Shqipëria është pushtuar nga mushkonja cece

Kultura

Shqipëria është pushtuar nga mushkonja cece

Nga: Gëzim Allaraj Më: 6 mars 2019 Në ora: 12:15
Gëzim Allaraj

Është pikërisht koha dhe momenti kur në Kuvendin e vendit tim në institucionin më të lartë të Përfaqësuesve të Popullit disa deputetë të opozitës parlamentare iu drejtuan qytetarëve dhe kryeministrit se në jug-perëndim të vendit është filmuar një avion i vogël i ngelur në rërë dhe se shpesh po vërehen avionë të tillë që fluturojnë në ato zona, dhe nga ana e deputetëve të opozitës parlamentare u shfaqen dyshime dhe jo vetëm se po ushtrohet aktivitet kriminal. Pas këtij momenti reagoi kryeministri i vendit tim që me cilësinë e një burrështetasi që e karakterizon deklaroi “nuk janë avionë janë mushkonja”.

Ky qe vendi dhe momenti kur kryeministri bëri zbulimin e parë për ardhjen e mushkonjave në vendin tonë. Këtë zbulim të madh patjetër do ta thoshte në vendin me serioz të vendit tonë në Kuvendin e Përfaqësuesve të Popullit ku të gjithë qytetaret e sidomos fshatarët e vendit tim i kanë sytë, mendjen si institucion prej të cilit varet zhvillimi dhe ardhmëria e vendit. Për shkak të qytetarisë, qetësisë dhe fjalëmaturisë që e karakterizon ai tha vetëm kaq: “janë mushkonja”.

Ndoshta kishte dhe arsye të tjera për të mos e thënë se për cilën mushkonjë bëhej fjalë. I dashuruar pakufi dhe dhembshurisht me njerëzit e thjeshtë të vendit ose ia rezervoi publikut njerëzor që lajmi i kobshëm kombëtar të mos dilte nga goja e tij ose fjala iu ndërpre në grykë. Por për kryeministrin tonë që është punë shumë dhe fjalëpak çdo gjë që thotë mbahen shënime nga studiuesit, ekspertët e të gjitha fushave dhe nga gazetarët për të mos shpëtuar asnjë fjalë e kryeministrit meqë flet pak dhe jep të dhëna shkencore ose pasuron fjalorin me fjalë të rralla të leksikut të gjuhës amtare. Për këto të fundit gazetarët e politikes kanë blerë një kazan unik vetëm për fjalët kryeministrore (nuk deklarohet teknologjia e përpunimit të fjalëve kryeministrore të këtij kazani). Në krye të këtij kazani qëndron shprehja frazeologjike kryeministrore “ti gruas time i ha .....”, kjo si shprehje e rrallë që nuk e përdor asnjë burrë i vendit tim as në fshatrat më të thella e të prapambetura, (kësisoj meqë është në krye të këtij kazani ky kazan vizitohet dhe pëlqehet nga mizat masivisht, pulat në mëngjes dhe nuk mungojnë dhe zagarët).

Pas këtij pohimi të rëndësishëm të kryeministrit si zbulim i llojit të parë filloi puna kërkimore dhe shkencore dhe për disa muaj kërkime intensive u ftuan dhe ekspertë të vendeve mike. Gjatë periudhës hulumtuese mbi mushkonjat dhe llojin e saj kryeministri foli vetëm njëherë para njerëzve pas pyetjeve bombarduese ndaj tij: A ka mushkonja? Ai u përgjigj: Miza ka por s’ka specialistë. Ajo që bëri shumë jehonë jo vetëm evropiane por dhe ndërkombëtare që erdhi nga puna kërkimore shkencore ishte konkluzioni përfundimtar i ekspertëve: zbulimi i kryeministror është i vërtetë dhe se vendin tonë tashme e ka populluar mushkonja cece. Në vazhdim të artikujve mbi mushkonjën cece hulumtuesit zbuluan se kjo mushkonjë për specifikat e vendit tonë është e rrezikshme për popullatën sidomos për popullatën ku ka burime ujore të pakta (pasi dihet se mushkonja cece pëlqen dhe ambientohet në vende të shkreta pa ujë si shkretëtira e Saharasë etj.) dhe është pak e rrezikshme për politikanët si qenie me imunitet. Në lidhje me politikanët e majtë u këshillua se ato mund të sulmohen, pickohen nga ana e djathtë e trupit, të djathtët mund të sulmohen nga ana e majtë ndërsa politikanet e qendrës mund të sulmohen nga të gjitha anët. Në lidhje me këtë këshillën e fundit për politikanet pati debate të shumta prandaj një ekip fiziologësh të Fondacionit për Shoqërinë e Mbyllur po bëjnë studime se si mund të shpëtojnë nga pickimi politikanët e djathtë dhe të majte pasi të qendrës këtu mungojnë fare. Pasi studiuan gjakun dhe genet e politikanëve nga analizat laboratorike doli një e dhënë tjetër që politikanët tonë kanë disa gene të ngjashme me mizën cece prandaj ajo nuk preferon ti pickojë sipas dukurisë fiziko-magnetike.

Dhe konkluzioni tjetër mbi mushkonjën cece nxjerr nga hulumtuesit është se kjo mushkonjë ka gjetur terren në vendin tonë për shkak të ngrohjes globale dhe thatësirës së shkaktuar në vendin tonë nga HEC-et që janë foletë kryesore të mushkonjës thatësire-dashëse cece.

Por le të kalojmë tek ana shtetërore e problemit. Kryeministri jonë është çdo ditë në terren në kontakt me njerëzit e thjeshtë si kategori shumicë dhe pa asnjë imunitet nga pickimi, duke iu qëndruar pranë dhe këshilluar.

Ai i këshillon njerëzit që të rrinë sa më larg mushkonjave cece dhe se mund të shikojnë mundësinë për tu larguar në vende më të sigurta nga mushkonjat si vendet Nordike e sidomos Gjermania. Edhe pse është larguar rreth gjysëm milion banorë kryeministri është i pakënaqur.

Ai dëshiron të ikin sa më shumë vetëm të shpëtojmë nga mushkonja cece(unë kam mendim të kundërt , them që mushkonja cece ta largojmë deri sa të shkojë në vend origjinë).

Pra kryeministri rri fare pak në zyrë. Dhe kur rri në zyrë pret po kon-cece-sionarët. Kjo është një fjalë e re që ka hyrë në vendin tonë pas ardhjes së mushkonjës cece. Kon-cece-sionarët janë kompani që kujdesen për të mirën publike kundër të keqes më të madhe që është cece-zimi i vendit nga mushkonjat prandaj u quajtën kon-cece-sionarë. Kështu meqë kryeministri është thuajse çdo ditë në terren duke u kujdesur për njerëzit thuajse të gjitha punët e shtetit që duhet ti bëjë shteti u’a ka deleguar kon-cece-sionarëve­ si shpëtimtarët e publikës. Si pasoje fjala Republikë nuk ka më kuptim dhe thuajse nuk përdoret dhe është zëvendësuar me fjalën PPP.

Kjo është shoqëruar nën kujdesin kryeministror dhe me mos ekspozimin e Stemës së Republikës në asnjë zyrë shtetërorë dhe kuptohet në dobi të së mirës publike, dhe kjo më duket e drejtë sepse kur e çmon të drejtë çdokush në këtë vend, unë nuk mund të jem i vetëm që ta kundërshtoj, edhe pse në nenin 268 te K.P. dhe në nenin 14/3 të Kushtetutës kërkohet ekspozimi i Stemës së Republikës ne çdo zyre shtetërore. Por ç’rëndësi ka se ç’thotë Kushtetuta kur mushkonja cece ka hyrë dhe në zyrat e Gjykatës Kushtetuese. Dhe në fund të fundit pas gjithë këtij kaosi shumë dimensional u detyrova të pyes një cecelog për mushkonjën cece.

“Shiko, -me tha,- është gjallesa më vdekjeprurëse në planet për njerëzimin pra kryeson, e pastaj njeriu me luftëra etj., radhitet në vend të dytë ajo të pickon në fillim të vë në gjumë dhe pastaj të çon drejt shkatërrimit”. Pastaj vazhdoi edhe mund të t’a ilustroj me një shembull. Është njësoj sikur kryetarët e partive këtu tek ne që të ofrojnë një teser partie duke të të ndrydh vullnetin, të shkatërron mprehtësinë e gjykimit, të rrëmben lirinë, pra të vë në gjumë për të shkatërruar, ti do ta ndjekësh verbërisht e marrëzisht deri instinktivisht dhe aprovosh çdo veprim apo vendim që merr ai atje lart deri kundra teje, por ty të ka lënë një fushë-beteje, në fund të honit ku të ka shpjerë ai kënaqet nga përballja jote me llojin tënd tek grupi politik tjetër. Ai atje lart merr të gjitha vendimet e mëdha ka plotësisht në dorë fatin tënd të sotëm dhe të ardhmërisë.

I zhveshur nga shumë cilësi si qenie njerëzore ti do ti nënshtrohesh atij ashtu sikurse organizimi i njeriut varësisë se helmit të mushkonjës cece pasi ajo e ka pickuar njeriun.

Gëzim Allaraj, Kryetar i Unionit të Juristëve të Pavarur të Shqipërisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat