Gjuha dhe të mbjellat e saj

Kultura

Gjuha dhe të mbjellat e saj

Nga: Atdhe Geci Më: 9 prill 2019 Në ora: 21:15
Atdhe Geci

Zotërimi i mirë i gjuhës standarde shqipe është detyrë intelektuale, detyrë qytetare, e në radhë të parë, detyrë e çdo mësuesi, të çdo lënde, që atë ta zbatojnë dhe ta respektojnë!...

Bahtijar Kryeziu lindi në Roganë të Dardanës, më 1.8.1949. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin në Dardanë. Pas shkollës së mesme, Bahtijari, rend drejt universit të dijeve, drejt mësimnxënieve të mirëfillta. Në Universitetin e Prishtinës, Bahtijar Kryeziu, së pari përfundon studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike e pastaj regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë (ish Fakulteti Filozofik), Departamenti Gjuhë dhe i Letërsi Shqipe. I pasionuar pas artit dhe shkencës, ai mëson dhe zbulon më të panjohurat e pashkruara. Dashuria për gjuhën dhe për fjalën e latuar shqipe, të folur e të shkruar drejt e mirë, ishte dhe mbetet detyrë parësore për profesor Bahtijarin. Kryeziu, në afat rekord merr diplomën e fakultetit për Gjuhë dhe Letërsi Shqipw. Në moshën më të bardhë të rinisë (siç themi ne), sa për të plotësuar nevojat elementare ekonomike të asaj kohe të rëndë, po aq edhe për të mbjellë farën e shqipes te brezat e rinj, në moshë krejt të re, Bahtijar Kryeziu, merr ditarin për të ligjëruar gjuhën shqipe, bash shqip në Shkollën fillore “Metush Krasniqi” (atëherë 1 Maji”) të Roganës - atë gjuhë që e lëruan, e pasuruan dhe e pastruan me aq përkushtim, e zell mjeshtrit tanë dorëmbarë: bilbili i shqipes - Naim Frashëri, babai i shqipes – Konstandin Kristoforidhi, artisti i fjalës së shkruar – Gjergj Fishta, albanologu e ballkanologu i pakapërcyeshëm deri më sot – Dr. Eqrem Çabej, Arushani dhe ustai më i mirë i letrarishtes sonë, mësuesi shumë i respektuar i Kryeziut – akademik Idriz Ajeti, pastaj akademik Gjovalin Shkurtaj, akademik Rexhep Ismajli, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Seit Mansaku dhe emra të tjerë, të cilët si dje, ashtu dhe sot janë kryefjala e gjuhës sonë të bukur. “Asnjëherë nuk kam menduar t´i rrëfej ato vite - më thotë Kryeziu. Idetë e të krijuarit janë në secilën shkronjë, në secilën flatër të saj. Që kur isha student unë e kuptova qartë porosinë e rilindësve tanë të çmuar të cilët fjalën shqipe e kërkuan kudo: “n’valëvitje t’lashtash, n’vringëllima shpatash, n’themele kështjellash, në gojë brezash, në trungje lisash e në zdrale plisash”, dhe, mbështetur në atë porosi, unë i caktova vetes detyrat e së ardhmes.

Libri i gjuhës së tokës - më thotë Bahtijari, është libri më i lashtë. Në atë libër janë të gjitha artet dhe shkencat e pazbuluara. Leximi im fillestar ishte onomastika (toponimia - emërvendet, patronimia – emra fisesh e llagapesh, antroponimia – emra njerëzish të kohërave të ndryshme dhe zanafilla e tyre), fosilet gjuhësore të së kaluarës dhe gjaku i fjalëve në rrënjët e shqipes. Studimet e mia të para dhe më serioze, siç spikatëm më sipër, qenë ato për emërvendet, si nga aspekti sinkronik, ashtu edhe nga ai diakronik, si dhe debatet për problemet e gjuhës, në librat tanë, në mjetet e informimit elektronik, në shtypin e kohës etj. Gjatë punës sime shumëvjeçare kam hetuar se shtrirja dhe rrënjët e gjuhës shqipe tek emërvendet është minierë e pashtershme që të shpie në shpjegimet më interesante të onomave me një etimologji të lashtësisë sonë.

Profesor doktor Bahtijar Kryeziu është personalitet i nderuar, si në shkencën e albanologjisë, ashtu edhe në veprimtarinë edukativo-arsimore në Universitetin e Prishtinës e më gjerë, këtu e 39 vjet më parë, esetë e tij në fushën e gjuhësisë janë të vlerësuar, nga studiuesit tanë më eminentë (akademik Idriz Ajeti, akademik Gjovalin Shkurtaj, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Ali Jashari, prof. dr. Rexhep Doçi, prof. dr. Faik Shkodra, prof. dr, Ragip Mulaku, prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Begzad Baliu e studiues të tjerë. Prof..dr. Bahtijar Kryeziu, sigurisht se zë vendin në mesin e së paku 40 studiuesve të shquar fushash të ndryshme albanologjike (akademikë, profesorë doktorë e ekspertë të tjerë të shqipes). Bahtijari është autor i 17 botimeve, si autor i vetëm apo te disa edhe si bashkautor, dhe i dy veprave në dorëshkrim (me gjithsej .... mijë faqe tekst), 160 publikime shkencore; në revista, gazeta e botime të veçanta, të botuara në Kosovë dhe jashtë Kosove dhe ka qenë pjesëmarrës 155 herë me kumtesa në vend dhe jashtë Kosove .

Veprat e botuara të Prof. dr. Bahtijar Kryeziut janë:

1. Onomastika e Hashanisë (studim monografik), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2000, faqe 264.

2. “Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës 1945-2000 I” (Monografi), Gjilan, 2001 (me bashkautor), faqe 298.

3. Biobibliografi e magjistrave dhe e doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës I, Prishtinë, 2003, faqe 583.

4. “Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës 2000-2005 II”, Gjilan, 2006, f. 219. (me bashkautor).

5. Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanocit, IAP, Prishtinë, 2006, faqe 240.

6. Si të flasim dhe si të shkruajmë drejt, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2006, faqe 218.

7. Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe, “Shkëndija”, Prishtinë, 2008, faqe 230 (me bashkautor).

8. Gjuhë amtare – Njohuri për gjuhën, Fonetikë, Morfologji, Sintaksë (tekst universitar), Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Korçës, Prishtinë, 2010 (me bashkautor), faqe 472.

9. Trajtesa onomastike, “Shkëndija”, Prishtinë, 2010, faqe 266.

10. Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2011, faqe 271.

11. Gjuhë amtare – Njohuri për gjuhën Fonetikë, Morfologji, Sintaksë (tekst universitar – botimi II i plotësuar), Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Korçës, Prishtinë, 2011 (me bashkautor), faqe 472.

12. Për fjalën shqipe, “Shkëndija”, Prishtinë, faqe 263;

13. Recensa filologjike, ShB ERA, Prishtinë, 2014, 272;

14. Opinione, përurime, intervista, ERA, Prishtinë, 2014, faqe 302;

15. Gjuhë amtare – Njohuri për gjuhën Fonetikë, Morfologji, Sintaksë (tekst universitar – botimi III i plotësuar), Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Korçës, Prishtinë, 2017 (me bashkautor), faqe 472.

16. Rrapi Shekullor – Akademik Idriz Ajeti, ERA, Prishtinë, 2017, (me bashkautor), faqe 304;

17. Shqipja në synorin e studiuesve tanë, Prishtinë, 2018, faqe 264.

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, përveç veprave të zëna në gojë, për nevojat e studentëve të Fakultetit të Edukimit, ka botuar edhe pesë dispensa: në fushën e gjuhësisë (të kulturës dhe standardit të gjuhës), të shkrimit akademik”, të metodologjisë së gjuhës amtare (një për Programin fillor dhe tjetrën për Programin parafillor), si dhe dispensën “Kulturë shkrimi” për studentët e nivelit master të Fakultetit të Edukimit të UP-së.

Krahas angazhimit të tij si mësimdhënës, punës hulumtuese-shkencore, ai, në institucionet universitare, ka ushtruar edhe detyra me përgjegjësi: 3 mandate ishte shef i departamentit të Programit fillor, një mandat zëvendësdrejtor, dy mandate drejtor i ShLP-së, kurse me themelimin e Fakultetit të Edukimit të Prishtinës – Qendra në Gjilan, dy mandate ishte zëvendësdekan i FE-së. Edhe 14 vjet ka qenë anëtar i Senatit të UP-së, anëtar i Këshillit Shtetëror të Kosovës për Kurrikulën Parauniversitare etj. Po ashtu, Kryeziu, ka bërë edhe punën e lektorit dhe të recensuesit për disa vepra, si dhe të recensentit për shumë kandidatë për titujt universitarë. Ka marrë pjesë edhe në mbi 54 tryeza shkencore, konferenca, simpoziume, kongrese e tubime të tjera shkencore, në vend dhe jashtë vendi, si dhe mbi 15 herë ka pasur qëndrime studimore në universitete të shteteve të jashtme. Ka qenë dhe është udhëheqës i disa projekteve shkencore të kandidatëve për master dhe anëtar jurie për kandidatë në mbrojtje të disertacioneve të tyre.

Derisa Shoqatën e Gjuhës Shqipe të Kosovës e udhëhiqte profesor Isa Bajçinca (tashmë i ndjerë), një njohës i shkëlqyer i shkrimit shqip, Kryeziu ishte anëtar i Kryesisë të Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës, si dhe anëtar i Redaksisë së revistës “Kuturë gjuhe” që e boton kjo shoqatë etj. Për këtë ndihmesë profesionale-shkencore, punën e palodhur me studentë, njësia akademike e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, më 3 shtator 2012, profesor Bahtijarin e kishte propozuar për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – një mirënjohje dhe pranim për zotimin e tij që edhe i takonte, ani se shërbimi i Akademisë, jo që nuk e informoi për “fatin” e tij në atë konkurrencë, por as dokumentacionin ia gjetën kur Kryeziu e kërkoi atë.

Ky shkrim do të jetë tepër i shkurtër për 17 botimet e prof. dr. Bahtjar Kryeziut dhe për gjithë atë veprimtari të tij aq të gjerë dhe aq të thellë. Publik i nderuar, pasionantë të gjuhës; është kënaqësi e madhe për mua, të intervistoj një artist të fjalës, një shkencëtar, një publicist, një monografist, një moderator krijues dhe një mbjellës të gjuhës së ëmbël shqipe. Shkencëtarët e gjuhës (që studiojnë rrënjët e shqipes dhe të kombit tonë), jo rrallë, janë heronj të pranuar të dijeve. Prof. dr. Bahtjar Kryeziu, vazhdon të hulumtojë pareshtur për çështjet më të pashkruara, të pazbuluara, të pathëna deri më tashti të gjuhës sonë. Veprat e Kryeziut, si në rrafshin kohor, ashtu edhe në atë hapësinor, janë të mirëfillta, aktuale dhe me interes për gjuhësinë dhe kulturën tonë. Studiuesi i shquar, Emil Lafe, profesor nga Shqipëria, recensent i librit të prof. dr. Bahtjar Kryeziut, “Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik”, vlerëson se libri “Shqipja e sotme...”që doli nga shtypi, përfaqëson një përmbledhje shkrimesh tematike: “Kundrime gjuhësore”, “Kumtime”, “Gjuha dhe shkolla”, “Gjuha në praktikë”. Trajtesat e renditura që zënë një të tretën e vëllimit të librit, u kushtohen çështjeve që diskutohen sot më së shumti lidhur me shqipen standarde, me kërkesat për përmirësime, ndryshime, rishikime etj., dhe që frymëzohen jo rrallë nga motive jashtëgjuhësore. Me këtë libër prof. dr. Bahtijar Kryeziu pasuron bibliotekën e gjuhësisë Normative Shqiptare me një vepër, jo vetëm me vlerë shkencore, por edhe me rreze veprimi të gjera për shqipen e shqiptarinë. Libri u drejtohet të gjithëve e veçmas, kolegëve të tij në fushën e studimit e të mësimdhënies, të cilët do të gjejnë aty pikëpamje, ide, argumente, probleme, shqetësime, rreth të cilave edhe ata vetë kanë shkruar e menduar. Me të drejt shkruan Lafe, libri “Shqipja e sotme”,ka vlerë të veçantë për mësuesit e gjuhës, për studentët dhe për ata që merren me probleme praktike të gjuhës standarde në ente të ndryshme botuese, në gazeta e revista, në administratë etj.

Prof. dr. Bahtiiar Kryeziu është një mësues i mirë dhe një autor i librave të mirëfilltë. Mendimi im - vazhdon Lafe, se prof. dr. Bahtjar Kryeziu, ka aftësinë dhe durimin që studentëve të vet t’u krijojë bindjen e shëndoshë se zotërimi i mirë i gjuhës standarde është detyrë intelektuale, detyrë qytetare, e sidomos, detyrë e çdo mësuesi të çdo lënde. Ndërkaq akademik Gjovalin Shkurtaj, profesor nga Shqipëria, duke folur për veprën e prof. Bahtjarit, shprehet: “Me doktoraturën dhe pastaj monografinë e tij “Onomastika e Hashanisë”, z. Bahtiar Kryeziu hyn “me këmbë të mbarë” në shkencë, duke e vijuar me sukses punën e tij hulumtuese e shtjellimet, jo vetëm në lëmin e onomastikës, po edhe duke shkruar e botuar një varg të tërë veprash: monografi, libra për kulturën e gjuhës dhe për aspekte me rëndësi të shqipes së sotme dhe tekste e parashtresa me vlerë për shkollën shqipe. Shkenca albanologjike dhe studimet mbi të tashmen janë të zgjeruara në të gjitha fushat e dijeve humanitare: nga arkeologjia, mitologjia e deri te antropologjia e semasiologjia.

Edhe studiuesit tonë të njohur, dr. Qemal Muratit, nuk i ka shpëtuar nga syri libri i Kryeziut “Si të flasim dhe si të shkruajmë drejt”, i cili, në cilësinë e recensuesit të këtij botimi, duke shkruar për këtë libër, në revistën “Gjuha shqipe , nr. 3, IAP, Prishtinë, 2006), ndër të tjerash shkruan: “Gjuhëtari dr. Bahtijar Kryeziu si një bahçevan i mirë i gjuhës, në punën e tij të përkorët në këtë botim, gjuhën letrare shqipe e kultivon, e pasuron, e pastron dhe e selit aty farën e shëndoshë, e cila doemos do të japë fryt tek ata që do ta përdorin. Literaturës lingu¬istike në fushën e normës dhe të kulturës gjuhësore përgjithësisht me këtë botim kësisoj i shtohet edhe një vepër me rëndësi kapitale dhe me vlera të çmueshme”. Për shkak të natyrës së këtij punimi, nuk do të shtojmë edhe mendime të studiuesve-kritikëve të tjerë për veprat e Kryeziut, por e shohim të arsyeshme që të themi vetëm edhe këtë, se kur ke parasysh këtë opus të Kryeziut, vlerësimet e gjuhëtarëve më të mirë të shqipes, ndoshta vlen si “peshore” të përmendet ajo që shkrimtari i njohur francez Andre Zhid (Gide), me një ironi të lehtë, kishte thënë dikur: “Kur lexoj kritikët e mi e kuptoj se sa i mençur jam”.

Rogana dhe qytetarët e saj janë krenarë, për birin e tyre: shkrimtar, shkencëtar dhe publicist. Gjuha dhe të mbjellat e saj nuk kanë të përcaktuar, as kohë as stinë. Krijuesit e saj të mirëfilltë, janë brenda zemrës së shkronjave dhe gjelbërimit të tyre. E urojmë prof. dr. Bahtjar Kryeziun, për veprat e tij të radhës, vërtet monumentale për gjuhën dhe shkencat albanologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat