Çmimi “Kadare” hap garën për edicionin e pestë

Kultura

Çmimi “Kadare” hap garën për edicionin e pestë

Më: 27 mars 2019 Në ora: 11:18
Foto
Një sinopsis deri në dy faqe mbi veprën e shkruar dhe 15 faqe të veprave në dorëshkrim, janë ato në bazë të të cilave do të vlerësojë juria. Faza tjetër është shpallja e dhjetë veprave të përzgjedhura nga juria, që vazhdojnë garën për çmimin, i cili shpërblehet me 10 mijë euro. Sivjet juria kryesohet nga dramaturgu e gazetari shqiptar, Bashkim Hoxha e në përbërje ka shkrimtarin dhe publicistin Mehmet Kraja, përkthyesen e profesoreshën Diana Kastrati, studiuesen Genciana Egro, dhe drejtoreshën e UET PRESS, njëherësh edhe koordinatoren e ngjarjes, Alda Bardhyli.
 
Koordinatorja Bardhyli ka thënë se hyrja e konkursit në edicionin e pestë të tij tregon rritje të besueshmërisë së autorëve te ky konkurs, si një institucion i rëndësishëm i gjykimit të letërsisë shqipe.
 
“Qëllimi ynë është të motivojmë shkrimin e letërsisë dhe të kontribuojmë në vazhdimin e një tradite të çmuar letrare që ne kemi. Harta e këtij konkursi është e hapur për të gjitha hapësirat shqiptare. Edhe këtë vit ne presim autorë nga Kosova, Maqedonia apo diaspora të sjellin veprat e tyre në dorëshkrim”, ka thënë ajo.
 
Dëshmi për fuqizimin e këtij çmimi, sipas organizatoreve të konkursit, janë edhe veprat që janë shpërblyer deri më tani.
 
“Veprat e deritanishme fituese kanë arritur të ngjallin debat mbi letërsinë e sotme shqipe, por janë dhe një mënyrë për të parë letërsinë e sotme bashkëkohore. Fituesit e këtij çmimi ndër vite kanë qenë Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi”, shkruhet në njoftimin e tyre.
 
Fituesi i edicionit të pestë do të shpallet në Ditët Letrare të Razmës, që mbahen nga data 25-27 maj në Razëm, fshat që ndodhet rreth 41 kilometra në veri të Shkodrës dhe cilësohet si porta hyrëse e Alpeve shqiptare.
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat