Çobanët

Kultura

Çobanët

Nga: Fatmir Lohja Më: 20 mars 2019 Në ora: 09:44
Fatmir Lohja

Në darkë, pranë zjarrit bubulak, po kuvendonin tre çobanë.Janë të tre të një trungu. Luti është gjyshi, Loni babai dhe Lani djali. Në tre azganët, gjyshi e nipi janë më të gjatë, ndërsa Loni më i gjërë. Ajo pranverë nuk mori për mbarë. Dëbora e bardhë me të ftohtin ende nuk qenë larguar nga malet.

Më kanë dërguar fjalë, të zbres në kryeqytet,për të rrëzuar qeverinë,- e lëshoi Lani papritmas silurën,sapo mbaruan bukën.- Si mendoni ju të veproj?

Ndonëse të lodhur gjumi u treti larg- larg. Gjyshi e babai levizën nga vendi. U trandën nga lajmi, që u lëshua si rrufeja në ditën me diell. E shihnin Lanin në dritë të syrit, për të dalluar ndonjë mesazh, për vendimin që ka marrë. Boll i mirë është djali.E ka të trashëguar në gen. Po dha fjalën, nuk ka burrë nëne që ia kthen më mendjen, ndonëse ende nuk i është djersitur mjekra.

E ke dhënë fjalën, se do të zbresësh në kryeqytet?- e pyeti gjyshi ,me frikë në bark.

Jo. Jo. U kam thënë se pa u pyetur ju, nuk marr asnjë vendim,- u përgjigj nipi me qetësi.

Babai edhe gjyshi ,nga përgjigjja e Lanit,u kënaqen si kur të kishin ngrënë fli. U mobilizuan totalisht, për t’i mbushur mendjen djalit ,se cilin vendim duhet të marrë, për të mirën e jetës se tij.Luti e nisi me një histori të gjyshit , të treguar nga gjyshja.

Në luftën e Vlorës,në vitin 1920 ,beu iu drejtua gjyshit tim:” Tani lufta mbaroi. Shko në stan,të flesh rehat! Punët tjera i rregullojmë vetë! Merre këtë qylaf të bardhë,ta keshë për trofe!”Gjyshi,i pastë dritë shpirti atje ku është,vuri qylafin në kokë, dhe u kthye në katund. Kur vajti në shtëpi gjyshja e pyeti:” E more lumëmadh, e fitove luftën? Ç’luftë zezë fitova,moj dërdimene? Ja këtë qylaf fitova,se të tjerat i mori beu.”Ajo luftë gjyshit i rrëmbeu një vëlla, dhe përsëri çoban mbeti se mbeti.

Lani mendohej e mendohej,për t’i nxjerrë kuptimin rrëfenjës së gjyshit.I jati e ndiqte me qetësi maksimale.E linte të birin të vendoste vetë.

Ta zëmë se ke të drejtë.Tërë jetën çobanë do të mbesim? – e theu heshtjen me pyetje i riu.

Për t’i mbushur mendjen ,se ky është kismeti tyre,Luti me Lonin filluan t’i tregonin për jetën e fisit. Në luftën e dytë botërore,babai i Lutit doli malit për çlirimin e vatanit, me vellëzer dhe kunetër, gjithësejt tetë burra me dyfeqe në krah. Në luftë dy u vranë,dy mbeten sakat dhe katër arritën të saktë në shtëpi me gëzimin e fitores në gji. Ndër sakatët qe edhe babai i Lutit.

Kur iu burrërua i biri e veshi ushtarak. Me uniformën dhe armën në krah Luti ishte më i kënaqur se s’ka.Kjo aventurë nuk i shkoi gjatë.Ia zhveshën uniformën ushtarake sepse e quajtën liberal. Në kontrollet në shtëpija ,për grumbullimin e armëve, Luti nuk e kishte agresivitetin e shokëve. Nuk ishte i bindur për punën që po bënte. Edhe tani, në moshë të thyer ,nuk e kupton se si një shqiptar mund të rrojë pa armë!? U kthye edhe ai në shtëpi ,për t’u bërë çoban.

Nuk shkoi gjatë kur kopenë ia morën ,për ta tufëzuar në koopertivën bujqësore. Që mos të quhej kulak ,pse ishte nip dëshmori, e bënë çoban të koopertivës. Luti,për të mos e bërë djalin çoban , e nisi të mësonte në shkollat ushtarake. Loni pse mësoi dhe punoi me përkushtim, u ngrit në detyrë deri komandant brigate. Pas viteve nëntëdhjetë e liruan nga detyrat ushtarake. Për të rritur fëmijët , u rikthye në katund për t’ u bërë çoban.

Në vitin 1997, Lonit i çuan fjalë, të zbriste në kryeqytet për të rrëzuar qeverinë, me premtimin se do ta riemëronin ushtarak. Kur u qetësua gjëndja i dhanë gradën kolonel. Pas pak kohësh e liruan nga ushtrija,me motivacionin se ishte pak i madh në moshë.Si përfundim u rikthye në katund, për t’u bërë çoban.

Më thërrasin për të mbrojtur votën e lirë,- u shpreh Lani, pasi u mendua bukurmirë.

Babë e birë u munduan t’i tregon Lanit,se në Shqipëri,asnjëherë nuk është votuar pa hile. Këtë fakt e kanë konstatuar gjithmonë humbësit. Ende nuk është sqaruar nëse humbësit nuk pranojnë rezultatin,apo me të vertetë është prekur vota në kuti!? Asnjëra palë nuk ështe ndëshkuar ligjërisht.Për ta çtensionuar situanët, bënin edhe pak humor baritor.I treguan,se dikur, beu i katundit,në votime bënte këto marifete.Përkrahsëve të vet u jepte qylaf të bardhë,fes të zi dhe kasketë.

Pse?- nuk iu durua Lanit.

Për të votuar tre herë,- u përgjigjen gjyshi dhe babai, menjëherë.

I treguan nipçes, si me vjedhje, edhe pa vjedhje të votës,deputetet sa kanë marrë mandatin, nuk janë parë më në katund.Në kohën e komunzmit , një i madh në parti, shkoi në katund, për të bërë fushatë elektorale.Ngaqë ishte i bindur se njihnin të gjithë,nuk bëri prenzantim.”- Nga të kemi zotrote? – nuk iu durua Dules, pa e pyetur kapadainë.- Nga këto anë jam?- u pergjigj ai. - Për këtë që pohoni ju ,ka vetëm një mundësi,- e thumbon Dulja përsëri.- E cila është ajo ?- Nëse satëmë, përpara se të lindesh ti, ka kaluar në këto anë,ka mundësi të jeshë biri ynë.”

Lani nuk e mbante të qeshurën. Kur i treguan edhe për postin e tij të lart, qeshte me zë të sinqertë rinor.Sa mbledhje u bënë më pas, për ta zbuluar pse Dulja i tha ato fjalë,aq të mira qofshin. Xha Dulen nuk e futën në burg, edhe pse ishte i moshuar,edhe pse kishte shumë dekorata lufte, e pune në gjoks. Dulja kishte ndërruar jetë, kur i erdhi dekorata e lartë e heroit.Nuk shkoi shumë kohë kur partija e dënoi kapadainë. Ky qe shkaku që Dules,si vigjilent i direktivave të partisë, iu akordua dekorata e artë,pas vdekjes.

Të tre çobanët duke biseduar,duke bubrruar diçka dhe me llullat ndez, e fik, , po e kalonin natën të çliruar nga tensionet e fillimit të bisedës. Përmendën ngjarien e mbretit kur shkoi në katund. Pyeti një bashkëluftëtarë: - A keni hajdutë në zonë?- dhe po priste t’i lavderohej puna .- Jo, se i ka mbledhur zotrote në kryeqytet,- i ndenji gati bashkëluftëtari, duke mbushur llullën me duham.

Nipçja e pelqeu shumë historinë e deputetit ,që foli për herë të parë në parlament. U habitën të tërë ,kur ngrejti dorën,prandaj ia dhanë fjalën menjëherë.” Ju lutëm mbylleni atë dritare,se po bën korent, dhe mund të ftohemi,- tha ai sërbes sërbes. Kur dëgjoi pyetjen deputetit injorant,në ditën kur po diskutohej për buxhetin e shtetit : “Shumë po flitet për këtë zotni buxhetin,por unë ende nuk po e njoh?”- Lani u ngrit në këmbë ,se nuk e mbante të qeshurën e sinqertë.

Nuk e ngrys jetën bari,- u shpreh i vendosur rinushi ,kur rizurivend.

U mobilizuan baba e birë, për t’i mbushur mendjen Lanit se profesioni i bariut është ndër më të vjetrit, dhe më i miri në krahinën e tyre.Puna nuk është e rëndë. Në verë jeton me ajrin e pastërt të bjeshkëve.Atje ku bariu i bie zumarës, apo fyellit për qejfë. Babë e birë, për t’i mbushur rradaken nipit ,i përshkruan se nuk ka më bukur kur sheh ; qëngjin manar,duke pirë sisë në gjirin e zmadhuar të bejkës së bardhë; ftujkën t’i bëjë naze cjapit mjekërgjatë; ogiçin që shkrrahet në barin e njomë; ujin e ftohtë , te kroi gurgullues,pasi shuan etjen paspak çasteve kërkon bukë; dashin me brirë te spërdredhuara që mban në qafë kumbonën më të madhe. Se ushqimin bio të bjeshkëve nuk e hanë as mbretërit në keshtjellat madhështore. Me kallashnikovët në duar bën qitje sa herë të duash.Në vetmi mendon i qetë,si poetët. Eshtë puna më e lehtë, dhe më e paguara në katund.Në dimër jeton pranë votres familjare,me gjitha të mirat rreth e rrotull.

Më kanë premtuar,se po të shkoj në protestë,me të marrë pushtetin, do të më veshin polic,- rrefeu , me zë të ulët Lani,propozimin e ardhur nga shumë lartë.

Si me komandë ushtarake u çuan të dy burrat në këmbë për të marrë frymë, pas dhimbjes që iu dha djali me fjalët e fundit.Secili në hesap të vet,shante me shpirtë,me çfarë u vinte ndërmend,ata që i trazuan mendjen djalit,duke e cytur në gen .Pasi rregulluan gojën me diçka, dhe mbushën llullat e mëdha ,rizunë vend babë e birë, pranë rinushit të vështirë.

Meqë nuk e ke deshirë profesionin e çobanit, po të bëj një propozim, - iu drejtua të birit Loni,me ngrohtësi atërore.

Ta dëgjojmë!- tha i riu.

Jam gati të shes gjithçka,që ti shkon në kryeqyetet,për të studjuar për veterinari. Do të respektohesh, e do ta paguhesh jo vetëm nga fisi i ynë, por edhe nga katundi,edhe krahina mbarë.Ata që qenë më përpara, thuhet se kanë shkuar larg në emigracion.Je dakort ti baba?- pyeti Lutin e çoroditur.

Jam shumë dakort ,por po e them edhe unë një propozim,- u shpreh Luti pasi grumbulloi forcat , për t’i mbushur mëndjen nipçes,të mos largohej nga trungu për premtime të kota.- Nëse nuk të pëlqen profesioni i veterinerit,të këshilloj të studjosh për teknologji!Të jap fjalën, se kur të marrësh diplomën , do të dhuroj çelsat në dorë, të fabrikës së qumshit flakë të re.

Jam dakort me propozimin e gjyshit. Po nisëm që nesër- miratoi nipi.

U munduan t’i mbushnin mendjen se të nesërmen nuk bëhej ajo punë. Nipçja e dinte mirë, se në të dalë të dimrit,katundarët janë të shkundur nga paratë. Se shkollat fillojnë në vjeshtë,e jo në pranverë.Loni i premtoi të birit, sa të shisnin kecin e parë,do të shkonte në kryeqytet për të pyetur se cilat janë kushtet për të vazhduar studimet, sëbashku me faturën e shpenzimeve.U bënë gati për të fjetur, kur djali me gëzim u tha:”Jam dakort baba,por me ty do të vi edhe unë në kryeqytet,për të parë me sytë e mi ,se ku do të studjoj.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat