Kosova e Shqipëria pritet të bëhen me fond të përbashkët kulturor

Kultura

Kosova e Shqipëria pritet të bëhen me fond të përbashkët kulturor

Më: 9 prill 2019 Në ora: 16:10
Pamje nga takimi

Të martën në Tiranë është nënshkruar Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor në mes të Ministrisë se Kulturës të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Në takimin e dy ministrave u tha se kjo është një ngjarje e madhe në të dy anët e kufirit ndërsa u diskutua edhe për mundësinë e krijimit të një fondi të përbashkët kulturor.

Pas nënshkrimit të dokumentit, ministri Kujtim Gashi tha se kalendari parasheh aktivitete të shumta kulturore në të dy anët e kufirit, gjatë vitit 2019.Ai tha se janë të përfshira të gjitha institucionet kulturore.

Sipas tij, ka qenë përkushtim i të dy ministrive që të finalizojnë dokumentin me një rifreskim të aktiviteteve të shumta.

Gashi: Ky është moment shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe Shqipërinë

“Tashmë kemi krijuar një traditë të organizimeve të përbashkëta të aktiviteteve kulturore, të ngjarjeve kulturore, festivaleve, të ngjarjeve që kanë karakter vendor dhe ndërkombëtar dhe ky është moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, Shqipërinë dhe komunitetin kulturor në përgjithësi. Ajo që po ashtu sot në këtë takim diskutuam bashkë me ministren, është momenti ndoshta në një të ardhme të afërt të krijimit të një fondi të përbashkët kulturor. Ideja është që nga mbështetja financiare e aktiviteteve kulturore në institucionet kulturore të kalojmë edhe te pjesa e aktiviteteve të pavarura kulturore", tha ai.

Ministri Gashi deklaroi se insistojnë të mbështesin skenën e pavarur kulturore.

Sipas tij në ditët në vazhdim të dy ministritë do gjejnë mundësi që të krijojnë në fund të vitit një fond të përbashkët, i cili do të implementohet gjatë vitit 2020.

Elva Margariti, e cila tani drejton Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, foli për rëndësinë që ka kultura për të dy vendet.

Margariti: Jemi në dakordësi që të ketë edhe shumë aktivitete të tjera

“Kultura ka treguar që i ka lidhur këto dy vende, jemi familje e madhe dhe këtë kultura gjithmonë e ka treguar. Kufijtë kultura i ka kapërcyer shumë më shpejtë se shumë dimensione të tjera që i lidhin dy vendet tona, dhe aktivitetet janë vetëm një pikë e vogël lidhëse, janë vetëm disa kontakte të vazhdueshme të formalizuara brenda një kalendari, por qe jemi në dakordësi që do të ketë edhe shumë të tjera me siguri më pas”, tha ajo.

Ministrja Margariti tha se kjo traditë e ka treguar që po fton persona gjithmonë e më shume si nga Kosova ashtu nga Shqipëria, që të krijojnë urën lidhëse midis aktiviteteve kulturore.

Kujtojmë qe Kosova dhe Shqipëria pajtohen për Kalendarin e përbashkët Kulturor vjetor duke ju referuar "Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik ndërmjet Qeverisë se Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 11 janar 2014 në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat