Remzi Basha është misionar i fisnikërimit të shpirtit

Kultura

Remzi Basha është misionar i fisnikërimit të shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 18 prill 2019 Në ora: 22:24
Remzi Basha

Remzi Basha vjen para opinionit shqiptar me një libër të ri ku defilojnë stërgjyshërit e fjalëve, stërgjyshërit e njerëzve, mbretëria e dashurisë, stinët e dashurisë dhe këngët e dashurisë: “Me kujtimet e shpirtit/ Dhe nuset e fjalëve/ Gjatë rrugëtimit të vargjeve/ Notoj në ujërat e dashurisë/ Ti je shija e shikimit/ Në barnatoren e fjalëve/ E blej çelësin e shpirtit/ Për fluturime lirike/ Ti je shija e padurimit/ Dhe zjarri im i pashuar/ Që më ngroh duke më ftuar/ Ta shijojmë së bashku/ Dritën e fjalëve/ Dhe lumturimin e shpirtit/ Në lulishten e dashurisë/ Për ta hapur Portën e Parajsës”. Shpirti i poetit është një shpirt i shenjtë. Kemi thënë paraprakisht se shpirti është energji e përjetshme, e pavdekshme, personale, që vjen nga Zoti dhe kthehet te Ai përmes përmbushjes së dëshirës së Tij. Qenja e shpirtit është tejet e thellë. Sipas Heraklitit, atë s'mund ta gjesh, edhe po qe se e kërkon përgjatë krejt rrugëve të botës.

Poeti shkruan jo vetëm për femrën si burim energjishë divine (hyjnore), por edhe për Zotin, për natyrën, për mërgimin, për vetminë, për pranverën, për plisin e bardhë etj. Qëllimi elementar i vargjeve të tij është fisnikërimi i shpirtit dhe shëndeti i tij. Hareja, gëzimi, kënga dhe muzika ishin veti e përditshme e dardanëve. Arti lind nga imagjinata ndërsa muzika është kënaqësia e shpirtit. Thonë se leximi e ushqen trurin, poezia shpreh shpirtin e njeriut, ndërsa letërsia shpreh shpirtin e kohës. Sytë janë pasqyra e shpirtit. Ato janë mjet i jashtëzakonshëm, për të depërtuar në shpirt. Shpirt i trazuar, shpirt i frymëzuar, shpirt i shenjtë. Vetmia për poetin është një dhuratë e bekuar: “E shikova në sy, vetminë/ Ishte shtrirë në tavanin e shtëpisë/ Dhe brente patate të skuqura/ E thirra në darkën time/ Prej atëherë, në darkë/ I tregoj se ç’ngjet gjatë ditës./ E pyes prej nga vjen nata/ Dhe i them se vetmia ime/ Më mjafton/ Për të vajtur nga drita në dritë.”

Atje lart. në Skandinavinë e ftohtë të xhepit të ngrohtë, Remzi Basha me Sadulla Zendeli Dajën, me Rizah Sheqirin e do tjerë, janë lokomotiva e ideve që marshon me stil dhe elegancë. Lokomotiva është e rëndë, fjalët janë të lehta. Basha vjen para nesh me ëndërrime të vërteta. Ai ëndërron portën e Parajsës para se të fluturojë në qiell. Kur lexoj vargjet e tij, marr guximin ta pyes: E do një vagon me dritë, një kamion me kujtime, një anije me diell, një det me valë apo një qiell me fjalë? Remziu buzëqesh dhe hesht, por heshtja e tij është një buzëqeshje e qiellit që qesh. Dhe ja kështu, duke vajtur nga drita në dritë, nga fjala në fjalë, nga vargu në varg, nga strofa në strofë dhe nga vjersha në vjershë, lokomotiva e ideve arrin nga mërgimi në vendlindje, nga Sllapuzhani në Therandë dhe nga Theranda në hënë. Poeti vjen si një zog kur vjen pranvera. Sipas tij: “Burimet e saj ma freskojnë shpirtin/ Kurse kamxhiqet e dimrit/ Do të thehen duke u tharë/ Në bjeshkët e vendlindjes./ Te uji i sorkadheve/ Do të takohem me Zotin.”

Për autorin e kësaj vepre, poezia është qumështi i jetës dhe drita e dashurisë. Remzi Basha është misionar i fisnikërimit të shpirtit. Rruga e poezisë është barabartë me rrugën e dritës, me rrugën e mendimit, me rrugën e ndriçimit të brendshëm. Ndjeshmëria dhe dashuria, njësoj si drita dhe liria, përbëjnë një çift metaforik. Në vargjet e Bashës shpërthen drita e fjalëve dhe parfumi i dashurisë. Poezia është lufta e fjalëve që burojnë nga zemra, sidomos kur poeti shkruan për vlerat e atdheut ku zotëron drita dhe femra. Lirika e tij është një lokomotivë mendimesh dhe ideshë me vlera reale dhe optimiste. Pse? Sepse Remziu shkruan për takime të ëmbla duke ditur ta ngarkojë vargun me shpirt. Ai vjen para nesh me një ndjeshmëri reale që i ka hije: “U ula mbi kullosën e njomë/ Në hijen e lisave të malit/ I shakmisur nga mendimi për ty/ E fshiva djersën e ballit/ Me hijen e duarve tua/ Por ti nuk erdhe..../ Të pata pritur/ Gjatë gjithë jetës/ Të jesh pavdekësi.”

Burim i përshkruar në disa mënyra përgjatë kohës, në arte të ndryshme, gruaja ka mbetur një prezencë konstante, jo vetëm në këngë, poezi dhe romane, por edhe në pikturën shqiptare, duke reflektuar perceptimet e artistëve dhe të shoqërisë. Nga portrete familjesh e deri në aspekte nga jeta shtëpiake apo sociale, nga përfytyrime sublime të maternitetit, gjithmonë me femra misterioze apo fshatarka të thjeshta, një suitë shëmbëlltyrash e siluetash reflektohen në tabllo emblematike të disa nga artistët më të shquar shqiptarë, që nga Ibrahim Kodra dhe pararendësit e tij, e deri te Dan Gashi, Asllan Dibrani, Jetullah Haliti, Destan Gashi, Ben Kamili, Afrim Shatku etj. Si i përshkruan takimet e ëmbla autori i këtij libri: „Kur u takuam mbi urën e liqenit/ Më dhe ujë dhe një grusht qershishë/ Kur u takuam në plazhin e heshtur/ E shtrimë emrin në luzmën e rërës/ Kur u takuam në puthje/ Dora jote ishte stërzgjatja e dorës sime/ Kur u takuam në kopshtin e luleve/ Nën syrin e fenerit ku lëkundej trupi/ Pse? Sepse në takimet tona të ëmbla/ Mbretëronin puthjet e lumturisë/ Në Mbretërinë e Dashurisë.”

Në spektrin e vargjeve të autorit nuk mungojnë metaforat dhe imagjinata: “Dashuria mbijeton/ Duke notuar në akuariumin me peshq/ Mbi një karrigë plazhi/ Guximi rri shtrirë në diell/ Letrat ishin të gëlltitura/ Lakmia parfumohej në lift/ Kurse tani po presim.” Duke deshifruar përmbajtjen e lirikës së autorit konstatojmë se dielli vërtitet rreth femrës. Shtati i saj përkulet si një hark i shenjtë. Gjinjtë e saj lëkunden si dallgë deti. Para hijeshisë së saj mbetesh pa fjalë. Majmëri e brishtë dhe bukuri e çveshur. I këndon trupi nga bukuria. I dridhen gjinjtë nga majmëria, dhe brishtësia, e ëmbëlsia. Shpirti i poetit është i mbushur me ndjenja dashurie ndaj femrës që e frymëzon Zoti i dashurisë e shkul poetin nga mjegullat dhe nga netët e trishtimit. Shpirtin e tij e joshin përjetë dilemat, pyetjet dhe mendimet që zbresin nga qielli: “Me çfarë fërgëllimash do ta ndjej jetën/ Në shtratin e shtruar të dashurisë?”

Nata e poetit është kandili që i bën dritë dashurisë së përjetshme. Sa herë e dashur bie në mendime, vetëm ty të kujtoj moj e dashura ime, thotë Basha me fjalë identike në vargjet e tij. Poezia i bën dritë botës, ndërsa dashuria e vërtit botën përreth diellit. Poeti vjen para nesh me flatrat e dashurisë dhe mendime të shëndetshme. Frymëzimi për poetin s’është gjë tjetër veçse një dritë e bekuar që buron nga thellësitë e shpirtit. Ai është një ndriçim që sipas fuqisë së dhuntisë, e lidh fjalën me fjalë, mendimin me mendim dhe dritën me dritë. Sipas Biblës, në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte Zoti, dhe Zoti ishte Fjala. Ai ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. Nga drita e njerëzve lindin fjalët e poetit që ulen në varg, vargu në poezi, dhe kështusoj të tubuara, e ndriçojnë zemrën. Në vizionin e Hesiodit, frymëzimi është një dhunti e muzave. Sipas Platonit, ai është një emisar i qiellit. Njerëzit e pajisur me dhuntinë e harmonisë dhe të ritmit, janë ata që e kanë lindur poezinë. Vetëm ata që dinë të krijojnë gjëra madhështore, e meritojnë emrin e poetit, thotë Horaci. Nga mendimet e filozofëve të famshëm të botës antike, kuptojmë se frymëzimi është drita e dritës. (Bukuresht, 18 Prill 2019)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat