Shpirti shqiptar dhe shëndeti i shpirtit

Kultura

Shpirti shqiptar dhe shëndeti i shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 10 prill 2019 Në ora: 09:11
Shqiptarit i ka hije fjala dhe pushka.

Shpirti është shkenca supreme. Asgjë nuk mund të qëndrojë përmbi këtë shkencë. Shpirti është energji e përjetshme, e pavdekshme, personale, që vjen nga Zoti dhe kthehet te Ai përmes përmbushjes së dëshirës së tij. Qenja e shpirtit është tejet e thellë. Sipas Heraklitit, atë s'mund ta gjesh, edhe po qe se e kërkon përgjatë krejt rrugëve të botës. Na e merr mendja se në Ballkan mund të bëhesh filozof, edhe pa e studjuar filozofinë. Qëllimi elementar i saj është fisnikërimi i shpirtit, shëndeti i tij. Hareja, gëzimi, kënga dhe muzika ishin veti e përditshme e dardanëve. Arti lind nga imagjinata ndërsa muzika është kënaqësia e shpirtit. Thonë se leximi ushqen trurin, poezia shpreh shpirtin e njeriut, ndërsa letërsia shpreh shpirtin e kohës. Sytë janë pasqyra e shpirtit. Ato janë mjet i jashtëzakonshëm, për të depërtuar në shpirt. Shpirt i trazuar, shpirt i frymëzuar shpirt i shenjtë.

Thonë se edhe fjala ka shpirt. Nuk të shërojnë ilaçet, sa të shërojnë fjalët. Shqiptarit i ka hije fjala dhe pushka. Fjalët e bukura janë si një hoje mjalti: të mira për shpirt dhe të shëndetshme për eshtra. Libri është shëndeti i shpirtit. Shpirti i fshatit, shpirti i gjumit, trupeshpirt, shpirt’ i dashurisë. Cilat janë specialitetet e shpirtit? Shpalimi i gjirit të femrës është ilaç i mirë për shpirtin, ndërsa beli i bukur, ushqim i shijshëm për ndjenjat. Kur vjen fjala për shpirtin, vlen ta përmendim femrën femra si frymëzim poetik dhe artistik. Burim i përshkruar në disa mënyra përgjatë kohës, në arte të ndryshme, gruaja ka mbetur një prezencë konstante, jo vetëm në këngë, poezi dhe romane, por edhe në pikturën shqiptare, duke reflektuar perceptimet e artistëve dhe të shoqërisë.

Nga portrete familjesh e deri në aspekte nga jeta shtëpiake apo sociale, nga përfytyrime sublime të maternitetit, gjithmonë me femra misterioze apo fshatarka të thjeshta, një suitë shëmbëlltyrash e siluetash reflektohen në tabllo emblematike të disa nga artistët më të shquar shqiptarë, që nga Ibrahim Kodra dhe pararendësit e tij, e deri te Dan Gashi, Asllan Dibrani, Jetullah Haliti, Destan Gashi, Ben Kamili, Afrim Shatku etj. Femrat shqiptare kanë marrë pjesë edhe në evenimente të mëdha historike. Numri i tyre është i panumërt. Ata janë shquar përmes luftës së tyre, duke e qëndisur me shkronja të arta historinë e atdheut.

Shqiptari ngado që shkon, vendin e vet s’e harron. shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore. Kurrë s’trembet shqipëtari, që ka në zemër, gjak si zjarri. Shka bojn shqyptarët e mjerë? - pyeste Gjergj Fishta për dembelat e Ballkanit, duke shtuar: Hanë fiq e qesin petlla n’ujë. Dhe e shikojnë ushtarin e huj. Pale a e ka fesin qyp apo kapelë. Pale a e ka kalin at apo pelë! Të këtillë na duken sot, ata që i hedhin më shumë lekët për cigare e kafe, se sa për shtyp e për fe. Me çikto njerëz nuk dritohen brinat e dashit, na thoshte një mik nga vendlindja, në kohën kur Përtac Trishtimi dimëronte edhe gjatë verës. Shqiptarët dikurë digjeshin për Shqipërinë. Ku janë ata shqiptarë të hatashëm, që i kishim në kohën e Dedë Gjon Lulit, Isa Boletinit, Xhelal Gjurës dhe Lazim Rexhepit? Burra e shkuar burrave, për nderë e për shpresë, për trimëri e për besë. Ku është zemërgjerësia karakteristike, e atyre që shkriheshin për komb e atdhe, siç ishin rilindasit tanë, atëherë kur toska e gega, myslimani e i krishteri, hidheshin në flakë të barotit, për t’ia shpëtuar trojet Shqipërisë, nga hazërxhinjtë e Turqisë dhe derrat e Rusisë!

Shpirti shqiptar është shpirt i shenjtë. Skënderbeu përleshej me Islamin, ndërsa Adem Jashari me Sllobodanin. Njëra palë me ata që na e ngulfatën dembelizmin dhe fanatizmin, ndërsa tjetra palë, me ata që na bënë gurabi, kompira, apo myzevira. Falënderojmë Zotin që iku ajo kohë kopiliste, kur shqiptari e shiste shqiptarin! Vetëm në kohën e komunizmit, njeriu shkonte në burg, për një fjalë goje. Shyqyr Zotit që bota shqiptare, tashmë ndërlidhet me Perëndimin katolik, siç ka qenë edhe ajo dikurë, që nga Presheva e Kodrës, e deri te Universiteti Katolik i Shkodrës. Që nga Suli i sokoleshave që hidheshin nga shkrepat, për të mos rënë në kthetrat e fanatikëve të Azisë, e deri te trimëreshat e Drenicës, që rrokullisnin shkrepa malesh, kundër bishave të Serbisë. Ato sot e kësaj dite mbajnë do emra e mbiemra të bekuar: Gjura, Gjergji, Gashi, Mhilli, Sokoli, Pashku, Antoni, Krasniqi etj. Dil o Skënderbe nga varri, ta shikosh si ia jep sot dërmën shqiptari, edhe palës dembeliste, edhe bushtrës komuniste! Shpirti shqiptar është shpirt i punës. Jo më kot, Enver Prifti e pagëzoi partinë e tij, Partia e Punës, edhepse paralelisht me punën, e praktikonte edhe dhunën. Shqipëri moj Nëna ime, ndonëse jam i mërguar, Zërin tënd moj Zemër, nuk e kam harruar!

Shqipëria është Izrael i Ballkanit, ndërsa Izraeli, Shqipëri e Mesdheut. E njëjta pozitë gjeografike, i njëjti numër banorësh, të njëjtat injorime e persekutime. Të parës s’ia njihnin pavarësinë e Kosovës, të dytën e injoronin arabët, si komb e si fe, edhepse feja e hebrenjve, është për një gjysmë mileniumi, më e vjetër dhe më e shenjtë. Pse? Ngase në vend të parimeve të haxhillëkut dhe shehadetit, preferohen shtatë parime të shenjta, të denja për çdo shqiptar: Duaje Zotin si vetveten! Duaje familjen dhe farefisin porsi Zotin! Mos mashtro! Mos vidh! Mos vraj! Mos bën kodoshllëk! Mos u kreno! Skënderbeu i nxorri trupat e stërgjyshërve tanë, për ta mbrojtur Evropën, nga rreziku sulltanist. Paraja e vërtit botën. Ajo është nervi i luftës. Jemi kundër luftës, por lufta që ka krisur, është luftë kundër luftës. Disa e konsiderojnë si lufta e tretë botërore: mënjanë janë forcat e territ, pronarë grashë e atentatesh të panumërta, të fshehur nëpër shpella, në anën tjetër janë forcat e dritës, për përhapjen e dritës, edhe atje ku fanatizmi, krijoi mjerim.

Forca morale, përherë është në anën e atyre që i besojnë Zotit. Po ku mund të ketë në botë, besimtarë më të mëdhenj se gjermanët dhe amerikanët! Nuk është qëllimi vetëm te vërtitja e tespive dhe diskriminimi i femrës, por te fisnikërimi i shpirtit përmes lirisë, drejtësisë, përgjegjësisë dhe barazisë. Der Kraft kommt aus dem Herzen, thonë gjermanët (Fuqia vjen nga zemra). Thonë e ç’nuk thonë. Thonë se ilaçet bëhen nga shpirtërat e njerëzve të mirë. Vallëzimi është sport, meditim, shpirt dhe poezi, rruga më e mirë për të arritur në shpirtin e një femre. Mjeti më i mirë për përsosjen e shpirtit, është nxitja e trupit. Edhe vetura ka shpirt, po qe se e parkon para diskotekës së Dan Dinit në Shipkovicë. Po qe se i hedh ca vaj, ajo e lyen shpirtin e saj. Po ku je mor shpirt, i thot gruaja burrit kur kthehet nga kurbeti me limuzinë. Po ti ku je moj loçka jeme, ia kthen mërgimtari i përmalluar, për ta ndjerë shpirtin e saj, para se ta shohë shpirtin e fshatit.

Xhelal Jakupi thekson në kuadrin e një komenti: Shpirti është qenësi e Krijuesit.Trupi është qenësi e tokës. Njeriu është krijuar prej dy përbërjeve: shpirtit dhe trupit. Shpirti është qenësi e Krijuesit të Madhërishëm dhe është i përhershëm e i pavdekshëm. Trupi është nga dheu dhe kthehet në dhe sipas përcaktimit të Zotit. Cili pra qenka më i rëndësishëm: shpirti që e lëviz trupin dhe që është i përhershmëm, apo trupi që detyrimisht shpërbëhet dhe i kthehet tokës? Ushqejeni sa më shumë shpirtin në e dëshironi pavdeksinë dhe lumturinë e përhershme! Trupin sa do që ta ushqeni, tokës do t'ia ktheni! Shpirti i fshatit është shpirti i kombit. Kaq sa për shpirtin sot, ngase mund të preket dikush që ende se ka kuptuar se shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore. (Bukuresht 2019)

BUKURIA ËSHTË DHURATA E ZOTIT

Në gjuhën angleze qarkullon shprehja "Beauty is the gift of God", që mund të përkthehet me fjalë të tjera: „Bukuria është dhuntia e Divinitetit”. Fjala divinitet përdoret fare pak në letrat e sotme shqipe. „Shqipëria Divine” (dmth. „Shqipëria Hyjnore”), theksonte autori i gramatikës së parë shqipe, Ilia Dilo Sheperi në kohën e tij. Bukuri hyjnore, bukuri magjike, apo bukuri e bekuar. Bukuria apo hijeshia kondiderohen si një aspekt që e përgëzojnë, trimërojnë dhe lumturojnë njeriun që e posedon këtë.

Bukuria varet nga shijet. Ajo është objektive në shikim të parë, kur vjen fjala për hijeshinë e trupit, por në anën tjetër ekziston edhe hijeshia shpirtërore. Kush i posedon këto? Njeriu i rëndomtë, burri, gruaja, fëmijët, aktorët, këngëtarët, foto-modelet, krijuesit apo kreatorët, dhe jo vetëm këta. Në këtë kategori inkorporohen edhe të shenjtërit, engjëjt, dielli, hëna dhe yjet, shpezët, kafshët, natyra, pranvera, lulet, malet, bjeshkët, ëndrrat, këngët, poezitë, pikturat etj.

Ekzistojnë citate të shumta personalitetesh të ndryshme për hijeshinë, që nga koha antike e deri në ditët tona. Bukuria personale është më e madhe se çdo rekomandim tjetër, thoshte Aristoteli. Nëse bukuria gërshetohet me dashuri, ajo rritet sepse dashuria është bukuria e shpirtit. (Saint Augustine). Bukuria del në pah kur i shikon sytë e një femre dhe në të njëjtën kohë e sheh hijeshinë në zemrën e saj. (Nate Dirks). Albert Einsteini thekson: Gjëja më e bukur që mund ta eksperimentojmë është misteri. Misteri është burimi i të gjitha shkencave dhe arteve.

Po shkojmë më tej. Dashuria ndaj bukurisë është Shije. Krijimi i bukurisë është Art. (Ralph Waldo Emerson). Mendo për të gjitha gjërat e bukura pranë teje dhe jij i lumtur! (Anne Frank). Kur arrin ta duash jetën, do të shikosh bukurinë në të gjitha gjërat (Kahlil Gibran). Çdokush që ka prirje për ta parë bukurinë, nuk mplaket kurrë. (Franz Kafka). Ardhmëria u përket atyre që i besojnë bukurisë së ëndrrave të veta. (Eleanor Rooslvelt). Bukuria është premtimi i lumturisë. (Stendhal). Jeta është e bukur. Adhuroje! (Nëna Tereze). Përmes natyrës së tij, njeriu është artist. Në të gjitha mënyrat, ai kërkon të sjellë në jetën e tij bukurinë. (Maxim Gorky).

Bukuria është përjetësia që duket gjatë kohë në pasqyrë. (Khalil Gibran). E bukura është simboli i mirësisë morale. (Immanuel Kant). Bukuria e zgjon jetën e shpirtit. (Dante Alighieri). Hijeshia e gjërave ekziston në shpirtin e atij që i adhuron. (David Hume). Bukuria e vërtetë buron nga modestia dhe thjeshtësia. (Voltaire). Ka edhe shumë për të thënë për bukurinë, por tani po kalojmë te vlerat artistike të diasporës sonë. Drita Martini, bukuroshe, humaniste dhe kreatore, është njëra nga to. Një shpitare specifike për historinë e modës evropiane është edhe Dafina Selimi. Pasojnë edhe bukuroshe tjera të panumërta, këngëtare, bamirëse, publiciste dhe poetesha; Eli Fara, Albulena Haxhiu, Anita Hoxha, Drita Nikoliqi Binaj, Gentiana Muhaxhiri, Majlinda Rama, Lindita Kopliku, Afërdita Xani, Miradie Ramiqi, Mone Juniku, Sabile Keçmezi Basha, Albina Idrizi, Kimete Berisha, Mërgime Dobra, Ana Hoxha, Doruntina Zenuni, Dava Nikoli, Aleksandra Adami etj. (Fragment nga revista Shqiptari kushtuar Zt. Mhill Gjuraj, Bukuresht, Prill 2019).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat