Xhavit Kryeziu-shkrimtar

Kultura

Xhavit Kryeziu-shkrimtar

Nga: Atdhe Geci Më: 12 prill 2019 Në ora: 06:07
Xhavit KryeziuXhavit Kryeziu

Gjuha është fara që lind fjalën dhe tërësinë e saj. Gjuha rritet dhe zhvillohet si bima nga e folmja jonë e përditshme dhe nga shkrimet artistike e shkencore . Shumë studiues thonë se gjuha është populli. Gjuha vërtetë është pasuria dhe begatia më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e të gjithë neve. Gjuha zhvillohet duke jetuar e punuar, ajo rritët nëpër shkëmbinjtë oral dhe të shkruar, e gjelbër me lulet, e ylbertë me ngjyrat. Atë e rrit dhe e zgjeron dashuria dhe fryma jonë nëpër kohë!.. Xhavit Kryeziu është studiues dhe shkrimtar i shquar. Saktësia dhe vlera artistike janë vlera përcaktuese në veprat e shkrimtarit, Xhavit Kryeziu. Është e ndaluar të mos i besosh jetës dhe historisë tënde, Është e ndaluar të mos e ndihmosh popullin tënd kur ai ka nevojë. Është e ndaluar të mos e ndjekësh frymëzimin që atë ta shkruash, thuhet në shumë libra të “Artit të luftës dhe të jetës”. Një pikë gjak për lirinë dhe një pikë gjak për këngën, i bëjnë nder kombit dhe historisë.

E fillova këtë ese për Xhavit Kryeziun, shkrimtarin, albanologun, profesorin dhe ushtarakun, me një varg të Pablo Nerudës: “E ndaluar është të mos bësh luftë për liri” dhe të mos arsimohesh, se luftërat për liri pak a shumë janë të ngjashme. Xhavit Kryeziu, tërë shekullin e punës së tij, për më se 40 vjet punë, ia kushtoi arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja në të gjitha fazat e shkollimit. Punoi me zemër dhe me shpirt në klasat e ulëta të fillores, në ciklin e lartë të mësimit lëndor të fillores, në shkollat e mesme dhe në universitet, me një qëllim e synim, që të zhdukë terrin e paditurisë të trashëguar nga e kaluara. Koha dhe rrethanat shoqërore na imponuan angazhim të jashtëzakonshëm të intelektualëve tanë që të funksionojë sistemi i shkollimit edhe në rrethana të luftës. Në një kohë shumë dramatike për arsimin shqip në Kosovë, një grup profesorësh të Dardanës e mbajtëm gjallë Gjimnazin në Hogosht, për shumë vite, me moton; aty ku hapet një shkollë- mbyllet një burg. Në rrethana të shtetrrethimit serbian në Kosovë funksionimi i shkollave shqipe ishte shumë i vështirësuar.

Profesorët atdhetarë nga Dardana të prirë nga Januz Sylaj, Faik Shkodra, Izet Surdulli, Zekë Jusufi, Xhavit Kryeziu e shumë të tjerë, u angazhuan, në mbajtjen e mësimit në paralelet e ndara fizike të Gjimnazit në Hogosht që ishin paralele të Gjimnazit “Ismail Qemali” të Kamenicës, deri në shkallën e sakrifikimit vetëm e vetëm në interes të kombit e të atdheut. Ata i dhanë arsimit shqip dritën e të pamundurës. Pikësynim i tyre, rrëfen shkrimtari dhe profesori Xhavit, ishte ligjërimi i qartë, komunikimi i drejtpërdrejtë me nxënës e studentë në përvetësimin e njohurive e shkathtësive të reja dhe aplikimin e tyre në jetë. Me profesor Xhavit Kryeziun njihemi që nga fëmijëria. Jeta e të gjithë nxënësve, studentëve dhe intelektualëve të Roganës, në moshën tonë të bardhë, thuaja se ishte e njëjtë. Xhavitin e njoh si poetin më serioz të Roganës. Si nxënës i Normales në Gjilan, në vitet 1962 – 1965, ai kishte të botuara rreth 20 poezi në gazetat dhe revistat e kohës si: "Flaka e Vëllazërimit", "Zëri i Rinisë", etj. Mirëpo, përplasjet e dallgëve të jetës qenë trazira të paparashikuara. Gjuha, kultura, arti, krijohen duke jetuar dhe në rrethana të caktuara.

Frymëzimet nga historia jonë monumentale, nga dita në ditë po bëheshin pjesë e jetës së jetuar. Zinxhirët e mentalitetit osman shtrëngonin nga brenda, të mos lëvizej përpara, këtë e mëtonte dhe armiku, që vëzhgonte nga afër çdo lëvizje të fshatit dhe qytetit në Kosovë. Fryma e së përjetshmes, edhe pse e pafrymë, mbetet e pandalshme. Xhavit Kryeziu, u ngrit mbi vështirësitë e kohës së tij. Formimi i një intelektuali, shkrimtari, publicisti, do kohën e vet të domosdoshme. Ne ishim si lulet e egra të shkëmbit më thotë Xhaviti.

Varfëria ishte mur i trashë dhe herë-herë e papërballueshme. Xhavit Kryeziu u lind më 24. 4. 1943 në Roganë, të Dardanës ( ish Kamenicës ). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, Normalen në Gjilan (1965), ShLP-në, Dega e Gjuhës e Letërsisë Shqipe, në Prizren (1968), fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë, ndërsa magjistroi në Fakultetin e Mbrojtjes Popullore. Shkrimtari, Xhavit Kryeziu, ka kohë që merret me krijimtari dhe është njohës i mirë i gjuhës shqipe. Ai deri më tash ka botuar këto libra : 1 . Shkolla fillore "Metush Krasniqi" e Roganës, 1945 - 2000, me bashkautor, botuar me 2001 (300 faqe); 2 . Shkolla fillore "Metush Krasniqi" e Roganës, 2000 - 2005 (II), me bashkautor, Gjilan, 2006 (216 faqe); 3 . “Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) I, Gjilan, 2006 (126 faqe); 4 . Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) II, Gjilan, 2007 (102 faqe); 5 .Gjimnazi “Ismail Qemali” i Kamenicës (1964- 2007) I", Gjilan, 2009 – Monografi, 388 faqe,

ndërsa në librin e fundit: "Peizazhet e Fjalës", Prizren, 2011, (155 faqe) trajtohen çështje nga: gjuhësia, letërsia dhe historia. Dr. Zeqir Demi lidhur me një monografi të Xhavit Kryeziu shkruan: "Brendia eksplikative e veprës, pyet për brendinë e njeriut dhe brendinë e kombit dhe njëkohësisht zbulon me stilistikë simbiozitetin e kombit me arsimin për t'i prekur në rrafshin e hapësirës së lirë kombëtare". Të gjitha këto vepra janë dëshmi e talentit, vullnetit dhe pasionit të tij, për librin, krijimtarinë dhe letërsinë. Në këto afro 1 mijë e treqind faqe monografi, autor, dhe me bashkautorë, Xhavit Kryeziu, tregon përkushtimin e tij për të kaluarën, për të tashmen, dhe të ardhmen e popullit të tij. Në monografitë e Xhavit Kryeziut janë me qindra personalitete të prezantuara nga urtësia e tij prej krijuesi. Që nga viti 2008 është në pension, por nuk ka pushuar veprimtaria e tij krijuese duke bashkëpunuar : me revistën letrare “Nositi”, “Zemra shqiptare”, “ Filolet” e të tjera. Nga të gjitha vendet e punës, ku ka punuar, për angazhimin e zellin në punë iu kanë ndarë mirënjohje me shkrim. Poeti e publicisti, Shaban Cakolli, i cili ishte njëri ndër nxënësit e tij, në poezinë: “Promotor i diturisë”, shkruan: “Në shkollat e Dardanës / Mësova gjuhën e nënës / Të flas e të shkruaj bukur shqip / Më mësoi mësimdhënësi Xhavit”. Monografitë janë libra kundër harresës dhe mesazhe që ruajnë të shkruar shpirtin e kohës për studiues dhe trashëgim të kujtesës për brezat e ardhshëm. Unë kujtoj se ai që di ta lexojë monografinë dhe galerinë e pafund të figurave, ai do ta vlerësojë veprën e mirëfilltë të shkrimtarit, Xhavit Kryeziut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat