Përse sulmohet Visar Zhiti?

Kultura

Përse sulmohet Visar Zhiti?

Nga: Gazmend Kapllani Më: 17 prill 2019 Në ora: 18:17
Gazmend Kapllani

“Nuk është e rastësishme që Visar Zhiti sulmohet vazhdimisht nga ish kriminelë, bashkëpunëtorë të Sigurimit, xhelatë dhe kopukë të regjimit komunist…                                                                                                            

Në se mund të hedhin baltë dhe të vrasin serish një njeri kaq të pastër dhe të talentuar, atëhere e kanë fituar betejën me kujtesën...”

SIÇ KAM THËNË  në shumë kumtesa për Letërsinë Shqipe Visar Zhiti është Primo Levi dhe Varlam Shalamov i let:ersise shqipe dhe Europiane. Sidomos dy veprat e tij, “Ferri i care” dhe “Rrugët e Ferrit” përbëjnë antologjinë më tronditëse, jo vetem te epokës kriminale të komunizmit, por të gjithë letërsisë shqipe.                                                                                                

Nuk është e rastësishme që Visar Zhiti sulmohet vazhdimisht nga ish kriminelë, bashkëpunëtorë të Sigurimit, xhelatë dhe kopukë të regjimit komunist. Ata i njohin metodat e denigrimit moral dhe të vrasjes fizike dhe morale. Në se mund të hedhin baltë dhe të vrasin serish një njeri kaq të pastër dhe të talentuar, atëhere e kanë fituar betejën me kujtesën. Atëhere mund të hedhin valle mbi kufomat e viktimave të tyre. Sepse është ajo që i friken më shumë: kujtesës dhe drejtësisë së saj.

Siç ka shkruar Tzvetan Todorov, historia e njerëzimit nuk ka njohur armiq më të mëdhenj kundër kujteses së dy regjimet totalitare, Fashizmit dhe Komunizmit. Xhelatët si Caja apo kopuket vrastare si Taku Uturaku duke hedhur baltë mbi Visar Zhitin apo duke kërcënuar intelektualë të mirëfilltë si Agron Tufa, vazhdojnë punën dhe zanatin e tyre, sepse atë dinë të bëjnë.                  

Nuk dinë të ndryshojnë. Po të ekzistonin kushtet, sërish do të bënin të njëjtën gjë: njëri prokuror duke dënuar njerez me vdekje dhe tjetri kryexhelat gulagu.

Është nostalgjia për “pushtetin” e humbur kriminal, që i bën sërish të këlthasin sot.

Lexoni dhe rilexoni Visar Zhitin:

“Ishte një kohë kur unë isha rob, i burgosur brenda telave me gjëmba dhe dikush më ruante, e kishte punën e policit të mbante mbyllur, madje dhe të më tmerronte, të më bënte të vuaja, të më çonte me dhunë në punë, etj, etj, me vite dhe nëse unë e tregoj këtë sot, që është tjetër kohë, jo e policit por e imja, kjo e shqetëson policin tim, i duket hakmarrje, e tërbon dhe megjithëse ai është tjetër njeri tani, jo polic, vepron po aq dhunshëm si atëhere.  
 

Nuk ka shoqëri normale në botën demokratike, ku të lejohet që persekutorët e dikurshëm të kërcënojnë të persekutuarit e tyre, që shefat e burgjeve të shpifin ndaj viktimave në mbrojtje të krimeve të tyre siç po ndodh së fundmi në vendin tonë”.

Populli ynë nga ana tjetër është një popull thellësisht i traumatizuar nga tmerri i 50 vjetëve, një popull i abuzuar, i varfër dhe i rraskapitur, që nuk di si të trajtojë traumën e tij të madhe.                                                                          

Për më shumë, mbajtja mbyllur qëllimisht e dosjeve famëkeqe të Sigurimit, mosekzistenca e një Komisioni të së Vërtetës dhe të Drejtesisë për krimet e regjimit komunist, (një nga regjimet me kriminale që ka njohur historia bashkekohore e Europës), toleranca e tanishme politike dhe mediatike qe po gëzojnë ish xhelatët, u ka krijuar p:ershtypjen që mund të vrasin dhe torturojne serish viktimat e tyre.                                                                     

Është një moment shumë i trishtë. Besoj se të paktën artistët dhe intelektualët dhe pjesa më e ndershme e shoqerisë shqiptare, në Shqipëri apo diasporë, do reagojë kundër këtyre fantazmave të së kaluarës, që e duan gjithmonë Shqip:erinë si një njeri qe vegjeton pa kujtesë, peng të xhelatëve, kopukëve, injorantëve dhe vrasësve.

          ________________________________________

*) Shkrimtari Gazmend Kapllani jeton dhe punon në SHBA. Krahas eseistit dhe gazetarit të njohur për Ballkanin dhe më gjerë, ai është lektor i Letërsisë dhe Historisë së Europës në “Emerson College” në Boston. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës duke e cilësuar atë si një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat