Vargje për Ditën e Verës

Kultura

Vargje për Ditën e Verës

Nga: Viron Kona Më: 13 mars 2019 Në ora: 20:07
Me një grup fëmijësh të shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”,Tiranë

E kremtojmë  Ditën e Verës,1)

me dhurata dhe rroba të reja,

thurim  verore dy ngjyrëshe,2)

shijojmë ushqime t`zgjedhura...

 

Fëmijët çapkën ndjellin zogjtë,

mbushin ajrin me fishkëllima,

luajnë me qengja, mbledhin lule,

manushaqe dhe zymbyla...3)

 

Një vajzë lë në pemë veroren,4)

lutet: zogu të vijë ta marrë,

eh, psherëtin bukuroshja,

sikur ta marr dallëndyshja e parë!

 

Zakoni i lashtë e kërkon: 

që zonja t`stolis shtëpinë,

kreun e derës dhe dritaret,

me lastarë t`gjelbër e jasemin. 5)

 

Pastaj nis përgatit drekën,

gatuan gjellët m`të mira,

gjel deti e ballokume, 6)

ftonj, shegë e ëmbëlsira.

 

Gëzim i madh për çdo familje:

fëmijët vizitorët e parë,

me dhurata i darovitin,

vogëlushët këmbëmbarë! 7)

 

-Ç`po bëhet n`shesh t`qytetit?

-Karnavalet do të fillojnë,

lodra, maska, eh, çdo vejë,

do gëzohemi, do vallëzojmë!

 

Ja tek shfaqen dhe turistët,

që mik-priten me nderim,

ndjekin festën me kureshtje,

-Sa e lashtë është? -duan ta dinë.

 

Mes t`rinjve të moshuarit,

rrëfejnë shtruar histori,

u luten zotave pagane,

për bollëk, paqe, mirësi.

 

Një zonjë bën humor me shoqet,

diç tregon dhe  qesh me lot:

Gra! dëgjuat për gjumashët?

I mbyllën brenda, s`dalin dot! 8)

 

Tek një vajzë qëndistare,

sytë i hedh një djalë azgan,

diç kërkon, e ka një hall,

vete-vjen e sytë s`ia ndanë.

 

Kjo Ditë Vere e bekuar,

u jep t`rinjve m`shumë trimëri,

duan të luajnë kukafshehtas,

janë  ndezur për dashuri.

 

Ajri i freskët, dielli ndrit,

14 Marsi - magji e rrallë,9)

vajzat s`ndahen nga pasqyrat,

ëndërrojnë fustan` të bardhë...

 

 

1).Dita e Verës, festë pagane, e lashtë. Festohej nga ilirët përpara lindjes së krishterimit. Quhet ndryshe festë e luleve, e gjallërimit të natyrës, festë e shpirtit, paqes, harmonisë, gëzimit, dashurisë...14 marsi shënon fundin  dimrit të acartë dhe ardhjen e pranverës.

2).Verore, simbol i ardhjes së pranverës. Një zbukurim që formohet me pe të bardhë dhe të kuq. Dy ngjyrat simbolizojnë dy të kundërta, ngrohtë-ftohtë, pranverë(e bardhë) dhe dimër(e kuqe). Verorja u vihet në dorë apo në qafë fëmijëve që t`u sillte fat gjatë vitit...

3).Lule të para të pranverës, apo paralajmërueset e pranverës  janë edhe: manushaqja, zymbyli, lulebora,vjollca,aguliçja,luleshqerra,mimoza...

4).Vajzat apo fëmijët lënë veroren në një ferrë, trëndafil a degë peme, shprehin një dëshirë dhe shpresojnë, që të vijnë zogjtë, ta marrin dhe me fijet e saj të ndërtojnë fole. Nëse ndodh kjo, ëndrra apo dëshira e shprehur do të realizohet.

5).Dita e Verës, shoqërohet edhe me vendosjen e luleve të sapoçelura në dritare, apo me lastarë të gjelbër tek dera e shtëpisë në mëngjesin e kësaj date, në mënyrë që gjithkush kur zgjohet të ndjejë ardhjen e pranverës.

6).Gjel deti e ballokume: Ndër ushqimet më të preferuara për festimin e “Ditës së Verës”,veçanërisht në Elbasan

7).Në këtë ditë fëmijët të veshur me rroba të reja shkojnë derë më derë duke kënduar ”Ditën e Verës’, ndërsa u jepen dhurata. Ardhja e fëmijëve është mbarësi.

8).Zakoni është që, ata që ngrihen me vonesë “Ditën e Verës”,”ndëshkohen” duke i mbyllur brenda shtëpisë me çelës.

9). 14 Marsi, thjesht hap festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është Dita kalendarike diellore e Verës. 14 Marsi është Dita e Verës për Elbasanin, Tiranën. Krahina të tjera shqiptare caktojnë secila Ditën e tyre të Verës brenda javës14-21 mars. Quhet Dita e Verës, sepse në kalendarin Ilir/shqiptar, si dhe në disa popuj të tjerë, ka vetëm dy stinë: Verë dhe Dimër. Stinët nisin me ekuinokset (baras-netët) në mars dhe në shtator...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat