Kush e solli Arten

Kultura

Kush e solli Arten

Nga: Prof. Abaz Osmani Më: 18 prill 2019 Në ora: 22:26
Foto ilustrim

Shkrimtari ynë i madh me renome botëroe Ismail Kadare ka shkruar romanin me titull “Kush e solli Doruntinën “, që si motiv ka rinjohjen. Edhe rrëfimi ynë ka një motiv të tillë.

Në ditët tona ndodhin ngjarje që të kujtojnë motivet e rinjohjes. Ishte kohë lufte. Lufta sjell ngjarje të dhembshme. Njeriu përjeton çaste të vështira, i përjeton tmerret e një lufte të ndyrë dhe brutale që neve shqiptarëve të Kosovës na e imponoi regjimi pushtues serbo-sllav.

Vajzës dymbëdhjetëvjeçare Artës, fshati i së cilës shtrihej diku në shpatiet e Çiçavicës, i kishte ndodhur një ngjarje e tmerrshme. Pasi që kriminelët e bandave çetnike e kishin sulmuar fshatin e saj , me gjithë arsenalin ushtarak që kishin , i ati i Artës shpejt e shpejt i kishte vendosur anëtarët e familjes së tij në traktor dhe ishin nisur të ikin nga fshati dhe të strehohen diku në mal. Pasi që nën breshërinë e plumbave dhe krismave kishin dalur disa nga fshati, Artës i kujtohet momenti kur kishte pare një flakë sikur vetëtima dhe kishte dëgjuar një krismë aq të fuqishme saqë asaj i ishin mbyllur të dy veshët. Pastaj s’kishte parë e as dëgjuar gjë.

Kur i kishte ardhur vetëdja dhe ishte zgjuar, veten e kishte pare të shtrirë një një shtrat spitali. Ajo nuk dinte se ç’kishte ndodhur me familjen e saj. Personeli mjekësor që kujdesej për Artën e dinte se predhat që kishin rënë në traktorin e familjes kishte vrarë të jatin dhe vëllain e Artës, kishte plagosur Arten, kurse motra e saj, vëllau tjetër dhe nëna kishin pësuar plagë jo të rënda. Kur ajo pyeste mjekët për familjen ata i thoshin se të gjithë janë mirë, por ti duhet të shërohesh.

Vërtetë Arta u shërua më shpejt seç mjekët kishin pritur. Sa më shumë afrohej dita kur mjekët duhej t’ia nënshkruanin fletëlëshimin e spitalit, brenga e tyre shtohej. Ku do të shkonte Arta pasi të dalë nga spitali? Ajo kishte vetëm pixhamet e spitalit, kur kishte ardhë në spitali kishte qenë e veshur me disa lecka gjysmë të djegura nga flaka e predhave; ishte fare e zbathur. Askush nuk e dinte se ku ndodhej nëna e saj me dy femijët e tjerë që kishin shpëtuar.

Për hallin e mjekëve mori vesh xha Brahimi që ishte i shtrirë aty në spital për tu shëruar. “ Mos u brengosni u tha ai Mjekëve!” “Arten do ta marrë në familjen time” tha ai. Do t’ia blejë rrobat dhe çdo gjë që i nevojitet. Ajo do të jetojë në familjen time derisa të gjejë familjen e saj. Atje në shtëpinë time në Llap Arta do të gjejë ngrohtësinë e familjes sime-tha ai. Plaku me mustaqe vesh më vesh e përkdhelë Artën sikur ta kishte bij të tij.

Nuk dihet sa kohë qëndroi Arta në Familjen e xha Brahimit. Dy muaj apo ndoshta tre. Biri i plakut zemërbardhë, me foton e Artës në xhep nuk la vend pa e kërkuar nënën e Artes, për t’i treguar se Arta e saj është gjallë dhe shëndosh e mirë. E kërkoi ai në Mitrovicë dhe në katundet perreth, ku pandehte se mund të ishte. Më në fund kur gati i kishte humbur shpresat se mund ta gjejë nënën e Artes e gjeti në një katund të Vushtrrisë, ku ishte strehuar ajo me dy fëmijët që kishin shpëtuar nga tragjedia. Kur llapjani takohet me këtë nënë i tregon qëllimin e vizitës së tij dhe i tregon foton e Artes, nëna e Artes shikon foton dhe duket fare e painteresuar thuase po shikon një foto që për te nuk do të thotë gjë “ A po e njeh Arten, bijen tënde” – e pyet i biri i xha Brahimit me dyshim se vallë mos ka gabuar dhe se kjo grua edhe mund të mos ishte e ëma e Artes.

Jo, jo kjo nuk është Arta ime e dashur. Arta ime me të atin dhe të vëllain është vrarë atje larg në shpatiet e Çiçavicës nga kriminelët serbë. Arta ime ka qenë më e vogël, më shëndetligë sesa kjo vajzë që pashë në foto. Kjo mund të jetë ndonjë vajzë tjetër por kurrsesi Arta ime, i thotë kjo njeriut të panjohur.Edhe shkolla është e njoftuar per vrasjen e Artes, si mësimdhënësit edhe nxënësit janë të merzitur për Arten, edhe banka ku është ulur Arta ka mbetur e zbrazët mbi të cilën është vendosur nji lule, pa nxënësen e dalluar, Arten e cila e deshi shkollën.

Mirëpo njeriu i panjohur nuk do të dorëzohet. Ai kishte vendosur që patjetër do t’i bashkojë amë e bi. Kishte një bindje se mu kjo grua, që kishte përjetuar tmerrin e luftës, është e ëma e Artës. Të nesërmen ai së bashku me të atin mixhën Brahim dhe me Artën ia mësyri fshatit ku kishte qenë një ditë më parë. Me të hyrë në oborrin e shtëpisë, sytë e Artës hasen në një fytyrë të njohur gruaje që kishte dalë tek pusi për të marrë ujë. Arta ishte shtangur nga shqetësimi, nuk kishte mundur të thotë asnjë fjalë përveç “nënë, nëna ime e dashur. Takimi i nënës me të bijën ishte një skenë e paparë, që nuk mund të përshkruhet me fjalë shqetësimi i nënës ishte i fuqishëm dhe emocional. Ajo e kishte qajtë dhe vajtuar Artën, sepse bijën e saj e dinte për të vdekur ashtu siç e dinte edhe për burrin dhe birin e saj. Ajo nuk po mund t’iu besojë syve të saj se ja tani Arta qenka gjallë dhe tani në përqafim të saj, më e bukur, më e rritur, e përmirësuar nga shëndeti. Ndoshta për shkak të këtij ndryshimi edhe nuk e kishte njohur kur dje kishte shikuar foton e Artës. Puthjet, përqafimet, përkëdheljet midis nënës dhe së bijës vazhdojnë pa mbarim. Emocionet prindore e kishin shqetësuar zemrën e lënduar të nënës. Ajo kërkoi një karrige të ulet. Dikush i ofroi një gotë ujë. Ishte kjo një skenë shumë prekëse edhe për njerëzit që ishin tubuar në oborr. Mixha Brahim, edhepse burrë i fortë dhe i qëndrueshëm, nuk mundi t’i ndalë lotët. Së pari filloi t’i dridhet mjekra, pastaj iu duk se diçka si lëmsh po ia zë frymën dhe nga turpi se dikush mund ta shihte gjithë këtë alamet burri duke qajtë, ua ktheu shpinën njerëzve dhe filloi që me pëllëmbë t’i lëmojë mustakët, që tani ishin lagur nga lotët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat