Kjo është dhurata më e bukur që pranova nga një femër!

Kultura

Kjo është dhurata më e bukur që pranova nga një femër!

Agim A. Hoxha Nga Agim A. Hoxha Më 1 mars 2019 Në ora: 21:53
Dhurata

E Premte, ora 15:30!

I thelluar në biseda të ndryshme socio-ekonomike me një mik timin në një pastiçeri afër sheshit të Prishtinës, papritmas shfaqet një femër rrethë të 50-ve, vendosë në tavolinën tonë një figurë si varëse çelësash (shiko fotografinë) dhe një letër ku shkruante " Ndihmoje shoqatën e shurdhë-memecëve duke blerë varësen 1€ ". Thënë të drejtën për një moment ndaloi koha, ndaloi biseda, ndaloi gjithçka... Ajo vazhdoi të shpërndante nëpër secilën tavoline mesazhin dhe varësen. Kur erdhi tek ne megjithese s'mund të fliste me shenja disi më pyeti " Dëshiron ta blesh? " ndërsa unë me fjalë dhe gjeste i thashë PO dhe e mora me shumë kënaqesi. Fytyra e saj e lodhur nga vështirësitë e jetës edhe pse nuk arrinte të fliste, për një moment u shndërrua e tëra në buzëqeshje, buzëqeshje më të bukur ende skam parë... Edhe pse jam mentalisht i fortë, rrugës për tek stacioni i autobusëve e shikoja varësen dhe padashje më tradhtuan lotët... Nëna ime para 6 viteve kishte gjakderdhje në tru dhe pas operacionit ka vështirësi në të folur, sa herë shohë ndonjë grua të moshuar e shohë edhe nënën time, e bashkëndjeva jetën e asaj gruaje dhe e imagjinova përballjen e saj për gjithë ato vite, vështirësitë dhe pamundësinë për tu shprehur që nga lindja!

Në anën tjetër, gjërat ndodhën aq shpejtë sa që nuk arrita të siguroj asnjë informacion apo adresë me qëllim që t'i dalim në ndihmë shoqatës përmes mediave, komunës ose njerëzve të vullnetit të mirë qoftë duke blerë produktet që shet kjo shoqatë, pa anashkaluar shoqatat tjera që shesin produkte dhe ngrisin fondet e tyre, marrë parasysh sfidat ekonomike dhe papunësinë nëpër të cilat është duke kaluar shoqëria kosovare.

Imagjinojeni, në planetin tonë me 7.5 miliard banorë, ka njerëz që kanë plotë gjëra e rrëfime për të treguar për jetërat e tyre por që nuk mund të flasin dhe ka njerëz si ne që flasim por jemi të varfër për nga fjalët sepse fatkeqësisht ato nuk po ndihmojnë, jemi të shurdhër për nga veshët edhe pse dëgjojmë por jo edhe hallet e njerëzve dhe të verbër edhe pse shohim por nuk shohim me çka përballen njerëzit e varfër dhe njerëzit me nevoja të veçanta në sfidat e tyre të përditshme, zemrat tona jane shndërruar në hekur, kërkohet shumë kohë, shumë energji dhe shumë zjarrë që të ngjallen, ngjajshëm si farkëtari kur e përpunon hekurin në zjarrë.

Buzëqeshja e asaj gruaje ishte aq e sinqertë me gjithë qenien e saj dhe aq origjinale sa që do të qëndrojë gjatë në kujtesën time ndërsa varësen me atë figurën e buzëqeshur do ta ruaj si motiv në jetën time me një mesazh të bukur që e mësova: " Sado e vështirë të jetë jeta, mos harro se dikush e ka më të vështirë se ti, prandaj, ndihmo me aq sa ke mundësi, mos nënvlerëso veprën e mirë sado e vogël ose simbolike që të duket, dhe bëhu i dobishëm për shoqërinë duke i'a rikthyer buzëqeshjen dhe shpresën njerëzve ".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat