Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve dhe Naim Frashëri

Kultura

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve dhe Naim Frashëri

Nga: Dr. Nuri Dragoj Më: 25 mars 2019 Në ora: 07:17
Naim Frashëri

Për të gëzuar ditën e madhe të Sulltan Novruzit, më 22 mars, mijëra vetë shkuan në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjëve, për t’iu falur dhe lutur Zotit për më shumë shëndet e begati në familjet e tyre, për civilizimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. Ngado shohim fytyra të qeshura, burra e gra që ndihen të çliruar nga hallet dhe problemet që i mundojnë në jetën e tyre, të rinj e të reja që i japim edhe më shumë gëzim mjedisit festiv. Ndihen të gjithë mirë, pasi kur je në këtë mjedis, kur hynë në Odeonin mahnitës, je nën kujdesin e Perëndisë. Me të drejtë Naimi thoshte: ...Sot është një ditë e rezë,/ që përsëritet moti, / lint vera, lint ngrohtësia,/ lint Aliu, vetë Zoti./ Eshtë një ditë e bekuar, / që rrjedh qejshit bukuria,/ Del në shesht Zot’ i vërtetë,/ rrëfen fytyrën e tija.

Besimtarë, politikanë, diplomatë, profesorë e njerëz të thjeshtë, takohen me Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe marin urimin e tij. Pastaj shkojnë te Tylbeja, ku gjinden eshtrat e kryegjyshërve në vite. Janë pranë e pranë, Sali Njazi Dede, Ali Riza Dede, Kamber Ali Dede, Xhaferr Sadik Dede, Abaz Hilmi Dede, Ahmet Myftar Dede. Më tej lumturohen duke hyrë në mjediset e kësaj Kryegjyshate, përulen përpara bustit të Haxhi Bektash Veliut, punuar nga skulptori Muharrem Fejzo. Ky personalitet i fesë islame, emrin e vërtetë e ka Sejjid Muhammed bin Ibrahim. U lind në vitin 1281 në qytetin Nishabu të Horosanit. Pasi u arsimua shkoi në Anadoll dhe u tregonte njerëzve rrugën e drejtë. Ai ka një vepër në gjuhën arabe që titullohet Makalat. Ata që ndoqën mësimet dhe porositë e tij, u quajtën Bektashinj dhe iu përshtatëtn Misticizmit Islam.

Janë të gjithë qytetarë të lirë që vijnë në Kryegjyshatë me dëshirë. Askush nuk detyrohet. Në Kuran thuhet shprehimisht: “Asnjë përdorim force në besim”. Për më tepër, ky libër i shenjtë njeh vetëm një besim, atë mbi Përëndinë. Në faqet e tij shkruhet se “ata që besojnë, çifutët, sabeitët dhe të krishterët - kushdo që beson në Perëndinë dhe në ditën e gjykimit dhe bën atë që është e drejtë, mbi ta nuk do të mbretërojë frika, ata nuk do t’i zërë kurrë vaji”. Madje, Kurani nuk të detyron në besim. Kjo duket qartë në fjalinë që shkruhet në të, se “e vërteta vjen nga Zoti: le të bësojë kush të dëshirojë; le të mbetet i pafe kush të dojë”.

Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj jep mesazhin e paqes dhe të dashurisë për gjithë besimtarët, për tërë popullin shqiptar, në këtë ditë të shënuar të Sulltan Novruzit, të ditës së lindjes së Imam Aliut. Në një kend, një grup njerëzish këndojnë. “Mirëse vjen Sulltan Novruz / Meraba, meraba / Mirësevjen, mirësevjen, mirësevjen Sulltan Novruz…”.

Sulltan Nevruzi është një ditë e shënuar dhe ka kuptimin, Ditë e Re, pasi më 22 mars shënohet fillimi i pranverës. Fjala sulltan është titull që i jep me shumë kuptim kësaj feste. Në të njëjtën ditë ka lindur Imam Aliu. Për këtë arsye, ajo festohet edhe si ditëlindje e tij. Pas viteve 1920, Nevruzi është festuar më me madhështi dhe festimi vijoi deri në vitin 1967, kur shteti komunist i mbylli me ligj të gjitha institucionet fetare. Është dita kur ndodhin shumë ndryshime: barinjtë në zonat kodrinore e malore ndajnë qingjat dhe kecat nga nënat e tyre, të cilat nisin të milen dhe qumështi, krahas konsumit të tij të freskët, përpunohej në nënproduktet e tij.

Në këtë ditë të shenjtë këshillohej të mos këputeshin lule, të mos thyhej asnjë degë peme dhe të mos priteshin trungje, pasi edhe pemët e bimët gëzonin jetën e tyre të re, jetën pranverore. Në ditën e Nevruzit i këndohej dhe dëllandyshes. Dëllandyshe faqe kuqe, / Sqep gjilpërë, bisht gërshërë/ Merr këtë gajtan të gjerë, / Shpjerma në mal a në det/ Sillmë bukë e shëndet.

Naim Frashëri, “profet” i bektashizmit

Bektashizmi nuk mund të kuptohet pa poetin e kombit, Naim Frashërin. Në hyrje të sheshit, në të djathtë, ngrihet busti i Naimit, profetit të bektashizmës, njeriu që e hodhi në letër filozofinë e kësaj feje, e përjetësoi atë. Pranë tij shkojnë dhjetra njerëz dhe bëjnë fotografi. Kërkojnë një kujtim. Shkojnë pranë bustit dhe e ledhatojnë me pëllëmbën e dorës. Të njëjtin xhest bëjnë dhe të tjerë. Një grup fëmijësh afrohen dhe shkojnë një e nga një pranë Naimit, zgjaten në majë të gishtave të këmbëve dhe përkëdhelin penën e poetit të madh të kombit shqiptar.

Busti ka historinë e vet. Ishte pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, bust i punuar në allçi. Por qe dëmtuar në qafë dhe kishte mbetur në magazinë. Një ditë, dikush u kujtua dhe propozoi ta çonin në Kryegjyshatë. Xhevahir Spahiu ishte kryetar i Lidhjes. “Merreni, - u tha, - por më parë duhet marrë leje nga skulptori e familjarët e tij”. Ashtu u bë. Nuk kishte si bëhej ndryshe. Naimi ka ardhur dy herë në qendrën e Bektashinjve. Stambollin e la në vitin 1937. Qeveria e Mbretit Zog kërkoi të preheshin eshtrat e poetit në vendlindje. Dhe e sollën këtu, mes gjelbërimit. Me prurjen e eshtrave në Shqipëri, si të thuash, e ringjallën Naimin.

Ngritja e Naimit nga varri ishte nga të rrallat premtime, që shqiptaret kishin marrë me zë të lartë, sapo luftërat e përgjakshme të përfundonin, për ta ruajtur pranë në prehjen e përhershme, në gjumin e pafund. Shkuan patriotët atëherë, ledhatuan varrin e njeriut të madh të kombit, derdhën dhe lot, i kërkuan falje njeriut qiellor që po i lëndonin eshtrat, por e kuptuan se ishin të falur, pasi vet Naimi dëshironte të vdiste në tokën e vet.

..Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,/ E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,/ Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem…

Duhet të vinte në vendlindje patjetër. Nuk mund të gjendeshin arsye sado të forta, për ta mbajtur të gozhduar nën tokën e huaj, atje në kryeqendër të perandorisë. Qëndroi në dhe të huaj për 37 vjet me radhë, në errësirën e thellë pus, mes të ftohtit të madh, në nëntokën e varrezës së Madriven Qojt, në kryeqendrën e perandorisë. Shqiptarët e kërkuan ta kishin pranë poetin e tyre. E donin edhe më parë, por nuk kishin kohë, nuk ishin të lirë. Pasi mbaruan punë me luftërat e shumta për mbijetesë, pasi krijuan dhe shtetin e tyre, nuk harruan premtimin e bërë për poetin kombëtar, që dergjej në pjesën aziatike të ditë-netëve stambollite, mes dheut të ftohtë e me shumë lagështi. E ndjente këtë ftohtësirë Naimi dhe u ngroh sa dëgjoi se e thirrën për t’u kthyer në dheun e tij.

Në vitet 1926 dhe 1927, dy herë më radhë, është nisur një delegacion nga Vlora për në Stamboll. I bënë një letër qeverisë turke, me anë të së cilës kërkonin eshtrat e Naimit dhe të patriotëve të tjerë. Në përbërje të delegacionit kanë qenë Ali Asllani, Tol Arapi, Ibrahim Avdullai etj. Këtë nismë e morën me shpresë se do të kishin ndihmën e Rauf Ficos, në atë kohë ministër fuqiplotë në Turqi. Por kërkesa nuk u plotësua. Mustafa Qemal Ataturk nuk pranoi, sepse eshtrat e Naimit preheshin bashkë me ato të Samiut, i cili kishte dhënë kontribut të madh për Turqinë. Më vonë puna u vështirësua edhe më. Ataturku nuk e njohu shpalljen e Zogut mbret të Shqipërisë. Por vitet shkonin dhe konflikti erdhi duke u fashitur.

Në vitin l937, Naimi e braktisi Madriven Qojt, duke lënë aty imazhin e prehjes së trupit të një njeriu të madh. E pritën atëherë burra të nderuar. Arkivoli iu dorëzua me ceremoni bashkisë. Dhe e dërguan pranë kryegjyshatës bektashiane. Ai erdhi në shtëpinë e Perëndisë. U kthye në vendin e tij. Mund ta kishin sjellë edhe në ndonjë kohë tjetër, por shpirti i thirri ta sillnin në kohën e çeljes së gjelbërimit, në kohën e lulëzimit, sepse e gjelbra e bektashizmit flet shumë, është ditë e re, pa vyshkje. Por nuk e lanë gjatë. Disa vite më pas e hoqën sërish. “Nuk i takon vetëm bektashizmit, - thanë. - Ka ëbrë për gjithë kombin”. Dhe e sollën sërish në mars të vitit 1999. Kjo është ardhja e dytë e tij. Pa Naimin nuk ka kuptim bektashizmi. Ndaj dhe shumë njerëz e quajnë profet të këtij besimi.

Në një vjershë kushtuar Abas Aliut, Naimi Shkruante: O mos fush’ e Qerbelasë! / Që më rri ndër sy / Plot me gjak t’Ali-Abazë. / Vallë ç’ësht’ ay?

Ç’ësht’ ay që shkon kaluar, / Ikën si veriu, / Me dy-tri fishnja nër duar?/ Ësht’ Abas – Aliu…

Abas Aliu zu’ Tomorrë, / Erdhi afër nesh, / Shqipëria s’mbet e gjorë, / Se Zoti e desh…

Imamëtë dymbëdhjetë / Nga der’ e Aliut, / Hoqn’ e vuanë ndë jetë / Për nder të njeriut…

Tomorrin, Naimi e shihte si mal të shenjtë. Tomor! O mal i bekuar, fron i lartë, që rri Zoti / Pasë fesë së vjetër, që kishin shqiptarët qëmoti. . .

Këto vargje i recitonim dhe kur qe gjallë Dede Baba Reshat Bardhi. Një prej ditëve që recitoja vargje të tilla, isha me Xhevahir Spahiun.

-Më ngacmove me këto vargje të Naimit, - tha befas Xhevo. - Është e vërtetë që Abas Aliu është Perëndi dhe perënditë e kanë strehën në Tomorr. Aty nga vitit 2006 isha në Strugë. Qe muaji gusht. Në bisedë me shokë e miq, u thashë që unë vija nga maja e lartë e malit të Tomorrit. Pra në lartësinë më të madhe të anëve tona. Dhe vij këtu, pranë këtij liqeni me thellësi të madhe, se Liqeni i Ohrit është më i thelli në Ballkan. Më thoni, çfarë dëshironi t’i them Baba Tomorrit, kur të shkoj atje. Çfarë doni t’ju plotësojë Ai?

-I thuaj të na lëshojë shi, - tha njeri prej të pranishmëve. Për çudinë e të gjithëve, një gjysmë ore më vonë filluan pikat e shiut. Dhe vazhdoi gati dy orë. Një koincidencë e bukur.

-Shiun ua dha Baba Tomorri, - u thashë. -Tani më thoni çfarë t’i them tjetër.

-I thuaj të bashkojë popullin shqiptar, - u shpreh dikush.

-Do t’ia them. Dhe ka për të na e plotësuar edhe këtë kërkesë. Mjafton që të jetë dëshira jonë…

Dede Baba Reshat Bardhi dëgjonte dhe lëshonte një buzëqeshje të embël. I thamë se kjo godinë, nuk u prish nga komunizmi sepse, krahas Zotit, ka patur dhe bekimin e Naimit.

jo, - tha Dede Reshati. - Mbase dhe ky do të qe prishur, por e shpëtoi Qazim Vaqari. “Të mos e prishim, - u tha urdhëruesve, - por ta kthejmë në azil për pleqtë, pasi nuk kemi azil”. Kërkesa e tij u pranua dhe kështu godina e Kryegjyshatës mbijetoi. Me siguri ka patur një lidhje hyjnore.

Naimi dhe mirësia naimiane nuk shterojnë kurrë. Ja si këndon për të Dritëroi: Vargjet e tua me thërrime dheu janë përzierë, / Dhe na duket sikur me qenien tonë janë shkrirë, / Se i kemi thithur mes qumështit, frutave, erës / Dhe në burime me ujin i kemi pirë…

Janë të shumtë poetët që i kanë kënduar Naimit. Fatos Arapi, me rastin e ardhjes së eshtrave të Naimit në Atdhe, ka shkruar: Bosfori ish i kaltër - ndryshe si do të ish?/ Po vinte vet Naimi Frashëri drejt Shqipërisë. . . / Shpirti shqiponjë e lirisë, ndezur në jetë të jetëve, / Kënga - atdheu qiellor i pavdekësisë së poetëve. . .

Kongreset bektashiane dhe fryma naimiane

Në kohën kur kryqendra botërore e bektashizmit u vendos në Tiranë, Naim Frashëri kishte 31 vjet që kishte mbyllur sytë. Pa gjuhë nuk mund të kishte as komb dhe jo më zhvillim të tij. Pushtuesit e huaj dhe fqinjët ç’nuk bënin për të mos dalë në dritë gjuha jonë. Ndaj Naimi nuk mund të vdiste pa bërë një lutje shenjtorësh. "Jepi shqiptarit dritë / Zot i vërtetë të shohë / Të marrë vesh mirësit / Të vërtetën ta njohë…".

Pështjellimi i jashtëzakonshëm shpirtëror që kishte pushtuar Ballkanin, e pati nxitur poetin shqiptar të kërkonte ndihmë në rrugën e frymës. Sepse edhe vet bektashizmi erdhi si një klithmë shpirtërore. Me heshtjen religjioze të kohës, bektashinjtë me vëllazërinë e tyre hodhën në treg aksiomën: “Pa atdhe, s’ka fe”. Bektashinjtë e kërkonin besimin te fati i atdheut, te pavarësia e shtetit shqiptar, që pluskonte nën pushtime. Për këtë arsye ata i hapën rrugë kongreseve, që do të shërbenin për të shpallur mëvetësinë e foltoreve, gjuhën shqipe në krye të ritualeve fetare. Pjesëmarrësit në mbledhjen e parë ishin dervishët patriotë.

Kongresi i parë ndriçoi fytyrën shqiptare dhe ishte Prishta e vitit 1921, ajo që zgjoi mendimin shqiptar. Më 9 korrik 1924, kongresi i dytë vijoi në teqen Hajdarie të Gjirokastrës, për të shkuar te kongresi i tretë, mbajtur në Korçë më 26 shtator i vitit 1929. Kongresi i parë i vuri vulën vëllazërimit kombëtar, ndërsa në kongresin e dytë u sanksionua gjuha shqipe, gjuha zyrtare e këtij traikati, sepse u kumbonin në vesh e zemër, vargjet e Naimit: ”Gjuha jonë, sa e mirë / Sa e ëmbël, sa e gjerë/ Sa e lehtë, sa e lire / Sa e bukur, sa e vlerë”! Naimi e ngrinte në qiell gjuhën tone, si gjuhë perëndie. Kujdesej që ajo të mos prishej duke futur midis saj fjalë nga gjuhët turke, greke, perse, arabe etj. Shqip të flisni përherë / thjesht‘ e të papërzjerë/ Rroftë e qoftë Shqipëria/ Dhe kombi e gjuha jonë/ Lulëzoftë dituria!/ Edhe ndihmës paçim Zonë! Për gjeniun e gjuhës, ne s’jemi asgjë pa shqipen? Pa shihni ç’gjuhë e mirë!/ Sa shije ka e hije, / Ç'e bukur' edh'e lirë, / Si gjuhë perëndie...

Kongresi i tretë përcaktoi fatin e bektashizmit botëror. Aty u vendos që Tirana të ishte qendra botërore e tij dhe në krye të vihej Sali Niazi Dede. Baba Meleq Shëmbërdhenji në atë kohë shkruante: "Neve s'na sos Perëndia, se na ka ngjizur vetë / Do të rrojë Shqiperia, sa të përmbyset kjo jetë". Ai pohon dhe lashtësinë e kombit shqiptar, pasi thotë që “Jemi këtu që kur s'mbahet mend”. “Këtu jemi që kur dielli e hëna s'kishte lerë”, është shprehur Naimi. Bektash Kolonja u hodhi një nur bukurie teqeve shqiptare, duke i parë si gonxhe trëndafili:"O teqet e bektashisë / Si trendafili në vesë".

Vargjet e Naimit: Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,/ Zëmrën ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr, mund të themi me plotë gojën që e shpëtuan Shqipërinë. Naimi mund të cilësohet pa frikë poeti që ka bërë më shumë për kombin. Ai është cilësuar Homeri shqiptar. Bota ka njohur shumë poetë. Pushkini është poet i madh për Rusinë. Hygoi për Francën. Edhe për botën po se po. Por as Pushkini dhe as Hygoi nuk kanë bërë për kombet e tyre atë vepër ekzistenciale që ka bërë Naimi. Poeti ynë shpëtoi shqipen dhe dihet rëndësia e gjuhës për një komb. Ndërsa Pushkini dhe Hygoi nuk e kanë bërë një gjë të tillë, mbase nuk ka qenë nevoja, pasi gjuhët e tyre nuk i kërcënonte ndonjë rrezik. Mësimet e marra nga Naimi qenë me shumë vlerë, pasi i përkasin një kohë të rrezikshme, janë shpëtimtare. Ja përse çdo vështrim i njëanshëm do të ishte i padrejtë, në mos i gabuar. Pano Taçi shkruan për poetin e kombit: Shpirt i dlirë, tungjatjeta,/ Një stërnip të përshëndet./ Ti, o tempull me dy veta:/ Një shënjtor e një poet.

Me të gjithë e me çdo kohë komunikon Naimi. Edhe tani. Bën apel për punë, për dituri, për vëllazërim: Punë, punë, natë e ditë / që të shohim pakëz drite“. Kishte shumë shpresë në bërjen e Shqipërisë, ndaj thoshte: Lum kush të rrojë/ ta shohë zonjë.

Bektashinjtë dhe çështja shqiptare

Bektashinjtë e kuptuan më herët rrezikun që paraqiste varësia nga të huajt. Ishte kjo arsyeja që klerikët bektashian u shquan gjatë peridhës së luftërave për pavarësi, sepse u lidhën ngushtësisht me Lëvizjen Kombëtare dhe u vunë tërësisht në shërbim të saj. Në vitin 1920 ata u deklaruan besim i veçantë dhe i pavarur, bazuar në ligjin e shtetit shqiptar dhe ndërmorën hapa të mëtejshme për riorganizim. Në tetor të vitit 1920, Varf Seid Gjirokastra dhe Varf Ali Prishta, në një letër që i dërgonin kryeministrit Sulejman Delvina, e uronin në emër të klerit bektashi për detyrën që mbante prej një viti dhe e informonin për reformat liberale që kishin ndërmarrë, për të sjellë në krye njerëz të devotshëm.

Më 12 nëntor të atij viti u miratua leja për mbledhjen e tarikatit bektashi. Në shkresën e miratimit të saj thuhej se baballarët e tarikatit bektashi, qenë të lirë të bënin mbledhje dhe të bisedonin për çështjet që i përkitnin tarikatit të tyre. Gjithsesi, puna për të ligjëruar meshimin shqip, megjithëse erdhi në rritje, mundi të bëhej jetike një vit më vonë, kur qenë krijuar kushte më të përshtatshme politike.

Kongresi i bektashinjve u mbajt më 17 janar të vitit 1921, në Teqenë e Prishtës. Ai kërkonte nga shqiptarët që të vinin në radhë të parë interesat kombëtare dhe të afroheshin sa më shumë me njëri-tjetrin. Sipas bektashinjve, njerëzit kishin të drejtë të quheshin të krishterë në kishë dhe myslimanë në xhami, por jashtë institucioneve fetare të gjithë duhej të jenë vëllezër shqiptarë.

Kjo mbledhje shënoi një hap të madh cilësor. Sipas gazetës “Reforma”, nëse Kongresi i Lushnjës luajti rol me rëndësi për çlirimin kombëtar, Kongresi Bektashinjve i vuri vulën vëllazërimit kombëtar. Ata u bënin thirrje vëllezërve syni e të krishterë, të afroheshin dhe t’i jepnin dorën njëri-tjetrit, si vëllezër të vërtetë dhe të natyrshëm, të bashkëluftonin kundër armiqve për të mirën e përbashkët. Duke iu përulur dorës së ndehur për paqe, përshëndesnin një inisiativë të tillë dhe bënin gjithçka mundeshin për bashkimin e shqiptarëve. Për krerët e komunitetit bektashian, një atdhetar i mirë s’duhej të predikonte gjë tjetër, veç vëllazërimit. Nëse gjendej ndonjë që predikonte të kundërtën, nuk ishte patriot, por armik i vëllazërimit dhe për pasojë dhe i Shqipërisë.

Këshilli Atnor Bektashian, apo Kuvendi i Përgjithshëm i Bektashinjve, drejtohej nga Baba Ahmet Turani. Ata pretendonin se tarikati i tyre buronte në dituri dhe bashkonte rreth vetes një grup liberal të papërlyer, ndaj e shihte veten si “një lule të mbirë në shkretëtirat e barbarizmës aziatike”.

Deri në atë kohë teqetë kishin shërbyer më shumë si qendra kombëtare se sa fetare. Baballarët punonin për shqiptarizëm dhe disa prej tyre renditeshin në radhët e patriotëve që kishin dhënë ndihmesë me vlerë për çështjen kombëtare. Sipas gazetës “Reforma” të muajit prill 1922, askush nuk mund të mohonte faktin që, “në kohën e tmerrit, teqetë mbanin ndezur kurdoherë kandilin kombëtar dhe vetëm atje gjenin prehje dhe përkrahje apostujt e kombit, të ndjekur ngado prej autoriteteve osmane”.

Në Këshillin Atnor të Bektashinjve bënin pjesë: Gjysh Ahmet Turani, Gjysh Sulejman Gjirokastra, Ahmet Baba Elbasani, Xhemal Baba Përmeti, Hajdar Baba Korça, Mustafa Baba Frashëri, Kamber Baba Prishta. Këshilli bënte thirrje për ngritjen e një shkolle ku të përgatitej kuadri bektashi, si dhe të gjendej rruga e duhur, për krijimin e një xhamije të pavarur dhe kishës autoqefale.

U mendua që shkolla të themelohej pranë teqesë së Sukës. Shpresohej që me kalimin e kohës ajo do të zhvillohej dhe gradualisht do të ngrihej në nivel universiteti. Financat për fillimin e punës qenë siguruar nëpërmjet teqeve, por bëhej thirrje për ndihma të tjera. Natyrisht dilnin dhe mjaft probleme që kërkonin zgjidhje. Shumë prej tyre kishin nevojë për konsulta më të gjera. Prandaj, për marrjen e vendimeve me rëndësi u gjykua e nevojshme të mblidheshin shtatë baballarët. Si vend takimi për ta u mendua Teqeja e Sukës.

Përveç kësaj, bektashinjë vazhdonin t’i kushtonin rëndësi të dorës së parë edukimit patriotik. Varfë Ali Prishta i shkruante Ibrahim Shytit në Vlorë, më 19 maj 1921, se kishte shkruar një libër me titull “Bektashinjë e Shqipërisë”, i cili bazohej në idealin patriotik dhe predikonte bashkim, vëllazërim dhe patriotizëm. Ai kishte shpenzuar shumë për botimin e tij, por shpresonte në një ndihmë të mundshme “nga Kombëtarët”, pasi kishte dhe dy libra të tjerë gati për botim. Varfë Ali Prishta i dërgonte mikut të Vlorës 100 copë libra, çmimi i të cilit qe 3 franga, ndërsa për Vlorën pranonte të merreshin me 2.5 franga dhe shumën e parave t’ia kthente me Dajlan Zejnel Zhepovën, i cili ishte personi që do t’i dorëzonte mallin.

Me krijimin e shtetit shqiptar, pas Luftës së Parë Botërore, nismën për pavarësi e mori edhe komuniteti mysliman. Më 12 mars të vitit 1922, kongresi i klerikëve islam deklaroi shkëputjen nga Sheik-Ul-Islam i Stambollit, duke shpallur autonominë e xhamisë shqiptare. Mithat Frashëri e vlerësonte aktin e tyre si një hap përparimtar, sepse ajo “qe e para që i dha zgjidhje radikale e logjike punës, duke çelur udhën për një kishë autoqefale ortodokse”. Një vit më pas, në shkurt të vitit 1923, në kongresin e Tiranës myslimanët e shpallën xhaminë synite, xhami autoqefale shqiptare dhe vendosën që predikimi i librave fetarë islam të bëhej në gjuhën shqipe.

Ishte kjo arsyeja që numri i bektashinjve vinte përherë në rritje. Në vitin 1934, disa deputetë i propozuan Parlamentit shqiptar, që fe zyrtare e shtetit të njihej bektashizmi. Sot nuk ka ndonjë evidencë të saktë, por në vitin 1936, rreth 25% të popullsisë e përbënin bektashinjtë. Studiuesi Mark Tirta, duke bërë fjalë për në kohën e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, tregon shpeshtinë e përdorimit të emrave në nderim të shenjtëve bektashi. Sipas tij qenë regjistruar 6614 persona emrin Ali, me emër e mbiemër Abaz Aliu ose vetëm Abas, 1416 persona, emër ose mbiemër Bektash, 590 persona, me emrin Hysen 8007, Hasan 6675 raste dhe Dervish 4390 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat