Agim Vinca dhe ngadhnjimi i shpirtit shqiptar

Kultura

Agim Vinca dhe ngadhnjimi i shpirtit shqiptar

Nga: Ioalanda Malamen Më: 25 mars 2019 Në ora: 21:37
Kopertina e librit

Ndjenja e fuqishme e historisë, si dhe hapësira legjendare në të cilën ajo i ka përkryer si gëzimet, ashtu edhe fatkeqësitë, këqyren me një panjollësi të magjishme në letërsinë shqiptare të djeshme dhe të sotme, letërsi e cila shpall me një energji të shquar të drejtën morale të mbijetimit dhe të njohjes. Përtej guximit të padurueshëm dhe shpesh bezdisës, tani kur hapja kulturore drejt botës na jep të drejtë, të gjithëve, të mësojmë edhe çka na ishte mohuar me egërsi të madhe politike për dhjetëvjetësha me radhë, ka ardhur koha t’i mbarështrojmë me gjuhën e duhur vlerat epike dhe lirike, që të mos e lëmë veten të zhgënjehemi nga paragjykime dhe obsesione.

Agim Vinca është njëri nga poetët shqiptarë më të njohur e më të lexuar dhe ja, sot kam para syve një libër me titull paradoksal dhe nxitës: Urnë e gjallë, në përkthimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit Kopi Kyçyku. Është një antologji që përfshin deri diku kronologjikisht krijime duke filluar nga viti 1978 e deri më 2006. Gjallëria himnore me të cilën autori hap zemrën, që nga vjersha e parë deri tek e fundit, me qartësinë dhe emocionin që i japin vokacionin leximit e dhuntinë poetike, mbështetet nga kthjelltësia patetike e botës në lëvizje. Agim Vinca është shtegtuesi i ngarë të përshkojë vise magjike, duke na sjellë ndër mend ngadhënjime të futura në legjendë; shkretime luftërash, por edhe qetësinë familjare duke i dhënë fuqi një dokumentari tejet rigoroz, me të dhëna dhe ndodhi të saktësuara me madhështi. Është poezia e një intelektuali që vetëzbulohet çast pas çasti, duke raportuar historinë kulturore të botës, në Shqipëri, në atdheun që kuptimëson më epërisht se identiteti shtetëror, jetën e vet.

Agim Vinca nuk është një sentimental dhe as ndonjë bukolik i fshehur pas sintagmash emfatike; ai është një vëzhgues i hollë dhe i rafinuar që, duke e përdorur me mjeshtëri gjuhën, i jep poezisë vërtetësinë e një akti shkrimor me forcë dhe ndjeshmëri të madhe. Lipset të përmenden disa poema të mrekullueshme, me figuracion gati-gati objektiv, rrjedhja e të cilave përligjet përmes tensionit dhe pa patos përçmues: Tek varri i Bonapartit, Palimpsest për gruan dhe librin, Lutje për Nënë Terezën, Kur vriten poetët. Ndjesia e fuqishme e daljes nga kontingjenti, lind një përsiatje-epilog: Do të vdes një ditë në këtë pyll asfalti / Zemërak e i pikëlluar pa fjalë e pa zë / Do të ik fillikat a nga infarkt-inati / Unë, ujku i vetmuar AV. (Ujk i vetmuar-Epilog).

Si një kronikan akrib, Agim Vinca regjistron, sikurse përmenda më lart, të dhëna dhe vise legjendare, padrejtësi; evokon përkryerjen përmes lirisë, por nuk harron të kujtojë miqësitë që i kanë lënë mbresa, si dhe shumë figura të lavdishme të Shqipërisë, me të cilat është i lidhur shpirtërisht e me gjithë zemër. Nganjëherë trishtimi kaplues është i shoqëruar nga një ironi e hollë, si në këtë poezi që i jep titullin librit (Urnë e gjallë):

Mars zviceran. Qiell i hirtë. / Na prit, Moisi, sot në vizitë! / Te varri yt, përpjetë Morkotës / Ngjitem si Krishti majë Golgotës. / Më rëndon kryqi. Jo. Një pikë loti. / S'jam Jezu / Krishti, as Don Kishoti. / Shqytar i marrë, Ikar pa fletë / Pakëz Faust, pakëz Hamlet. / Mars zviceran. Diell me dhëmbë. / Një lutje shqip mbi varrin tënd. / Shkronja të zeza, / mermer i bardhë. / Pyes: ku shkoj? E nga kam ardhë? / Mars zviceran. Qiell me hile. /

Zonja Evropë, e moçmja-skile, / Ç'dramë luhet sot atje në Ballkan / Absurd-teatër - plumb e temjan! / Mars zviceran. Diell me dhëmbë. / Qëndroj i heshtur pranë varrit tënd. / Në turmë i vetëm. Pa zë, pa fjalë. / E më ngjan vetja - urnë e gjallë. (Lugano, 1994)

Me siguri mund të thuheshin edhe shumë gjëra të tjera për poezinë e Agim Vincës dhe për shprehshmërinë e saj të fisme, por po e ndal këtu përvojën time prej lexuesi, duke nënvizuar që Urna e gjallë është një libër i dashurisë, i miqësisë, i kuptimit të historisë, i dialogut, i tmerrimit nga zbrazëtia, për besimin, një libër për vlerësimin e jetës, por edhe për nderimin e të rënëve. Stili pa afeksion, vende-vende eseistik, i jep edhe më shumë forcë shprehësisë. Fakti që Agim Vinca boton sot në gjuhën rumune është një akt letrar i nevojshëm që e përshëndesim me gëzim. (Bukuresht, verë 2010)

POETI I PERMANENCAVE SHQIPTARE

Në stilin e autorëve universitarë, Agim Vinca bën vepër në dy fronte, në atë të kërkimit letrar dhe atë krijimit letrar, duke privilegjuar sipas rastit herë njërin front e herë tjetrin. Si pegadog, Vinca hulumton aspektin emblematik të krijimit, për të nxjerrë rregulla e përkufizime abstrakte përmes të cilash mbërrihet në një kuptim të standardizuar të artit të fjalës. Si poet, ai i fut vetë duart në brumin letrar, për të gatuar një art që është gjithçka tjetër përpos fjalë e standardizuar.

Lexuesit të thjeshtë, që mund të tkurret para teorizimit të shkencës letrare, me mendimin se poezia e një teoricieni i ngjan pak a shumë një frigoriferi mjetesh e figurash të ngrira ose një kasaforte që hapet veç me kod të posaçëm, Vinca i ofron një poezi të gjallë, në damarët e së cilës rrjedh gjaku i ngrohtë i esencave shqiptare dhe ujët e përmallshëm të Drinit plak. Në atë poezi vezullojnë kostumet shumëngjyrëshe të një folklori stërgjyshëror, parakalojnë emrat e njohur e të panjohur të etnosit të përditshëm, marrin formë ndjesitë, shpresat, revoltat dhe energjia e jetës kalimtare.

Lexuesin më kërkues, që kërkon nga poezia një shkallë abstraksioni të respektueshme, Vinca e fton në një udhëtim simbolik kah “psalmet e rrënjës”, aty ku në mënyrë të figurshme ngjizen identiteti dhe trajtat e “permanencës shqiptare”. Në grykën e këtij vullkani të çuditshëm që rri gjithë kohës zgjuar, poeti hedh ashtu pështjellueshëm dromca jete e ëndrrash, që atypari përzihen e mbruhen me magmën shekullore, për të dalë vrullshëm në sipërfaqe si flakë o si tym.

Atëbotë, para këtij spektakli çmeritës, poeti shndërrohet në një “urnë të gjallë”, e cila ushqehet me zjarrin e përbashkët të Ikarit shpresëmadh, të Don Kishotit shpresëmarrë, të Hamletit shpresëbjerrë dhe Faustit shpresëfarkëtues. Ai vjen e bëhet një vetje simbolike, në të cilën ndërthuret e gjithë problematika e poezisë: Shqytar i marrë, Ikar pa fletë,/ Pakëz Faust, pakëz Hamlet. Në aspektin formal të poezisë, sidoqoftë, kërkimi i Vincës gjurmon shtigjet e rrahura, ndonjëherë shumë të rrahura, duke mbetur besnik i traditës dhe i formave poetike që e kanë sprovuar vetveten. Ardian Marashi (Drejtor i Qendrës Albanologjike në Tiranë dhe profesor në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale –INALCO në Paris).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat