Teatri i Mitrovicës merr emrin e Muharrem Qenës si shembull e frymëzim

Kultura

Teatri i Mitrovicës merr emrin e Muharrem Qenës si shembull e frymëzim

Më: 29 mars 2019 Në ora: 15:11
Muharrem Qena

Një gjë e tillë është vendosur në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës të enjten. Asamblistët me unanimitet kanë votuar propozimin që emri i Muharrem Qenës të jetë edhe emër i Teatrit të qytetit.

I lindur në qershor të vitit 1930, Qena do të shndërrohej në një prej figurave më reprezentative të artistëve të gjeneratës së parë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjendej në radhët e shkrimtarëve, regjisorëve, këngëtarëve e aktorëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ishte prej kontributdhënësve kryesorë të themelimit të skenës teatrore kosovare. Gati 13 vjet pas vdekjes së tij, është vendosur që Teatri i qytetit të bartë emrin e tij. Nëse të rinjve të Mitrovicës u duhet shembull i një artisti të kompletuar, nuk do ta kenë të vështirë të hulumtojnë për të. Tashmë e kanë si emër të institucionit kryesor kulturor në qytet.

Lajmi i së enjtes është mirëpritur nga familjarët e Qenës. Motra e tij, aktorja e regjisorja, Melihate Qena, ka thënë se i ka ardhur shumë mirë për vendimin e Komunës së Mitrovicës, pasi Ministria e Kulturës shumë pak është duke u kujdesur për emrat e njerëzve që kanë lënë gjurmë në art. Ka kritikuar edhe qasjen e Komunës së Prishtinës.

“Muharremi përpos që ishte që nga fillimi i Teatrit të Prishtinës, ku krijoi veprat e tij me të çmuara, ishte meritor edhe për fillimin e punës së Teatrit në Prizren, Gjakovë, Gjilan dhe gjithnjë trasoi rrugë për të tjerët. “Uroj që kjo prani e tij shpirtërore të rilindë ndjenjën e dashurinë për Teatrin e artin në përgjithësi jo vetëm në Mitrovicë, por në të gjithë Kosovën”, ka thënë Qena.

Muharrem Qena u lind në Mitrovicë në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale. Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin ndër krijuesit më të mirënjohur kosovarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat