Aktori Sabedin Shahiqi nderohet me çmimin për vepër jetësore

Kultura

Aktori Sabedin Shahiqi nderohet me çmimin për vepër jetësore

Më: 27 mars 2019 Në ora: 13:43
Aktori Sabedin Shahiqi dhe Kujtim Gashi

Aktori Sabedin Shahiqi është shpërblyer me çmimin kombëtar për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës e Kosovës, në ndarjen e përvitshme të çmimeve për teatër nga ky institucion. Ky çmim iu ndahet personaliteteve të shquara në fushën teatrit për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin për avancimin e teatrit.

Shahiqi nga viti 1971 e deri më sot ka luajtur mbi 90 role në teatër, film e televizion ku shumica prej tyre ishin role bartëse. Ai gjithashtu ka luajtur në disa filma dhe ka bërë gjashtë regji teatrale. Me punën e tij të suksesshme ka marrë shumë shpërblime, diploma dhe mirënjohje në festivale të shumta prej nivelit komunal e deri të ai federativ në ish-Jogosllavi.

Pas marrjes së këtij çmimi, aktori Shahiqi falënderoi ministrinë për këtë vlerësim, ndërsa uroi për suksese më të mëdha në fushën e kulturës.

Shahiqi: Faleminderit që më zgjodhët mua

“Shfrytëzoj rastin në këtë ceremoni të përshëndes të gjithë stafin e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, me në krye ministrin Kujtim Gashi. Me këtë rast, një përshëndetje të veçantë për jurinë dhe falënderim, që mua më zgjodhi të më ndajë çmimin e karrierës. Ju faleminderit ministrisë dhe suksese të ndritshme në kulturë dhe të shpërblyerve ju dëshiroj suksese edhe më të mëdha”, deklaroi Shahiqi.

Në ceremoninë që u organizua në Ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës ndau edhe 4 çmime të tjera.

Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar iu dha Shtëpisë Teatrore Filmike “Akt”, pasi në vitin 2018 me arsyetimin se kjo shtëpi filmike realizoi 8 prezantime ndërkombëtare në festivale prestigjioze.

Çmimi vjetor për aktorin më të mirë iu nda Mentor Zymberajt për rolin e “Hamletit” në shfaqjen “Ëndrra e Hamletit”. Për lojën e tij në këtë rol, u tha se Zymberaj është treguar i suksesshëm dhe autentik me artin e tij si në skenat vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare.

Çmimi për regjinë më të mirë i ka takuar Bekim Lumit, çmim ky qe jepet pas vdekjes, për shfaqjen “Arturo Ui”. Me këtë shfaqje, u tha se Lumi ka bërë regji të nivelit të lartë, ka dëshmuar profesionalizëm dhe inovacion duke e sjellë atë para publikut në mënyrë mjeshtërore. Çmimi u pranua nga e ëma e regjisorit të ndjerë.

Shfaqja “Arturo Ui” e Teatrit të Kosovës u nderua edhe me çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë të vitit. Kjo shfaqje u tha se është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon me realitetin kosovar, ndërsa për të mund të thuhet se është edhe emblemë e teatrit modern kosovar.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se nuk dyshon në profesionalizimin e jurisë që ka përzgjedhur fituesit, ndërsa falënderoi të gjithë laureatët për arritjet gjatë jetës së tyre, respektivisht gjatë vitit të kaluar.

Gashi: Jemi me fat që kemi kaq shumë artistë që na bëjnë krenar

“Ajo që mua më mbetet si ministër i Kulturës, si ministri apo edhe Qeveri e Kosovës, është që t’ju falënderojmë dhe të vlerësojmë për arritjet gjatë vitit 2018 dhe në të njëjtën kohë t’ju inkurajojmë që angazhimi juaj të vazhdojë edhe më tutje.[...]Jemi me fat edhe si shtet, edhe si popull, që kemi kaq shumë krijues e artistë të cilët me punën e tyre po na promovojnë shtetin tonë dhe në të njëjtën kohë po na bëjnë krenar”, deklaroi ministri Gashi.

Ministria e Kulturës është duke i ndarë të gjitha çmimet për të gjitha kategoritë që janë pjesë e kulturës dhe trashëgimisë, si shenjë vlerësimi për punën e të gjithë krijuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat