Nyja e Homerit

Kultura

Nyja e Homerit

Nga: Agim Desku Më: 28 mars 2019 Në ora: 22:45
Agim Desku

-Fishtiane

E kanë heshtur nga jeta të vërtetën që dhemb

Ende nuk është zgjidhur Nyja e Gordiut që shëron

Nuk e ka ndezur kot fenerin e jetës Homeri

Me gjuhën e Tanagrës folëm para Krishti.

E di njeriun e vrasjeve se kohës sime

Jeta ishte kryeneçe më mua dhe me heshtjen

Edhe pse kurrë nuk isha mëkatar i saj

Asnjëherë nuk mësova për historinë e drejtë.

Na fshehën nga dielli dhe gjuha e zotit

Vdekjet ishin më shumë se lindjet tona

Por, kurrë nuk u gjunjëzuam para asnjë stuhie

Lutjet i kam dëshmitar për ngritje mbi ozon

Verbërisht mësoja se si ndizej drita e diellit

Sytë e Eves më falnin bukurinë e Mona Lizës

Tani po i thyej copë e grimë gotat e dehjes mijëra vjeçare

Dhe shpirtin e lirë dua të ndajë nga ferri i Dantes.

Me Homerin nuk jemi larg t’i flasim njeri-tjetrit

Mjaft jetuam në gjuhën e huaj pa u njohur deri tani

Nuk e ndezi kot fenerin për t’i treguar botës rrëfimin e tij

Me *Tanagrën folën shqip gjashtëmbëdhjetë shekuj para Krishti.

Nuk është larg toka e jonë nga dielli i lirë i lirisë

Sa afër më rri kur vdekjen dhe lindjen ia fala çdo çast të jetës se bukur

Kur mësova të fshehtat dhe të drejtat e fenerit të Homerit

Atëherë vetvetiu më erdhi zgjidhja e gatshme

e Nyjës se Gordiut.

NJË JETË IA FALA FJALËS

Një jetë ferri e kalova deri këtu

Nuk e di cila është më e mirë

Jeta a vdekja për fjalën.

Kur yjet zbritën në tokë

Ishte fati i im t´i takoj vargut të jetës.

Mësova të fal dritë nga drita e tyre

Ëndrrova ëndrrat nga ëndrrat që s´kthehen më

Dashurova nga dashuritë e luftëtarëve

Kur nga mbretëreshat e zemrës zgjodhën atdheun.

E di ikjen e fjalës nga toka

Janë fytyrat e korbave që flasin më fjalën

Oborrëtarët e perandorëve ende jetojnë të lirë

Kanë fol më gjuhën e demonëve që bota nuk i njeh.

Sot nuk di cilën fjalë ta zgjedh për t´u bërë hero

Mëkatët e djajëve mua më thonë se më takojnë

Pse nuk u bëra kurrë një Donzhuan i marrë

Ah,bota i përkët këtij lloj njerëzimi të krisur.

FUNDI I PRITJES

Eci hapave të diellit

Nuk i shihet fundi pritjes

Askund dritë as pishë

Mbrëmjet kanë përqafue vetminë.

Rruga ime i ngjanë Homerit

Vetë vijnë vargjet kur kam dritë nga feneri i tij

Nëse jam bir pellazgu

Këtë e di nga emri im Agim.

Deri dje udhëkryqet i kemi nda sebashku

Sa herë u këputën gjethet e trëndafilave

Më lot u ndamë nga valët e detit të krsur

Rrugëve tona më nuk ju dihet adresa.

Askush nuk kalon më udhëve të ferrit

Njeriu i vetëm mbeta që i besova fjalës.

E mendova të shejtë si vetë gjuha e perëndive

I erdhi fundi i pritjes, po zbresim shkallëve të Titanikut.

Nëse serish bashkohen udhëkryqet tona

Dyluftimin me Bajlozët e dua pa asnjë çmim

I ruaj traditat e Gjergj Elez Alisë.

E di kjo tokë po vritet pak nga pak

E kuptova kur e kërkova fjalën

gjithandej lartësive të Olimpit.

PORTA E DIELLIT

-26 Mars 1999 Rogovë e Hasit-

Unë pa i gjetë bijtë e mi

e dua të dehur këtë liri.

Bir hape portën e diellit

Dua të ngriti një gotë verë

Të dehem edhe kështu e krisur jam

Si nuk di liria se në cilën masakër mbeta.

Diell nëse edhe ti më le të vetme

Ku të gjej ngrohjen e lirisë

Edhe pas njëzet vite vdekjesh

Unë masakra e Rugovës,Reçakut,Izbicës.

Prapë e vetme mbeta pa katër bijtë e mi

Luftëtarët që ju falën lirisë

U vramë për dashuritë e zemrës

Pse nuk deshëm ta koritim shpatën e Gjergjit.

Hej liri ndezma pak pishë migjeniane

T´i shoh hartat e udhëve që ecin bijtë e mi

Janë ngritur yjeve mbi Ozon e Olimp

Ka njëzet vite më demonë në luftë janë.

Bir hape portën e zemrës

Dashuri kërko nga toka që mbeti e gjallë

Nuk mbeti e vëjë siq e thonë oborrtarët

Më zgjo nga ëndrrat që s´kanë shpëtim.

Liri u lindem dhe u rritëm bashkë me ty

Dolëm nga ferri veç më njërin sy

Tani si të ecim të vërbuar a të lirë

Unë pa i gjetë bijtë e dua të dehur këtë liri.

UNITETI

-Rikujtim tek Verrat e Llukës,1990

Pesqind mijë vetë merrnin frymë

Pesë shekuj u mblodhën bashkë

Motrat falnin gjakun e të vetmit vëlla

Pranë lotëve të syve kjo ngjarje më ndodhi.

Atë ditë Verrat e Llukës kishin festë

Dora e pajtimit pas asaj të Lezhës u shtri

Vëllai vëllain përqafoj me ç'dashuri

Dhe vdekjet ikën në botën e Bajlozëve.

Ëndrrat më rikthejnë kur gishtat ngritëshin në V

Prapë lindem më jetën

dhe kënga e Verrave të Llukës u bë hymn

e kushtrim.

Sot sa e dua ta sho të shtrirë dorën,

që nga mëngjesi deri mbrëmjeve vonë

Të përqafojmë çdo pëllëmbë tokë deri në Valbonë.

Ah, ti Shqipëri përse më rri kaq larg

karshi

Më shiko në ballë e drejt në sy

Fjala më e bukur dhe loti më rrjedh vetëm për ty.

Shtrije dorën vëlla

dhe kujto shtatë thuprat e Gjergjit

Rikthehu nga Lezha

në Lidhjen e Prizrenit.

Rri më kujtimet e Vlorës

Shotës dhe Azemit.

Se sot o kurrë është koha

për kush është burrë.

Ç´KUJTIME VRITËN

-Shtëpisë se Fishtës

Të rroj me ç´mall ta shoh shtëpinë ku vargu mori dhenë e shqiponja thuri folenë.

Ç´më ndalojnë kujtimet t´i ngriti përherë në diell
Të mos i zë ndryshku i thellësive titanikiane
M´i kthe vetëm ditët kur flaka e jetës ishte vet qielli pa re shiu
Nëtët t´i paqa falë nëse isha një i dehur i fjalës së dhënë.

Sa afër të vërtetës isha kur jeta më nuk ishte përrallë
E di se si tallen me kujtimet e fjalës që mua më mbajnë jetën të gjallë
Jam lodhur nga dyluftimet me ferrin që ma krijuan gotat e dehjes
Më mjafton nëse m´i riktheni lulet kur dëgjoj simfonitë e funeraleve.

Nuk mbaj edhe shumë vite mbi supet e mia përpos pesë shekuj rëbelim
Të gjitha kujtimet më janë kthyer në gotë helmi sa herë kërkoj të bërtas
Pse Fishtën ma fshehën tërë një jetë pa kthim dhe mua më bënë të pabesë
A thua nuk ka zot që nuk i vranë rëbelët që vranë Homorin shqiptar.

E kam përjetue në fisin tim se cilët na vranë e na shanë
Ishin armiq,okupatorë dhe çfarë është edhe ma keq bisha mali
Por,pse duhet vrarë njeri-tjetrin këtë fare nuk e kam shkrue në ditar
Kam mendue ta gjëj shtëpinë e Fishtës rrethue veq në ar dhe margaritar.

Dhe pyes a kemi ne Zot,a kemi fe ,a kemi ne atdhe ,a kemi ne Homer
Bota do ishte me fat nëse një Fishtë do të ju lindë edhe pas pesë shekujsh
Do ta pritnin me trëndafilat e kuq dhe fjalët për besë të Shqipnisë
Të rroj me ç´mall ta shoh shtëpinë ku vargu mori dhenë e shqiponja thuri folenë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat