Një qasje plot pasion artit Lasgushian

Kultura

Një qasje plot pasion artit Lasgushian

Nga: Agim Vinca Më: 26 prill 2019 Në ora: 11:33
Lasgush Poradeci

Për poetin e shquar shqiptar Lasgush Poradeci (1899-1987), lajmëtarin e modernitetit në poezinë shqipe, është shkruar shumë dhe shkruhet vazhdimisht, por Sulejman Mehazi, i është qasur atij nga një aspekt i veçantë, i patrajtuar sa duhet nga të tjerët. Ai ka bërë objekt trajtimi jo poezinë e Lasgushit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por pikëpamjet e tij për poezinë, ashtu siç dalin në letrat, ditarin, esetë dhe shkrimet e tjera diskurseve të këtij poeti, në të cilat ai flet për artin e letërsinë dhe në mënyrë të veçantë për poezinë si sublimim i fjalës së shkruar artistike.

Është vepruar kështu për dy arsye: një, pse poezia e Lasgush Poradecit, e përmbledhur kryesisht në dy vëllimet e tij të famshme: “Vallja e Yjve” (1933) dhe “Ylli i Zemrës” (1937), është studiuar nga të gjitha aspektet dhe, e dyta, për shkak se është konsideruar se kjo qasje i përgjigjet më mirë profilit të studiuesit dhe mundësive të tij krijuese e analitike. Dhe ka rezultuar se ky përcaktim ka qenë i drejtë, ashtu siç mund të thuhet se edhe zgjedhja e temës së trajtuar ka qenë e qëlluar.
Studimi “Lasgush Poradeci për poezinë” i Sulejman Mehazi kap një problematikë të gjerë dhe është i organizuar në tre kapituj.

Në kapitullin e parë me titull “Pikëpamjet e Lasgush Poradecit për poezinë në shkrimet, korrespondencën, letrat, esetë dhe artikujt e tij”, autori merr në shqyrtim ditarin intim të Lasgush Poradecit kushtuar bashkëshortes së tij, Nafijes; letrat dërguar mikut dhe bashkëvendësit të tij, Mitrush Kutelit, posaçërisht letrën e vitit 1931 me titull “Poezi et Coetera…”; prozën e lënë në dorëshkrim me titull “Vizitat e zonjushës Ana në kullën time” dhe shkrime të tjera, në të cilat ai qëmton mendimet e Lasgushit për poezinë në raport me jetën, natyrën, atdheun, gruan etj.

Në kapitullin e dytë: “Pikëpamjet e Lasgush Poradecit për poezinë të shprehura në krijimtarinë e tij”, siç mund të shihet nga vetë titulli, autori ka hulumtuar mendimet e Lasgushit për poezinë të shprehura në mënyrë implicite në krijimtarinë e tij poetike dhe në mënyrë të veçantë në krijime të tilla si poezia “Zog i Qiejve”, poemthi “Naim Frashërit”, cikli “Përjetësia”, vjersha “Vdekja e nositit”, poezitë e vona “Trashëgimi” dhe “Maja e çelur” etj.

Në kapitullin e tretë “Mishërimi artistik i koncepteve estetike në poezinë e Lasgush Poradecit”, autori i këtij punimi ka provuar të tregojë se si janë sendërtuar artistikisht në poezinë e Lasgushit pikëpamjet e tij estetike të shprehura në shkrimet e tij diskursive dhe në vetë krijimtarinë poetike.

Secili nga këta tre kapituj kryesorë, ka nga disa nënkapituj, kurse punimi ka edhe Hyrjen, Përfundimin, Bibliografinë dhe Literaturën. Sulejman Mehazi ka arritur t’i shqyrtojë dhe parashtrojë në mënyrë pothuajse të plotë pikëpamjet e Lasgush Poradecit për poezinë si një poet që shtronte para saj kërkesa të larta estetike dhe që, krahas karakterit tokësor, i mvishte asaj edhe një dimension metafizik e gati hyjnor. Edhe vetë poet, autori ka provuar ta analizojë mishërimin e këtyre koncepteve në poezinë e Lasgushit të sistemuar në mënyrë specifike në dy vëllimet e tij poetike: “Vallja e Yjve” dhe “Ylli i Zemrës” dhe sidomos në ciklet “Vallja e Dherit” - “Zemra e Dherit” dhe “Vallja e Qjellit” - “Zemra e Qjellit”, duke parë në to sendërtimin e sistemit poetik lasgushian në relacionin: Dheri, Vasha, Qjelli, Shpirti dhe Përjetësia. Veçantia e sistemit poetik lasgushian, sipas tij, qëndron te sublimimi i frymëzimit tokësor me atë qiellor, me ç ‘rast dashuria si burim i jetës është një faktor me rëndësi. Bukuria gjithashtu. Me ambicie të veçantë autori i është qasur interpretimit të ciklit “Vallja e Përjetësisë” dhe sidomos poezisë “Përjetësia” në kuadër të tij, duke nënvizuar se kjo poezi shpreh prirjen e njohjes më të lartë të jetës, logjike dhe intuitave, prirje kjo prej së cilës burojnë veprat e artit, të poezisë dhe të filozofisë.

Vlen të theksohet se autori i këtij studiuesi e dashuron shumë poezinë e Lasgushit dhe krijuesin e saj dhe ka hulumtuar e konsultuar pothuajse gjithçka që është shkruar për të, që nga dalja e tij në skenë si poet e deri më sot. Për këtë qëllim ai ka bërë edhe një udhëtim (qëndrim) studiues në Tiranë dhe ka takuar e konsultuar të bijën e poetit Marie Gusho-Poradeci. Një ndihmesë të madhe në këtë plan atij i ka ofruar edhe libri i mikut të ngushtë të poetit, Petraq Kolevicës: “Lasgushi më ka thënë...” (1992).

Punimi i Sulejman Mehazit sjell një informacion të gjerë e të rëndësishëm shkencor lidhur me Lasgush Poradecin dhe krijimtarinë e tij letrare, me theks të veçantë te konceptet e tij për artin poetik. Autori ka konstatuar me të drejtë se konceptet e L. Poradecit për poezinë, qofshin ato të shprehura në shkrimet diskursive apo të mishëruara në vetë krijimtarinë artistike, afrohen me romantizmin, parnasizmin dhe simbolizmin evropian, por edhe se Lasgush Poradeci si poet është një fenomen origjinal shqiptar. Ndryshe nga poetët tanë pararendës, të cilët krijonin poezi qëllimore, në funksion të ideve politike e kombëtare, Lasgushi do të krijojë poezi që i falet në radhë të parë artit, bukurisë estetike. Dihet se Lasgush Poradeci ishte njeri me kulturë të gjerë. Në këtë kontekst, autori i këtij punimi ka hetuar lidhjet e Lasgushit si poet me Vedat indiane, me baladat popullore shqiptare, me gjuhën e zjarrtë të Naimit, të cilin ai e donte dhe e çmonte shumë, si dhe me rrymat moderne letrare evropiane me orientim estetizant, të shprehura te poetë të veçantë francezë (Bodleri, Vërleni etj.), gjermanë (Rilke, Shtefan George etj.), rumunë (Eminesku, Gjergj Koshbuk etj.).
Shikuar nga ky aspekt ky punim ka mundur të jetë edhe më i thelluar, por kjo supozon njohjen e gjuhëve në të cilat kanë krijuar poetët e përmendur, si dhe të filozofisë së tyre krijuese.

I dashuruar pa masë në gjithçka që ka të bëjë me Lasgushin, Mehazi ka bërë përpjekje të depërtojë në fshehtësitë e artit poetik lasgushian dhe të tregojë se si shprehen ato në shkrimet e tij për poezinë dhe në vetë krijimtarinë poetike. Mirëpo, i dashuruar së tepërmi në poetin që ka zgjedhur për trajtim, ai nuk ka mundur të krijojë gjithmonë distancën e duhur me objektin e studimit, kështu që logjika dhe argumenti shkencor, herë-herë, janë mposhtur nga emocionet.
Ky tipar i ka dhënë këtij studimi aty-këtu ngjyrë eseistike, por e ka bërë atë njëkohësisht më të afërt dhe më interesant për lexuesin.

Sulejman Mehazi e zotëron mirë gjuhën shqipe, sintaksën dhe drejtshkrimin e saj. Ai shkruan rrjedhshëm dhe herë-herë edhe në mënyrë të figurshme.
Për hartimin e studimit të tij ai ka konsultuar një literaturë të gjerë shkencore dhe ka bërë përpjekje të përfitojë nga metodat bashkëkohore të studimit të letërsisë. Punimi i tij mund të konsiderohet, prandaj, një kontribut shkencor në studimet për poetin e shquar shqiptar Lasgush Poradeci dhe poetikën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat