Filarmonia e Kosovës sot sjell kujtimet për të pagjeturit

Kultura

Filarmonia e Kosovës sot sjell kujtimet për të pagjeturit

Më: 3 mars 2019 Në ora: 15:25
Foto ilustruese

Kësaj radhe, kujtimet e familjarëve do të bëhen bashkë me veprën e Arvo Part-it, në interpretim të Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

Koncerti i sontëm me dirigjentin amerikan Gregory Charette, pritet të jetë më i veçantë se asnjëherë me parë. E kjo për shkak të video-ekspozitës me familjarët e personave të pagjetur.

Interpretimi i veprës “Fratres” nga Arvo Part, nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës do bëhet një me fotografitë e familjarëve të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, projekt ky i realizuar nga Integra në bashkëpunim me forumZDF.

Regjisori Kushtrim Koliqi, drejtor në organizatën “Integra” tha se përmes kësaj ekspozite po tregojnë që të gjitha nivelet e shoqërisë janë të brengosur për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur në Kosovë.

“Çështjen e të pagjeturve nuk duam ta lëmë vetëm në nivel të politik-bërjes, por edhe ta trajtojmë edhe përmes artit, artit të fotografisë, artit të videos, regjisë, në këtë rast artit të muzikës. Jam shumë i kënaqur edhe me përzgjedhjen e veprës edhe me provat që i pash e i dëgjova, dhe të njëjtën kohë jam shumë i kënaqur që kjo kauzë po trajtohet edhe prej një institucioni kredibil siç është Filarmonia e Kosovës. Po japim shenjë që të gjitha nivelet e shoqërisë, të gjitha profileve jemi të brengosur me çështjen e të pagjeturve dhe është një kambanë e madhe për të gjithë ata që bëjnë politikë, por duhet me marrë vendime që me u marrë më shumë me çështjen e të pagjeturve”, tha ai.

Në një konferencë për media, drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari shpalosi detaje të koncertit që do të mbahet këtë të diele.

“Koncerti do të fillojë me një video ekspozitë dhe krahas këtij momenti, orkestra harkore e filarmonisë do të luajë veprën emblematike të kompozitorit estonez Arvo Part e cila muzikë besojmë do të bëhet një, bashkë me video projeksionin, ku do të përjetojmë momente jo të lehta lidhur me të pagjeturit”, tha ai.

Në program është koncerti për orkestër të kompozitorit Paul Creston ku në cilësinë e solistit prezantohet Dardan Gjinolli, ndërsa në pjesë ne dytë të programit orkestra e madhe simfonike e Filarmonisë së Kosovës do të realizojë veprën mjaft të popullarizuar të kompozitorit dhe dirigjentit Leonard Bernstein, e titulluar “Vallet simfonike nga tregimet e perëndimit”.

Gjinolli bëri të ditur që Paul Creston po luhet për herë të parë në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat