Veçori raciale të shqiptarëve, sipas Faik Konicës

Kultura

Veçori raciale të shqiptarëve, sipas Faik Konicës

Më: 11 mars 2019 Në ora: 19:53
Faik Konica

Cilat do të kenë qenë kushtet e Evropës në kohët parahistorike, sot kudo në Evropë, e sidomos në Evropën Qendrore, kemi një lëmsh racash që nuk u gjendet filli. Mjafton të hedhim një shikim mbi një hartë ku tregohen lëvizjet e njohura të popujve të Evropës gjatë shtatë ose tetë shekujve të erës kristiane dhe do të na hiqet nga koka çdo ide në lidhje me qëndrueshmërinë fisnore ose “pastërtinë raciale”. Evropa ka qenë një kazan i vërtetë në vlim e sipër; nga ky kazan shpeshherë mund të kenë dalë gjëra fare të ndryshme nga ato që futeshin brenda”. Dhe më poshtë shton: “nuk ekziston sot gjëkundi ndonjë grup njerëzor, i cili mund t’i përgjigjet plotësisht ndonjë nënlloji frymor, përderisa nënllojet e ndryshme zanafillëse janë kryqëzuar vazhdimisht dhe pa pushim”. Për popullatat ekzistuese do të përdorim termin “grup etnik”.

Nga ana tjetër, një personalitet i njohur i shkencës, Profesori Eugène Pittard, i përmbahet fjalës “racë” me atë kuptim që i jep publiku i gjerë dhe flet si me tallje për “bizantini shkencor”.

Nuk ka pikë dyshimi se profesorët Huxley dhe Haddon kanë të drejtë, por një ndryshim i etikës (termit) nuk ka për ta vënë në rrugë të drejtë atë prirje të menduari që ka publiku i gjerë. Brenda pak vjetësh edhe fjala “grup etnik” do të vuajë nga i njëjti keqpërdorim që ka pësuar fjala “racë”.
 

Vërejtjet e mësipërme i bëra sa për të treguar se jam i vetëdijshëm në ç’pyll të shtie fjala “racë”. Megjithatë do ta përdor atë në kuptimin e rëndomtë. Me fjalët “racë shqiptare” unë nuk kuptoj ndonjë nënlloj biologjik, që formon ndonjë njësi të veçantë në llojin njerëzor. Me fjalët “racë shqiptare” shënoj një grup njerëzish, të cilët, meqë kanë jetuar së bashku për qindra vjet me radhë, duke folur të njëjtën gjuhë dhe duke jetuar të veçuar nga të tjerët, duke lidhur martesa ndërmjet tyre, deri në ditët tona kanë luftuar kundër popullatave të huaja pushtuese dhe paraqesin disa tipare të përbashkëta të pamohueshme, si nga ana fizike e jashtme ashtu dhe nga temperamenti.

Në Shqipëri takojmë dy tipa: njeriun trupgjatë, me sy të çeltë dhe me flokë gështenjë të hapur dhe njeriun e shkurtër me sy dhe flokë të errët. Këta dy tipa nuk ndodhen të kufizuar vetëm në disa zona gjeografike, por mund t’i shohim kudo në Shqipëri. Për shembull, ezmeri i shkurtër mund të takohet si në krahinën veriore të Mirditës ashtu dhe në Jug, në Labëri; edhe tipi biond mund të gjendet në të dy pikat e skajshme të vendit. Pra të dy tipat janë të shpërndarë kudo në Shqipëri. E tërë popullsia në tërësi ka karakteristika të përbashkëta. Kokën e kanë të shtypur në pjesën e prapme, shalët të gjata dhe qafën e këmbës të lartë. Kanë lëkurë të bardhë, por, meqë mbajnë kësula pa strehë, fytyra u nxihet shumë nga dielli; po ashtu dhe duart. Në fillim ke përshtypjen se janë ezmerë, por çdo dyshim të largohet kur i sheh duke u larë në det, në lumë ose në liqen. Pjesa e përparme e kokës është e lartë, goja e vogël, dhëmbët i kanë të rregullt, por u prishen shpejt; hundën, përgjithësisht të drejtë, por aty- këtu, në Verilindje, vërehen tipa me hundë të kërrusur (akuiline).

Zërin, zakonisht, e kanë të toneve të larta, ka fare pak kontralto dhe baritonë. Zëri i basit, i quajtur në gjuhën e popullit “zë gomari”, është kaq i rrallë, saqë prania e tij në ndonjë shesh krijon sensacion. Në vitin 1913 kishte ardhur në Durrës një malësor, që kishte një zë të thellë kumbues dhe njerëzia mblidheshin te një kafe për të dëgjuar të folurit dhe të qeshurit e tij. Shqiptarët janë truphollë; njerëzit e shëndoshë janë të rrallë; unë gjatë pesëdhjetë vjetëve, nuk kam mundur të takoj më shumë se pesë a gjashtë burra e gra që mund të quheshin vërtetë barkmëdhenj.
 

Ky përshkrim i shkurtër është i një vëzhguesi të kujdesshëm dhe jo i një shkencëtari. Kam udhëtuar për një kohë të gjatë nëpër Shqipëri, kam takuar njerëz të ndryshëm nga çdo krahinë dhe konsiderohem një vrojtues i hollë. Megjithatë nevojitet një studim i gjithanshëm, i bërë nga një antropolog kompetent. A është bërë deri tani një studim i tillë? Kur dëgjoj se dikush paska bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka mbledhur të dhëna antropologjike, unë zakonisht hesht, për t’u dukur i njerëzishëm: por nganjëherë qëllon që bëhem i panjerëzishëm dhe, të shumtën e rasteve, nuk mund ta përmbaj të qeshurit. Shqipëria ka një popullsi të rrallë dhe secili e merr vesh çfarë ka ngrënë tjetri për drekë; sidomos lëvizjet dhe punët e të huajve merren vesh me të tëra hollësitë. Deri tani, me përjashtim të njërit, asnjë shkencëtar ose studiues i huaj nuk ka mundur të bëjë matje në stil të gjerë ose punë të tjera të kësaj natyre në Shqipëri. Këtë do ta vështirësonte shumë qëndrimi i rezervuar i popullsisë, sidomos kur ka të bëjë me të huaj. Vështirësia kthehet në pamundësi kur ke të bësh me malësorë, që nuk durojnë të vihen në dispozicion të të huajit për t’u matur e shmatur. Ja çfarë mund të ngjasë; një profesor ose studiues shkon në Shqipëri, viziton dy a tre qytete a fshat, vëzhgon popullsinë ashtu rastësisht, ia mbush mendjen me të holla ndonjë jevgu për t’i bërë matjet që i duhen dhe me nxitim të madh kthehet pastaj në vendin e vet, për t’i shpallur zbulimet e veta të mrekullueshme. Por, sikundër thashë më lart, kemi një përjashtim që meriton të përmendet. Nja pesëmbëdhjetë vjet para Luftës Botërore, pasi siguroi kushtet më të favorshme për punë, erdhi në Shqipëri Dr. Paul Traeger, antropolog nga Berlini. Kishte marrë me vete rekomandime të shumta për autoritetet turke në Shqipëri; këto rekomandime ia kishte dhënë vetë ambasadori i Sulltanit në Berlin. Ishte i rekomanduar edhe nga konsullatat austro-hungareze, të cilat në atë kohë ushtronin ndikim të madh në Shqipëri. Më në fund, çka nuk ishte më e paktë se rekomandimet që përmendëm më lart, u lidh me personalitete shqiptare dhe me përfaqësues të klerit. Dr. Paul Treager bëri vizita të gjata nëpër Shqipëri dhe i hyri në zemër popullsisë me natyrën e tij të mirë dhe të thjeshtë, duke frekuentuar dasma, mbledhje, festa dhe duke iu përshtatur kurdoherë vendit. Shqiptarët filluan ta quajnë si njeri të çuditshëm por të patëkeq, i cili kishte maninë t’u maste kafkat dhe të mbante shënime për këto matje. Pasi u kthye në Gjermani, si kishte matur disa mijëra njerëz nga Veriu në Jug, Dr. Paul Treager nxori si përfundim të vëzhgimeve të veta se shqiptarët në tërësi janë një grup racial homogjen.

Do të shtoj se, mbas Dr. Treagerit, Profesor Pittard-i është i vetmi që meriton t’i dëgjohet fjala. Po ashtu si Dr. Treagerit edhe Dr. Pittard-it i bëri përshtypje homogjeniteti relativ i shqiptarëve. “Është e vështirë – thotë ai – të gjendet ndonjë racë që t’i ketë të përvijuara kaq me qartësi karakteristikat e kafkës”.

Në vitin 1911, një shkencëtar amerikan, Dr. Daniel Folmar, i asistuar nga Dr. Eleonora C. Folkmar, qe ngarkuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara të bënte një raport, ku të jepeshin të dhëna, sipas radhës alfabetike, për të gjitha racat që binin në kontakt me autoritetet e emigracionit të Amerikës.

 

Duke u mbështetur kryesisht në studimet e Dr. Paul Traegerit, Dr. Folkmari tha këto fjalë për racën shqiptare:

“Albanian (në gjuhën e tyre skipetar, emri i vjetër Illyrian (ilirë F.L), të quajtur nga turqit arnaut). Raca vendëse e hershme ose populli i Shqipërisë ose i Turqisë Perëndimore. Ndryshe nga shumë të ashtuquajtura “raca evropiane”, kjo është një racë që dallohet edhe fizikisht, e jo vetëm nga pikëpamja gjuhësore. Ka popullsi më të vogël se çdo vend tjetër arian i Evropës dhe nuk është parë ndonjëherë në listat e emigracionit”.

Duhet uruar që kërkimet e Dr. Paul Treagerit të vazhdohen në një shkallë më të gjerë nga ndonjë antropolog kompetent që merret seriozisht me këtë shkencë. Tani puna do të ishte më e lehtë, meqë në Shqipëri ekziston shërbimi ushtarak i detyrueshëm dhe çdo vit rekrutët e rinj mblidhen nëpër qendra të caktuara për të kaluar në kontroll mjekësor. Duke u mbështetur në të dhënat ekzistuese shkencëtarët i kanë klasifikuar shqiptarët si “racë adriatike” e tani vonë i kanë quajtur “racë dinarike”. Kjo racë përfshin popujt e Evropës nga Svicra deri në Jug të Shqipërisë dhe e merr emrin nga vargmalet Dinarike: Antropologët e kanë klasifikuar këtë grup si brakiqefal, që do të thotë individ me kokë zakonisht të rrumbullakët dhe të shkurtër.

II

Nga pikëpamja historike shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve, zënë vendin e dikurshëm të këtyre dhe flasin gjuhën e tyre. Këtu duhet të sqarohen tri çështje.

Që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe flasin gjuhën e tyre, është pohuar shumë herë. Megjithatë, për arsye thjesht politike dhe jo historike as filologjike, ndonjëherë kjo e vërtetë është mohuar. Këtu nuk është fjala për vendbanimin e ilirëve. Megjithëse edhe kjo çështje është vënë në dyshim ndonjëherë, prapëseprapë asnjë “shkencëtar” nuk ka shkuar aq larg sa të shpikë një teori për ndonjë kataklizëm gjeologjik, që të ketë hedhur në det Ilirinë e vjetër dhe të ketë nxjerrë në dritë një tokë të re në vend të saj. Prandaj ne do të shqyrtojmë vetëm çështjen e prejardhjes dhe të gjuhës.

Siç dihet nga të gjithë, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në vende të ndryshme filloi një lëvizje për ringjalljen e frymës kombëtare, lëvizje me anë diskutimesh, sulmesh, e përpjekjesh me armë. Kur dy kombësi hynin në përpjekje e në konflikt njëra me tjetrën, nuk linin argument pa shfrytëzuar në dëm të kundërshtarit, dhe si një nga argumentet më të forta paraqitej e ashtuquajtura “e drejtë historike” e një kombësie kundër një tjetre. Fakti që shkencëtarët ishin të mendimit që shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, kanë pasur dikur pjesën më të madhe të Evropës Juglindore, ishte diçka e padurueshme si kripa në sy për sllavët. Nëse shqiptarët kishin zënë dikur dhe kishin ende në zotërim toka të banuara sot prej sllavëve, do të thoshte se ata kishin të drejta zotërimi jo vetëm mbi tokat e banuara vetëm nga shqiptarë, por edhe mbi ato toka ku popullsia shqiptare ishte përzier me sllavët. Prandaj ishte diçka me rëndësi të dorës së parë për sllavët e jugut që të ngjallnin dyshime për mendimin e shkencëtarëve se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe madje përpiqeshin ta rrëzonin fare këtë mendim. Por deri ku arriti të korrte sukses një ndërmarrje e tillë?

Disa filologë dritëshkurtër, ashtu si padashur e në mënyrë të pavetëdijshme, u erdhën në ndihmë sllavëve të jugut. Ndër mbishkrimet e shumta joitalike, që u kanë shpëtuar shkatërrimeve të kohës, është edhe një koleksion i mirë dokumentesh në formë lapidarësh, të cilët janë zbuluar në provincën e Venedikut. Pa asnjë arsye të drejtë objektive, dikush u shpreh se ato mbishkrime venedikase ishin ilire dhe fill pas kësaj specialistët e gjuhës shqipe filluan të bëjnë krahasime në mes shqipes dhe gjuhës së mbishkrimeve në fjalë. Nuk gjetën asgjë të përbashkët në mes të dy gjuhëve. Në atë kohë shkencëtarët besonin me naivitet se gjuha dhe raca janë dy gjëra të njëjta (identike). Edhe po të supozoheshin si ilire ato mbishkrime venedikase, kjo nuk do të provonte asgjë për lidhjet raciale të shqiptarëve me ilirët. Ata dijetarë nuk janë kujtuar kurrë se bartja e një gjuhe nga një vend në një tjetër është diçka e zakonshme; shembuj të tillë mund të sillen pikërisht nga faqet e librave të tyre. Si shembull le të sjellim një fakt: popullsia e Galisë braktisi përdorimin e keltishtes dhe të gjuhës gjermane të pushtuesve të vjetër teutonë dhe mori latinishten si gjuhë kombëtare. A mos vallë u bë italike popullsia keltë dhe teutone e Francës dhe a thua i humbi të gjitha lidhjet raciale me trungun e saj të vjetër? Dhe, duke zbritur deri në ditët tona, pyesim: popullsia zezake e Afrikës paska pushuar së qeni afrikane, meqë ka si gjuhë të vetme anglishten?

Pas do kohe hynë në diskutim etnologët; filologët erdhën në vete dhe hoqën dorë nga qëndrimi i tyre joshkencor. Jo vetëm që nuk u fol më për lidhjet në mes gjuhës dhe racës, por u tha se karakteri ilir i mbishkrimeve venedikase ishte fund e krye një trillim. Si provë për këtë vlen botimi i fundit i mbishkrimeve të lartpërmendura nga dy shkencëtarë të shquar anglezë; mbishkrimet nuk quhen më ilire por u është vënë emri jokomprometues “venedikase”, sipas vendit ku u zbuluan.

Arsyeja e do që kur krahasohen dy gjëra duhet t’i kesh të dyja parasysh. Shqiptarët kanë në dorë shumë tekste në gjuhën shqipe, po ku ta gjesh, sikur edhe një tekst të vetëm, të jetë me të vërtetë ilir? Nuk vlen këtu rrugëdalja që gjeti ai majmuni i përrallës mesjetare, që kur deshi të hante mish pule një të premte tha: “Unë po të pagëzoj peshk, në emër të Atit, të Birit etj”. Kjo është një lojë e bukur, por jo serioze për diskutime filologjike. Nuk është diçka e pamundur që gjuha shqipe, siç e ka menduar një dijetar anglez, të jetë “një gjuhë pushtuesish fitimtarë” që iu imponua popullsisë ilire. Por edhe kështu mbetet pa u provuar ekzistenca e këtyre pushtuesve të supozuar. Dhe kjo nuk është e mjaftueshme: duhet treguar nga kanë ardhur këta pushtues, përse nuk kanë lënë asnjë gjurmë pas vetes, kur e kanë arritur kulmin e fuqisë së tyre. Të heqësh dorë nga diçka e përafërt dhe e drejtë në favor të diçkaje që duket e pamundur, është një qëndrim prej diletanti dhe jo dijetari me formim shkencor.

Përsa i takon lidhjes së shqiptarëve me ilirët, shpeshherë harrohet se banorët e Ilirisë jo vetëm që kundërshtuan çdo kryqëzim me elementë të huaj, por edhe atëherë kur një pjesë e popullsisë u shkatërrua nga pushtimi romak, ata që erdhën e zunë përsëri vendet e mbetura bosh, qenë gjithashtu ilirë të zbritur nga krahinat e hinterlandit. Iliria e vogël nuk ishte e rrethuar nga kombësi heterogjene, por nga popullata të një trungu; vargjet e maleve e mbronin atë jo vetëm nga pushtimi romak, por edhe nga valët e njëpasnjëshme të pushtuesve gotë, hunë e sllavë. Kjo gjë duket se është pranuar më në fund edhe nga kundërshtarët më kokëfortë të një fakti kaq të qartë dhe tani dëgjojmë kudo, si teori të pranuar përgjithësisht, se shqiptarët janë pasardhësit e dardanëve, që janë një fis ilir. me fjalë të tjera këta dijetarë pranojnë diçka analoge me pohimin se një farë grupi etnik nuk rrjedh prej anglezëve, por prej jorkshirasve ose prej devonianëve. Ne mbetemi të kënaqur me këtë pranim të heshtur të gabimit.

III

Shqiptarët formojnë një popullsi kompakte, homogjene, që flet të njëjtën gjuhë nga njeri skaj i vendit tek tjetri. Ka, sigurisht, edhe një pakicë elementësh heterogjenë, që përbëjnë katër ose pesë për qind të popullsisë së përgjithshme. Vllahët, të quajtur më tepër kucovllahë, për t’i dalluar nga vllahët e Rumanisë, formojnë një grup prej rreth njëzet mijë vetash dhe flasin një gjuhë të afërt me rumanishten. Kjo popullatë nuk ka gëzuar asnjëherë nam të mirë. Një shkrimtar grek i shekullit të njëmbëdhjetë, Kekaumenos, i cili ishte guvernator i Bizantit në krahinën bizantine të Thesalisë, në një libër porosish të shkruar për të bijtë, i porosit me këmbëngulje këta të fundit që të mos ua kenë besën vllahëve: “Po tërheq vëmendjen tuaj dhe të pasardhësve tuaj në lidhje me faktet që vijojnë. Kombësia e vllahëve është deri në palcë tradhtare dhe e korruptuar, nuk ia mbajnë besën as Zotit as Perandorit, as farefisit, as mikut… gjithmonë vjedhin dhe gënjejnë… nuk i duhet besuar asnjërit prej tyre… prandaj unë ju porosit që të mos i besoni kurrë, edhe atëherë kur ndonjë kryengritës nga ata nënshtrohet dhe ju premton dashuri dhe besnikëri, duke thirrur Zotin si dëshmitar të sinqeritetit të vet, as në këtë rast mos ua kini besën… Nëse do të sjellin gratë dhe fëmijët pranë kështjellës, i lejoni këta të hyjnë, por burrat mos i pranoni brenda mureve. Dhe nëse burrat do të kërkojnë të futen në kala për t’u takuar me familjet e tyre, lejoni të hyjnë vetëm dy ose tre prej tyre; vetëm pasi të dalin këta, lejoni të futen dy ose tre të tjerë, e kështu me radhë veproni me të gjithë. Muret dhe dyert mbajini të mbyllura mirë. Po të veproni kështu do të jeni të shpëtuar, nëse do t’i lejoni ata të futen në sasi të madhe, të shohin familjet e tyre, ata do të tradhtojnë kalanë dhe do t’ju shtypin fare. Atëherë juve do t’ju bien në mend këshillat e mia”. Kekaumenosi ishte pa dyshim i sinqertë: libri i tij nuk ishte destinuar për botim; ishte më tepër një përmbledhje këshillash për të bijtë, njëfarë testamenti politik dhe moral për t’u ruajtur në arkivin e familjes. Porse ky fajësim që i bëhet një grupi racional në tërësi duhet pranuar me shumë rezerva. Kekaumenosi ishte një guvernator bizantin, i ngarkuar për të sunduar një popull të huaj dhe përshtypjet e tij mund të tregojnë fare bukur se kucovllahët e Thesalisë ishin kundërshtarë të sundimit të Bizantit.

Në krahinën e Gjirokastrës ka disa mijëra fshatarë që flasin greqisht. Ata banojnë në një lokalitet të quajtur Dropull. Ata nuk janë, siç mund të mendojë ndokush, shqiptarë të greqizuar, por janë grekë të ardhur nga Greqia në vitet e fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. U sollën aty, si krahë pune në bujqësi, nga shqiptarët që kishin prona si në Shqipëri të Jugut ashtu dhe në Veri të Shqipërisë. këta pronarë kishin nevojë për punëtorë të lëvizshëm, për t’i dërguar aty ku i lypte nevoja.

Elementët e huaj më interesantë në Shqipëri janë ciganët. Si në çdo vend, edhe këtu ndahen në dy kategori: ciganët shëtitës dhe ciganët jo shëtitës (të ngulitur në një vend të caktuar). Të parët janë shitës dhe blerës kuajsh, thurin shporta e kanistra, kurse të dytët punojnë si kovaçë, bakërpunues, muzikantë dhe valltarë. Gratë shpeshherë shërbejnë për të kënaqur burrat (femmes de plaisir). Ciganët e Shqipërisë janë njerëz të butë e të padëmshëm dhe ata të Tiranës (të cilët shpeshherë janë krejt biondë, për të njëjtën arsye që ju mund të shihni zezakë flokëverdhë në Jug të Shteteve të Bashkuara) kanë një farë prirjeje në veshje dhe në vallëzim. Sllavët janë fare të paktë në Shqipëri; nuk bëhen më shumë se dy mijë veta. Shumica prej tyre kanë zënë vend në Shkodër, ku erdhën nga Mali i Zi si refugjatë politikë dhe kërkuan strehim aty nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Megjithëse ardhja e tyre është kaq e vonë, sa mbahej mend mirë nga pleqtë që ishin gjallë deri në fillim të shekullit tonë, serbët dhe malazeztë e përdorin pa pikë turpi praninë e tyre në Shkodër si një pretekst para Fuqive të Mëdha që këto t’u japin jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe gjithë krahinën që përfshihet nën këtë emër. Mënyra e të menduarit dhe metodat e veprimit të sllavëve janë një enigmë për popujt e tjerë. Gjatë sundimit turk në Serbi një numër serbësh ishin kërcënuar nga persekutimet dhe u strehuan “në mënyrë të shenjtë” nga magjarët zemërdhembshur. Si shpërblim, nja dy a treqind vjet më vonë, pasardhësit kërkuan nga Fuqitë e Mëdha t’i jepej Serbisë “toka e të parëve të tyre”. Po t’i hapësh derën e shtëpisë një serbi, të nesërmen e ka borxh të të kërkojë gjysmën e saj si një e drejtë që i takon, kurse një ditë më vonë do të përpiqet t’ju flakë përjashta dritares si një të huaj. Një ndër argumentet e çuditshme të serbëve, në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Shkodrën, ishte se emri i këtij qyteti në serbishten tingëllon “Skadar”. Kjo është njëlloj sikur Italia të kërkojë Parisin pse në gjuhën italiane quhet “Parigi”, ose Franca të kërkojë të shtjerë në dorë Londrën (anglisht London F.L.) sepse në frëngjisht i thonë “Londrës”, ose anglezët të ngrihen e të kërkojnë Livornon nga Italia, meqë në gjuhën angleze quhet “Leghom”. Ky argument, i cili në mendjen e serbëve mund të ketë ndonjë domethënie, nuk ka asnjë kuptim në pjesën tjetër të botës. Shumë shkrimtarë evropianë i hedhin poshtë këto pretendime absurde. Një shkrimtar anglez, specialist në këto çështje, ka deklaruar se Shkodra ka qenë shqiptare përpara kalimit të Danubit nga serbët. Ky autor është Wadham Peacock dhe shprehet me këto fjalë: “Si fakt qendror dhe me rëndësi kemi njohjen e kombësisë shqiptare nga ndërgjegjja evropiane, çka i është mohuar Polonisë së vjetër gjatë njëzet shekujve. Në mes të shqiptarëve dhe të sllavëve, për qindra vjet me radhë ka pasur fërkime dhe ndeshje të përgjakshme. Shqiptarët i shikojnë sllavët si të huaj të paftuar, sllavët i shikojnë shqiptarët si njerëz të bezdisshëm, të cilët megjithëse janë mundur ndonjëherë rastësisht, kurrë nuk kanë pranuar të nënshtrohen. Sllavët, meqë kanë pasur favorin e paçmueshëm të jenë më të përparuar në letërsi (në shkrime), i kanë paraqitur vazhdimisht shqiptarët si hajdutë dhe plaçkitës të fshatrave sllave. Për sa i takon së vërtetës historike, ajo dëshmon të kundërtën, siç thuhet në gjuhën angleze “çizmja është futur gabimisht në këmbën tjetër”.

(Pjesë nga libri ‘Shqipëria: kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore’, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht: Ferdinand Leka)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat