Shën Valentini dhe dashuria

Kultura

Shën Valentini dhe dashuria

Nga: ASLLAN  BUSHATI Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 10:02
ASLLAN  BUSHATI

Të paktën ka më shumë se tri mijë vjet që shkruhen e këndohen këngë  për dashurinë si ndjenja më e bukur njerëzore. Kjo shprehet qartë  në librat e hershëm dhe në këngët popullore (folkun)  e shumë popujve që i rezistuan  asimilimit e zhdukjes. Edhe në këngët tona popullore shqiptare , të herëshme e të ditëve të sotme , ndenja e dashurisë është mjaft e fortë  dhe gjurmlënëse. Mbi këtë bazë (traditë),  është mbështetur edhe kënga popullore qytetare, muzika e lehtë dhe shumë zhanre  të  tjera muzikore.

Kurse për Shën Valentinin si simbolizimi dhe mbrojtësi i dashurisë, të paktën  shkruhen e krijohen thënie, anekdoda, poezi, shkrime etj, këto  njëmijë e shtatëqind vitet e fundit. Në Shqipëri komuniste  të E. Hoxhës, ishte herezi ta përmendje emrin ”Shën Valentini”, por mund të pranohej me gjysëm zëri  vetëm “dita e të dashuruarve” duke parafytyruar vetëm një tufë me lule “mimoze” ose një kartolinë. As që mendohej për dreka, darka e aktivitete  muzikore  si sot, sepse partia shtet kishte futur e ligjësuar në jetën e shqiptarëve , datat e veta.

 Unë nuk kam talentin as të shkrimtarit e as të poetit  dhe nuk zotroj mjetet e duhura të të shprehurit  artistik për të dhënë përcaktime  për Shën Valentinin  dhe dashurinë. Por duke qenë se sot është 14 shkurti, i shenjuar në kalendar si dita e të dashuruarve (Shën Valentini), si shumë njerëz të tjerë  në botën shqiptare  e më gjërë, po shpreh disa mendime nga përvoja ime dhe  nga c’kam lexuar e dëgjuar  për këtë temë.

Më përpara martesat (jo vetëm tek ne shqiptarët), kanë qenë objekt interesash dhe shumica nuk kanë patur asnjë lidhje me dashurinë. Kështu kanë vepruar mbretëritë, bajraqet, fiset, shtëpit etj, duke thënë :” kemi zënë një miqësi të mirë, derë fisnike, derë bujare, shtëpi pushke e trimërie, shtëpi e kamur etj etj.

Por dashuria në të vërtetë nuk është interes. Për të ka shumë përkufizime, thënie të qëlluar dhe zbërthime, të cilat vërtetojnë se ajo është ndjenja më e thellë dhe më e bukur  njerëzore  që të jep qetësinë e duhur shpirtërore dhe të motivon për të jetuar me të gjitha të mirat që na rrethojnë. Dashuria është plotësim i shpirtit të boshuar, në ankth ,në  pritje, në  ekstazë, në zemrim, në stres e  trysni,  madje edhe  në rutinën e përditëshme. Pa dashurinë s’do të kishte kuptimin e duhur vetë  jeta, sepse ajo kërkon më së pari të falësh dhe të marrësh dashuri, madje të kujdesesh se mos ajo venitet, dobësohet ose humbet. Humbja e dashurisë është errësirë e madhe dhe boshllëk shpirtëror.

Në gjykimin tim dashuria nuk është gjithnjë në  brendinë e një lidhjeje,( fejese, bashkjetese apo martese). Madje statistikat dhe studiuesit tregojnë se martesa në shumicën e rasteve është vrasëse e dashurisë. Por edhe si e tillë martesa (bashkjetesa), është domosdoshmëri se pa të cilën, ska  riprodhim  të jetës, ska familje si bazë e shoqërisë, ska vijimsi dhe në fund ska edhe dashuri.

Dashuria në një aspekt tjetër, cfaqet edhe si një lidhje  e fortë shpirtërore me prindërit, bashkëshorten, fëmijët, vllezërit , motrat, nipat, mbesat, kushërinjt, gjakun e gjininë, shokët, miqt, kolegët, dashamirët etj. Po ashtu cfaqet edhe për kombin si një forcë e brendëshme  shtytëse për mardhënie të forta e të qëndrueshme  politike, ekonomike, kulturore, etike, estetike, morale, ushtarake, shkencore, sportive etj.

Nuk ka gjë më të keqe për dikë, që nuk dhuron  e nuk pret dashuri. Shpirti i tij i boshtë, ka humbur cdo gjë, përfshi dhe shpresën që thonë se vdes e fundit.

GËZUAR  këtë Shën Valentinin dhe shumë e shumë të tjerë shoqëruar me  një oqean me dashuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat