Profesori autoritar Sulejman Demiri

Kultura

Profesori autoritar Sulejman Demiri

Nga: Kadri Tarelli Më: 23 prill 2019 Në ora: 19:37
Kadri Tarelli

Para disa kohësh në nëntor 2014, isha në Tiranë, i ftuar në Radio Tirana, nga gazetarja e mirënjohur Kozeta Hoxha, e cila organizonte emisione kushtuar figurave të arsimit. Unë sapo kisha publikuar librin tim “Misionarë në udhën e dijes”, që i kushtohej disa prej figurave të njohura në arsimin e Durrësit. Emisioni zgjati rreth 40 minuta. Në fund të bisedës, kur unë mendoja se intervista mbaroi, gazetarja si pa pritur më bën një pyetje të beftë, që më vuri në siklet:

- Cili nga mësuesit e tu të ka lënë mbresa më shumë se të tjerët? - Vonë e kuptova, se ishte një truk gazetaresk, sepse duhesh përgjigjur në çast, pa u menduar gjatë. Unë aty për aty thashë:

- Profesor Sul Demiri, ose shkurt profesor Sula, siç e quanin durrsakët, i cili më ka dhënë mësim historie në gjimnazin “16 Shtatori” në Durrës. Më tej vazhdova: - Ishte shumë serioz, autoritar dhe shumë i drejtë me të gjithë nxënësit. Kështu na dukej ne, por në thelb ai i donte nxënësit, kuptohet sidomos ata që mësonin mirë. Shumë më vonë, kur unë u bëra mësues historie, e kisha model sjelljen dhe paraqitjen e tij, por edhe mënyrën e të shpjeguarit, shkurt dhe saktë, pa fjalë të tepërta.

Ndodhte që, kur rreshtoheshim në oborr, për të bërë gjimnastikën e mëngjesit, herë pas here, përpara dilte profesor Sula, menjëherë vendosej qetësia dhe rregulli në rreshtat tanë. Si nxënës të vitit të parë, dëgjonim nga maturantët, të cilët ishin më të rritur se ne, që thoshin: “Kujdes se doli Kajzeri”. Vonë e kuptova se përse bëhej fjalë: Autoriteti i tij i theksuar dhe i merituar, pa bërtitje dhe ngritje zëri. Thjesht autoritet, një veçori e lakmuar nga mësuesit e të gjitha kohërave.

Kohë më pas më ra në dorë një album i hershëm, i titulluar: “Mirënjohje për mësuesit e nderuar të qytetit tim”, kushtuar mësuesve të qytetit të Elbasanit, përgatitur nga mësuesi veteran, Sami Domni, përgjegjësi i Muzeut të Arsimit pranë shkollës “Naim Frashëri”, ku një faqe i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së profesorit tonë Sulejman Demiri. Më erdhi mirë, sepse nga leximi në faqe 105, m’ u duk, sikur fjalët t’i kisha  shkruar unë. Po citoj disa shprehje: “I përkushtuar në fushën e dijes, tashmë si mësues, shpalos aftësitë e tij……….. I cilësuar për ndershmëri, si një intelektual i spikatur ngarkohet me detyra të ndryshme edhe në dikastere të k/ministrisë dhe Ministrive. ….Kohë më pas edhe si drejtor shkolle në Gjimnazin “16 Shtatori” në Durrës.

Në fund vazhdon: Në kujtimet e tij, një nxënës i viteve 1950, (nuk citohet emri), shprehet: “E kam pasur mësues historie në gjimnazin e Durrësit, por për mua dhe të gjithë gjimnazistët e tjerë ka përcjellë emrin e mirë të intelektualit, mësuesit dhe drejtuesit të zot, tepër autoritar, por shumë i dashur me nxënësit dhe kolegët”.

Kam përshtypjen, se kështu përgjigjen edhe të tjerë ish nxënës, që kanë pasur fatin të marrin mësim nga profesor Sula. E them këtë pasi kur bie fjala për mësuesit tanë të gjimnazit, shokët e mi, tani të zbardhur nga thinjat, shprehen: Kemi pasur fat që kishim mësues të mirë, disa prej tyre mbaruar në universitetet e perëndimit, si Sul Demiri në Firence, Zeqo Spahiu në Francë, Sabri Tuçi në Romë, Mili Goga në Londër, Remzi Tivari në Rumani, Pertef Kruja në Vjenë, Gaqo Harilla, mësues matematike, mbaruar në Sorbonë të Francës), Mustafa Gerxhalliu, Burhan Kaduku, Petrit Velja, Matish Gjeluci, Kajsini Gjini, Ali Kovaçi, Evrinomi Gjeçi, etj, etj. Të gjithë shquheshin për përgatitje të lartë dhe seriozitet në punë, kërkues dhe të ndershëm në vlerësim. Ndërsa profesor Sula dallohej edhe për kujtesë shumë të fortë. I njihte emrat e të gjithë prindërve të nxënësve në shkollë.

Në faqen e këtij albumi jepet shkurt jetëshkrimi i profesorit tonë.

I lindur në qytetin e Kristoforidhit, në Elbasan nga një familje e dëgjuar arsimdashëse. Ndoqi shkollën e njohur “Normalen e Elbasanit”, ku shkëlqen në mësime. Më pas student në Universitetin e Firences, Itali, në fakultetin e shkencave politike, të cilin e mbaron shkëlqyeshëm. Njohës i disa gjuhëve, kthehet në atdhe dhe punon si mësues, deri në viti 1942. Në vitin 1943, përsëri në Universitet në Firence, ku mbrojti doktoraturën me temë, “Ali Pash Tepelena”, me vlerësim maksimal.*

Me t’u kthyer në vendlindje, tani edhe me titull shkencor, ai thirret në Kryeministri, dhe punon deri në fund të vitit 1944. I piketuar për ndershmëri, si një intelektual i spikatur atdhetar, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, deri në fillim të vitit 1949, e shohim të punojë pranë Ministrisë së Tregtisë, Tiranë. Në këtë vit transferohet përfundimisht në Durrës, në fillim si mësues e më pas drejtor i Gjimnazit “16 Shtatori”.

Unë po kujtoj një ndodhi, që me pak fjalë, në vetvete flet shumë. Ishim maturantë në gjimnazin “Nako Spiru” (Gjimnazi ynë u transferua në ndërtesë të re, ndaj edhe ju ndryshua emri). Bashkim Kthupi, shok klase që zakonisht mësonte, sapo mori vesh se do të kishim provim në histori, i del profesor Sulës tek dera dhe i thotë: “Nuk jam përgatitur se isha i sëmurë”. Një lloj justifikimi i zakonshëm për raste të rralla, kur nuk ishim përgatitur. Mësuesit bënin sikur na besonin. Profesor Sula nuk e zgjati. Ishte muaji i fundit në mbyllje të vitit shkollor. E urdhëroi të ulej dhe të shkruante. Ai ishte i bindur se askush nuk guxonte t’i kopjonte. Në fund të orës i mblodhi fletët për t’i korrigjuar. Orën tjetër, pa bërë apelin e zakonshëm, nxori fletët nga çanta dhe të parën lexoi notën (pesë) të Bashkimit. Ne të habitur, me një herë i hodhëm sytë te shoku ynë. Profesori i tha: “Je i pari nxënës që më ke kopjuar. Për guximin dhe për atë çka ke shkruar, po të vlerësoj me notën “pesë”. Por kujdes, mos bëj shaka të tilla herë tjetër”. Që nga ajo ditë, Bashkimit edhe në ëndërr i dilte libri i historisë dhe profesor Sula, i cili kurrë nuk e përmendi këtë ngjarje dhe nuk mbajti inat, apo prekje në sedër si mësues.

Bashkim Kadiu, në artikullin “Intelektuali i shquar nacionalist Sulejman Demiri”, botuar në gazetën, “Durrësi Bulevard”, e Premte, 13 Qershor, 2008, më pas edhe në librin “Vlerat e qytetit tim”, volumi 1,  shkruan: - “Profesor Demiri i përket asaj plejade pedagogësh këmbëngulës, aktiv, të thjeshtë e komunikues. - Më pas vazhdon: - Ai mbetet sinonim i të gjitha aspiratave më të mira, duke e konsideruar jetën, si investim në kërkim të dijes”.

Të emërtosh dikë si “Intelektuali nacionalist”, i bën nder kohës dhe njerëzve që e jetuan, kemi parasysh vitet 30, të shekullit të kaluar, kur ishte ngjizur një frymë e fortë atdhetarie në popull, por më shumë te intelektualët e rinj, që po formoheshin në shkollat më të mirë të Europës. Komentet janë të tepërta, kur dihet, se janë me dhjetëra studentë të diplomuar, disa me shkronja ari, ose me grada shkencore, mes tyre dhe profesori ynë Sulejman Demiri, që lanë ofertat e fakulteteve, lanë qytetet me histori e kulturë, braktisën kushtet e mira dhe mirëqenien, për të ardhur e për të shërbyer në atdhe e vendlindje, në kushtet e një prapambetje shekullore. Çuditërisht, si ishte ngjallur ky lloj idealizmi kombëtar, për t’u admiruar dhe për t’u marrë si model edhe për ditët e sotme, në kushtet e një çoroditje të vetëdijes atdhetare. Aq e fortë ishte kjo bindje, sa kur filloi lufta dhe pushtimi i Shqipërisë, më 1939, me dhjetëra studentë, madje edhe në shkolla ushtarake, i lanë studimet në mes dhe u kthyen në vendlindje, duke rrokur armët.

Si figurë mësuesie, si studiues, shtetar dhe veprimtar, profesor Sula, meriton më shumë. Koha dhe rrethanat janë treguar të kursyera në titujt dhe nderimet për këtë personalitet të shumënjohur të arsimit në Durrës. Megjithatë, për hir të autoritetit dhe emrit të tij të nderuar në qytetarinë Durrsake, i është dhënë titulli, “Mësues i Merituar”. Përmendur nga Astrit Hoxha në librin e tij “Biografi e shkollave të rrethit të Durrësit”, faqe 202, botim i vitit 2001. Tiranë. Disa vite më vonë, shoqata “Durrësi” e vlerëson me titullin “Njeriu i shekullit”, në  Nëntor  të vitit 2002.

Unë si mësues dhe drejtues i vjetër, me që e nisa dhe e grisa jetën në arsim, ku vazhdoj të shkruaj mbi problemet me të cilat ndeshet shkolla në ditët e sotme, mendoj, se në kujtesën e nxënësve tanë duhen thirrur e ngulitur idealizmi atdhetar i viteve 30. Janë figurat e intelektualëve dhe mësuesve të përkushtuar e me autoritet, si profesor Sula, të cilët, si misionarë të dijes, me shembullin dhe veprat e tyre, edukojnë brezat, që ta vlerësojnë shkollën dhe arsimin, ta çmojnë punën dhe diturinë, ta duan atdheun dhe kombin, duke i shërbyer me përkushtim.Kadri Tarelli

* Shënim: Familjarët thonë, se dorëshkrimi i këtij punimi shkencor, i është dhënë shkrimtarit të njohur Sabri Godo, autor i librit “Ali Pash Tepelena”.       

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat