I verbri nga Athina

Kultura

I verbri nga Athina

Nga: Albert Z. Zholi Më: 19 prill 2019 Në ora: 10:53
Albert Z. Zholi

Grupi i  njerëzve  rrinte  përballë  semaforit  të  kuq në Athinë, në  pritje të  dritëkalimit.

-Tak… tak…tak…është hapur  rruga  jonë ?...tak… tak…tak- dëgjova  në  atë  heshtje  pritjeje. Ktheva  kokën  dhe  pashë  një  burrë të  verbër. Ishte mbi  të  pesëdhjetat  dhe vec  syve  dritëvdekur, gjithë  trupi  dukej  i  shëndetëshëm.

-Akoma  s’është  hapur – u përgjigja  unë, kur  pashë  se  askush  nuk  po  fliste.

I verbëri   trokiti  edhe  disa  herë  shkopin  dhe  u  afrua  pranë  meje, si i tërhequr  nga  zëri. M’u kujtua  bastuni  i  Moisiut  dhe i  futa  krahun  të verbërit.

-Për  ku  e keni  udhën ? – e  pyeta.

-Në  metro,- m’u  përgjigj  i  verbëri  dhe  duke  zgjatur  bastunin, vazhdoi- nga  jeni, se nuk  më dukeni  grek?

-Jam  nga  Shqipëria – ia  ktheva unë  dhe  më erdhi  mirë, kur  dora  e tijë  më  shtrëngoi  krahun  me  siguri  dashurie.

-Si  e keni  emrin? E  si  ju  flasin?

-Albert më  quajnë  e  Albert  më flasin,- u  përgjigja  në  me  krenari  për emrin  tim dhe për  ta  sqaruar  më  tej  vazhdova: Kam  dy  vjet  që  jetoj këtu.

-Shumë  mirë, shumë   mirë, përsëriti  njeriu  me  shkop   dhe vazhdoi  të  më  fliste:

-Në  lagjen  ku banoj  kam  një  djalë  nga  Tirana Andon  e thërrasin  po  emrin  e ka  Agron. Nga  halli   e ka  ndërruar, si  shumë  shqiptarë, që  të bëhen më  të  besueshëm  tek  pronarët ...- trokiti  disa herë me  shkop, sikur  i  dha  sinjale  tokës  apo i  tregoi  se  ku ishte  dhe  vazhdoi – Dhe  me Agronin, kështu  si  me  ty  u  njoha. Më ndihmoi  në  një  udhëkryq . Gjithë  bota në  udhëkryq  është  e  aq  më   keq  ne  të  verbërit. Agroni  është djalë  i  mirë  si  ty. Shqiptarët  nuk  janë të  gjithë  ashtu  si  flasin  radiot  e  televizorët. Dru  të  shtrembër  ka  në  cdo  pyll, edhe  këtu, edhe  atje.

-... Tak...tak...tak është  e hapur   udha  jonë ?!

-Po!- i thashë

“Ky  jeton në  shtatë  botë, mendova, me  bastunin   e tijë  me  shtatë  nyje. Por ne  njerëzit me  sy  nuk e  kuptojmë. Ne  nuk  jetojmë   dot  as  në botën  tonë të  dritës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat