Si e takova për herë të parë Agimin?

Kultura

Si e takova për herë të parë Agimin?

Nga: Esad Dujaka Më: 13 prill 2019 Në ora: 15:42
Agim Gjakova dhe Esad Dujaka

As në Gjakovë pra as në Mahallë të Hadumit, e as te Gjiri i Dijes n'Erenik por n'mes të Tiranës! Dhjetëra vite pasi regjimi shovinist e Beogradit, pas torturave më çnjerëzore, e kishte përzënë për në Shqipëri si " i rrezikshëm" për Jugosllavinë!
Nuk e takova as në "Rogner" (se atëherë s' dinim ç'është e ç 'do të jetë "Rogneri"!) por në hotelin e vetëm për të huajt ne Tiranë - në "Dajtin" e njohur!

Para 49 viteve kur grupi i parë i kompozitorëve nga Kosova dhe i nesh dy gazetarëve shqiptarë nga Prishtina, shkuam për ta përcjell Festivalin e 9-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Krejt çka mund të them për Festivalin veç më kujtohet se kënga fituese qe ajo "Shtëpia ku lindi Partia" në interpretim të Gaço Çakos, kurse e dyta ajo e Liliana Kondakçi, shumë e mirë por këngë dashurie e si duket edhe dashuria aso kohe ishte e ndaluar kogja shumë në vendin e shqipeve e të Xhaxhit Enver!?

Kurse për takimet tona gjatë atyre pesë ditëve me Agimin, e di se ka qenë i paharrueshëm dhe vëllazeror...Por, Agimi që në takimin e parë me ne kosovarët e tij, veç që nuk e nisi muhabetin me atë këngën e paharrueshme të Dervish Shaqes "Kur ta kthyem Kosovë shpinen, e lam borë e gjetëm dimen..."

Agimi e kishte gjetur borë, ishte zhgënjyer gati që se thonte hapur...Por, na dha me e kuptue kur thumbonte, me atë satirën e tij të hollë...Madje unë me një aparat fotografik sillesha i mallëngjyer, kurse Agimi me atë gjysmëbuzëqeshjen që kishte një domethënie që nuk ia dinim as arsyen e as hallin, më thoshte si me cinizëm: 

"A s'shkove te Xhaxhi me e ba nji syret, qe atje, matanë rrugës e ke"...

Dhe, Agimi shtonte sërish me atë gjysmëbuzëqeshjen e tij me një porosi që se dija atëherë se e qitte "Shko, shko pak te Xhaxhi, qe atje matanë rrugës e ka shtepine...E ka marr malli per ju kosovarët"!?

Dhe qeshte butè e embel sa per ta kuptuar se ku e qitte fjalen...

Ne e kërkonim Kadarenë që ta bënim një intervistë (Jusuf Buxhovi për "Rilindje" kurse unë për "Zërin e rinisë) por kot e kishim! Nuk na erdhi deri pas 3 ditëve por edhe kur erdhi - erdhi i shoqëruar me sekretarin Partisë në
Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë...Pra, edhe Kadare s'ka dyshim se ishte nën mbikëqyrje të Partisë dhe kontrollohej apo ndoshta ky ishte kujdesi mental i Nanës Parti edhe për fjalët që do të thoshte Kadare!

Kur i treguam Agimit se ç 'na ngjau me Kadarén, qeshi prap hollë dhe luajti kokën me nervoz që nuk ta mshihte!

Për dallim nga Kadarea, Dritëro Agolli ag e terr erdhi me ne ato netë, madje unë e ai një natë e pritëm mëngjesin në një sallë të vogël të "Dajtit" ku na shoqëroi muzika e lehtë e një kitaristi ndërsa Agolli e unë cakrronim gotat gogja të mëdha të konjakut të Korçës...

Agim miku, pas gjysmë shekulli të kërkoj falje që atë funddhjetori 1970 në "Dajti" nuk të kuptova drejt dhe çka kishe thellë në shpirt!

Se, ne mendonim që atje, matan Pashtrikut e Gjeravicës, është shpëtimi ynë, se atje lind Dielli (me D të madhe!), kurse Agimi me shpirtin e tij kryengritës i kishte pas ditur të gjitha të cilat veç që s'na i thoshte hapur...

Unë e tjerët me mua para 49 vitesh, që u takuam edhe me ty Agim, mendonim se ishim ne Shqiperine e shtruar me lule!

Apo jo o rrebel - miku im Agim Gjakova, Agim Kosova!

Të kërkoj falje që para 49 vitesh nuk e dija shkakun e vërtetë të mllefit dhe të zhgënjimit tënd që t'i megjithatë veç që nuk shpërtheje hapur anipse na bëje me dije!

Rrofsh sa malet e mos t'u kalbtë ashti, e thotë populli, Agim miku që ti aq shumë e deshte!

Tash për atëherë, ma ban hallall Agim Gjakova, pash Kosovën!
-----------
*Sot në Prishtinë u mbajt një tryezë shkencore në temën "Agim Gjakova në letrat shqipe"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat