bëhet më e fortë dhe më  e begatë dhe t`i mbijetoi stuhive dhe erërave më të forta, t`i bëj ballë çdo armiku që ka synuar dhe synon pushtimin e atdheut. Dhe, duke shfletuar faqet e vëllimit vijmë te “Kënga e Lirisë” ku autorja  deklamon me një zë të fuqishëm që ta dëgjojnë të gjithë se:  “Asnjëherë nga mendja,/S`mund të të largoj,/Kushtrimin për atdhe,/Kudo që  e dëgjoj.” Me këtë vjershë, ajo sikur  e përgatit lexuesin për vjershën pasardhëse, që tregon se fitorja e lirisë ka një çmim shumë të shtrenjtë, dëshmorët e shumtë të lirisë, pa të cilët ajo nuk do të ishte arritur.

E ndërgjegjshme për pozicionin e saj, poetesha Hoti, sikur do që të lajmëroj lexuesit se adresa e saj është mërgimi, jeta e të cilit është shumë e rëndë, me mall, dhembje e brenga pa fund, por, ndërkaq ajo thekson në mënyrë poetike se ndonëse mërgimi është i vështirë dhe duhet shumë mundime e punë për të mbijetuar, janë edhe disa gjëra të tjera shumë të rëndësishme dhe të pandashme nga jeta  e gjithsecilit: Ruajtja e gjuhës dhe e traditave, zakoneve dhe kulturës sonë.

Pjesa e dytë e librit, nis me rubrikën “Shkolla ime”, e cila hapet me “Gjuha shqipe”, ku autorja u kujton me vargje të bukur lexuesve të vegjël:  “Gjuhë e vjetër,/Gjuhë e artë,/Gjuhë e vlerë,/Gjuhë e bukur,/E shtrenjta,/O gjuha jonë!”

Për poeteshën: “Shqip flet toka,/Shqip flet qielli,/Shqip flet Dielli,/Shqip flet hëna,/Ylberi me ngjyrat,/Flet shqip.” Kështu me këto theks-e, ajo shpreh dashurinë për atdheun, lirinë, flamurin, shkollën, gjuhën shqipe, librin, mësuesin, prindërit...

Pjesa  e tretë e librit hapet me rubrikën “Ëndrrat e fëmijëve” ku autorja vjershëron, së pari për nënën e madhe shqiptare, nënën e të gjitha nënave të botës, Nënë Terezën e famshme. Tema  e kësaj vjershe çel edhe siparin për tema të tjera kushtuar nënave, gjysheve, bijve dhe bijave. Në vazhdim poetesha i konkretizon poezitë te emrat dhe veçoritë e nipërve dhe mbesës; Ja ku shfaqet vjershat për  Lorianin, Bertinën, Edwartin, Alfredin, Ateon e ku në rolin  gjyshes Emine S. Hoti derdh gjithë dashurinë  e saj për vogëlushët, me vargje të thjeshtë në dukje, por me shumë përkushtim e mall, duke e shprehur këtë dashuri në çdo shkronjë e në çdo varg e strofë.

Rubrika tjetër e librit titullohet: “Poezia” ku autorja i ka vënë vetes qëllim të flas dhe të shprehet për artin e poezisë, se çfarë përjeton ajo vetë si krijuese kur i shkruan vargjet, duke e vlerësuar artin e fjalës si magji, si diell, si gjithçka të bukur që e shoqëron njeriun në jetë, në mendjen dhe në veprimet e  tij. Mbyllet bukur vëllimi me rubrikën “Pranvera”, ku poezitë që vijnë radhë shpalosin përpara lexuesit një peizazh të freskët poetik, plot ngjyra dhe bukuri, që të tërheq drejt tij si me magji:  “Natyra kudo gjelbëron,/Bilbilat bukur këndojnë,/Lulet plot aromë,/Kudo kundërmojnë./Bujku ja thotë këngës,/tek hedhë farën e  re,/fëmijëve u qesh fytyra,/tërë shend e hare,/.Pranvera e bukur,/Plot jetë e bukuri,/T`i ngjallë natyrën,/Çdo plak e çdo të ri.”

Poezia pranvera, sikur ka një pjesë të dytë në poezinë tjetër, kur poetesha: “Na sjellë bilbilin,/Dhe këngën e tij,/Dallëndyshen `lejlekun,/Që vijnë një nga një.”  Poetesha Hoti nuk mundet të mos u tregoj lexuesve të vegjël frymëzimin e  saj për vjershën “Dallëndyshja jonë”, e cila pritet, vjen dhe shtegton, por asnjëherë nuk e harron kthimin dhe folenë e saj.

Libri mbyllet me poezinë “Bilbili”, një poezi kjo që  sikur e bënë këtë zog edhe më të bukur në përfytyrimin tonë:  “Shpend i bukur,/Pikalosh,/Erdhe fëmijët,/T`i gëzosh...”

I gjithë vëllimi poetik “Lulet e vendit tim” të Emine S. Hoti është  një përjetim i bukur dhe i këndshëm artistik, i shkruar për fëmijët me një gjuhë të thjeshtë, plot figura letrare. Nën rrezet e diellit dhe pranverës, së bashku me zogjtë, dallëndyshet dhe bilbilat, sikur vallëzojnë edhe metaforat, krahasimet, simbolet, epitetet, të cilat i japin më shumë ngjyrim dhe bukuri vëllimit.

Duke mbyllur faqen e fundit të tij, na duket sikur përpara kemi një  qiell që hapet e ku, në kaltërsinë e tij gjallërojnë zogjtë, poshtë në tokë lulëzojnë lulet, njerëzit lëvizin, punojnë, fëmijët lodrojnë e mësojnë, kurse nata ndrit nga yjet e qiellit, që duken sikur hedhin valle rreth e qark hënës bukuroshe.

Faleminderit poeteshës Hoti për këtë emocion dhe përjetim të këndshëm artistik dhe edukativ, që u vlen jo vetëm fëmijëve, por të gjithë atyre që e lexojnë vëllimin poetik “Lulet e vendit tim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat