Ditëlindja e “Spicës”!

Kultura

Ditëlindja e “Spicës”!

Sevdail Hyseni Nga Sevdail Hyseni Më 25 mars 2019 Në ora: 11:14
Foto ilustrim

I ka mbushur Spica plot 60 vjet,

Thotë se i shkuan si uji përpjetë!

Dy dekada mësoi për kodra e brigje,

E katër të tjera pa punë nëpër gjyqe!

Çdo kush nëpër botë sillet me të mira,

Vetëm Spica “hajrin” e ndanë me satira!

Mbeti me t’vjetrën me hall përmbi hall,

Duke u përpëlitur sikur peshku në zall!

Ndërroi qeveritë një nga një me radhë,

Pak i ra Spicës të qëndroj nën dardhë!

Por edhe kur qe, si t’mos ishte fare,

Tugjarët i hynin, për derë e dritare!

Po Spica me majën e mprehtë metalike,

Asnjëherë s’i ndahet skenës politike!

I thumbon veset me t’gjitha dredhitë,

Që sot po harlisen me nder n’opozitë!

Por ç’e do se Spica plaket për çdo vjet...

Me shpresë se majën do ta ketë shigjetë!

Ende rron e thëna - gozhda kur përkulet,

Përballet me Spicën, nëpër spica ngulet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat